E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Kriza e dritave zgjat tre vjet

Sipas programit buxhetor afatmesëm, deri në vitin 2010, Shqipëria do të vijojë të jetojë nën rrezikun e krizës energjetike

Kriza energjetike në Shqipëri pritet të vijojë përgjatë viteve 2008-2010, bëhet e ditur nga Programi Buxhetor Afatmesëm, dokumenti kryesor i hartimit të politikave ekonomike të qeverisë. PBA aktuale që merr në shqyrtim periudhën trevjeçare 2008-2010, cilëson veçanërisht si rrezik për financat publike dhe të gjithë vendin, problemet me energjinë elektrike.

“Realizimi i të ardhurave nga tatim-fitimi për periudhën 2007-2010, përmban edhe riskun e mosarkëtimit të të ardhurave nga KESH-i, për shkak të situatës së përkeqësuar financiare të kompanisë”, - thuhet në dokumentin e PBA-së. “Megjithëse situata financiare e Korporatës ka premisa të mira për t’u përmirësuar në 3 vitet e ardhshme, vështirësitë energjetike mund ta shoqërojnë vendin edhe për disa vjet”,- shkruhet në dokumentin e qeverisë.

Dy janë shkaqet kryesore të krizës energjetike, sipas analizës së qeverisë: 1) vjedhja në rrjet; 2) blerja e energjisë së importuar me një çmim shumë më të lartë se ai i shitjes. Sipas logjikës së qeverisë, ulja e vjedhjeve në rrjet do të sjellë edhe importe më të ulëta, ndërsa rritja graduale e çmimeve do të reduktojë diferencën mes çmimeve të importit dhe atyre të shitjeve. Në total, hapja e tregut për prodhimin privat të energjisë elektrike me anë të hidrocentraleve të vegjël dhe hyrja në punë e Termocentralit të Vlorës, besohet se do të zvogëlojë krizën në furnizim rreth mesit të vitit 2009. Në fakt, edhe këto plane nuk duket se po ecin ashtu si janë planifikuar. Ndonëse qeveria ka akorduar rreth 100 kontrata koncesionare për ndërtim hidrocentralesh të vegjël, vetëm në katër apo pesë prej tyre ka nisur puna reale. Nga ana tjetër, qeveria nuk ka qenë në gjendje të kryejë përmirësim real në arkëtimin e energjisë elektrike të faturuar apo në uljen e humbjeve. Treguesit po “përmirësohen” duke përdorur praktikën e zakonshme të faturimit të lartë për institucionet publike, gjë që i heq paratë e buxhetit nga njëri xhep dhe i fut në xhepin tjetër.

Qeveria shqiptare pranoi muajin e kaluar në një letër drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar se niveli i arkëtimeve të energjisë së shitur te konsumatorët, ka rënë këtë vit në 73.7%, niveli më i ulët i regjistruar që nga viti 2001. Qeveria ka pranuar gjithashtu se këtë vit do të ketë kufizime të programuara të energjisë elektrike në masën 4% të furnizimit normal. Ky kufizim do të jetë në këtë nivel në rast se prodhimi në vend ecën sipas programit. Por ndërkohë, thatësira mund të shkaktojë probleme të mëdha. Në rast se shirat nuk krijojnë prurje në liqenet e veriut brenda shtatorit, kufizimet do të duhet të zgjerohen duke filluar nga tetori.

Nga ana tjetër, financat e furnizuesit publik me shumicë KESH, janë në përkeqësim. Së fundmi, qeveria u detyrua të dalë garant për kredinë e re të KESH prej 40 milionë eurosh, pasi bankat dolën në përfundimin se Korporata nuk është në gjendje të marrë kredi. Korporata ka akumuluar borxhe të mëdha gjatë vitit të kaluar kundrejt bankave dhe tatimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›