E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasnat Khan: Dashuria ime me Dianen

Pas 11 vjet heshtjeje, Hasnat Khan, kardiokirurgu
i famshëm pakistanez, me të cilin
princesha Diana pati një lidhje dyvjeçare,
vendos të flasë. Duke zgjedhur me kujdes
fjalët, ai e konsideron Dianën si "dashurinë e
jetës së tij dhe një person të mrekullueshëm, me
të cilën ndau dy vjet të paharrueshëm". Doktori,
që tashmë është kthyer për të jetuar në Pakistan,
tregon gjithashtu se i vjen keq për të gjitha ato
akuza që mediat britanike nxjerrin çdo ditë për
princeshën që nuk jeton më. Romanca që filloi
në spitalin ku doktor Khan ushtronte profesionin
e tij, do të përfundonte vetëm pak kohë para se
Diana dhe Dodi al Fajed të humbnin jetën në aksidentin
tragjik, ditën e fundit të gushtit në tunelin
e Parisit. Për më shumë se një dekadë, ai preferoi
të mos fliste asnjë fjalë, duke "injoruar" hapur
teoritë e ashpra, madje dhe për ato që janë thënë
për jetën e tyre së bashku. Por tani, në një nga
javët më domethënëse në hetimin gjyqësor mbi
vdekjen e Dianës, një nga njerëzit më të dashur
për princeshën e Uellsit, ka folur publikisht për
lidhjen e tyre gati dyvjeçare dhe për dhimbjen që
ai akoma ndien për humbjen e saj. Në një intervistë
të dhënë së fundmi për mediat britanike, Hasnat
Khan tregon se dëshiron të korrigjojë informacionin
e gabuar mbi atë që kishin shkruar mediat se
ai mund të jetë personi i vetëm që mund të japë
prova mbi vdekjen e Dianës. Kirurgu i zemrës tregon
se që nga vdekja e "dashurisë së tij" ka luftuar
për të hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe teoritë
e padrejta që kanë hedhur baltë mbi kujtimin e
princeshës. "Kur kthehem dhjetë vjet para ndihem
shumë keq. Ato kanë qenë vërtet kohë të vështira
për mua. Edhe pse jam përpjekur t‘i harroj, por nuk
kam mundur". Martesa e tij me një grua afgane, e
kryer sipas zakoneve të vendit të tij të lindjes në
Pakistan, përfundoi brenda më pak se dy vjetësh.
Është vërtet e çuditshme, por duket se ai ndihet i
lirë të kthehet pas në kohë për të kujtuar dy vitet
e mrekullueshme të kaluara me Dianën, e cila
shpesh e thërriste "Mr. Beautiful". Hasnat Khan
nuk është një burrë që flet shumë, por fjalët e tij
janë plot dashuri dhe respekt të thellë, që duket se
nuk janë zbehur aspak nga kalimi i kohës. Duke i
zgjedhur me kujdes fjalët që kërkon të thotë, ai
nis të tregojë: "Diana ishte një njeri i jashtëzakonshëm,
me cilësi për t‘u pasur zili". Khan ka
zgjedhur të flasë tani, më shumë se dhjetë vjet pas
vdekjes së princeshës, ndoshta për të thënë më
shumë të vërteta dhe gjëra me vlerë, në një kohë
kur hetimet mbi vdekjen e saj kanë arritur në një
pikë delikate. Në të vërtetë, në seancën gjyqësore
me dëshmitar Paul Burrel, maxhordomi që kishte
punuar rreth dhjetë vjet përkrah Dianës, u thanë
shumë gjëra mbi lidhjen e Dianës me kardiologun
e famshëm. Pikërisht nga garazhi i makinës së zotit
Burrells, zoti Khan arriti të hynte në "Kensington
Palace", gjatë romancës sekrete të çiftit. Madje, atij
princesha i kishte ngarkuar detyrën që të gjente
një prift, i cili mund ta kurorëzonte me martesë
lidhjen e tyre.
Burrell, 48 vjeç, kishte ardhur nga Florida për
të dëshmuar se mund të tregonte vetëm një pjesë
të sekreteve të saj, sepse ai është betuar se do t‘i
marrë me vete në varr sekretet më të mëdha të
Dianës. Zoti Khan refuzon të flasë me detaje rreth
lidhjes së tyre dhe as me ato që thuhen në media
për të dashurit e panumërt të Dianës. "Jam besnik
ndaj saj, jo sepse ishte një princeshë, por sepse
kështu jam unë. Edhe ndaj miqve të mi jam besnik.
Përse duhet të them gjëra që publiku nuk duhet t‘i
dijë", vazhdon ai. "Edhe ato që nuk janë të vërteta
dhe bëhen të tilla, sepse vetë personi nuk është aty
që t‘i mohojë apo t‘i pranojë se nuk kanë ndodhur
kurrë. Personalisht, nëse do të kisha diçka për të
thënë për të do ta kisha bërë para 1997-ës, kur ajo
mund të më përgjigjej. Kjo është edhe arsyeja që
nuk mund të bëj asnjë koment për të". Por, ajo
çka duket qartë, është se kirurgu, që u largua nga
Britania tetorin e kaluar dhe vendosi të qëndronte
me të afërmit e tij në shtëpinë në Jhelum në jug
të Islamabadit, ka luftuar shumë për të kaluar
humbjet dhe dhimbjet e tij në jetë.
Këto ditë, doktor Khan e kalon pjesën më të
madhe të kohës në punë si kirurg zemre në spitalin
e Kuala Lampurit. Doktori flet me rezerva edhe për
prishjen e martesës së tij fare të shkurtër me Hadia
Sher Ali-n, vajzën 29-vjeçare, bijë e një familjeje
fisnike afgane, me të cilën kishte lidhur kurorë
në një ceremoni madhështore rreth 18 muaj para
ndarjes. "Ishin të shumta arsyet që na çuan drejt
divorcit. Kjo është e gjitha ajo që mund të them".
Doktori akoma flet me një dashuri të madhe për
Dianën dhe me një admirim të madh për punën e
saj me të sëmurët, të varfrit, njerëzit në nevojë dhe
pa të drejta. "Ajo bëri një punë të mrekullueshme
në të gjithë botën, jo vetëm në Britani, por kudo
dhe kjo është shumë e rëndësishme. Bëri atë çka
ishte e "prerë" të bënte. Ajo kurrë nuk e takoi apo
përshëndeti popullin e vendit ku shkonte, por
mundohej të bënte të pamundurën për ta. Është
e vërtetë se tani që nuk është më ka lënë një boshllëk
të madh dhe një zbrazëti për të gjithë ne",
vazhdon më tej Khan. Për këtë arsye ai beson se
edhe memoriali që kanë ngritur për të në Hajd
Park, nuk është mënyra e duhur për ta nderuar
kujtimin e saj. "Të krijosh një memorial nuk është
mënyra më e mirë për të kujtuar një njeri si ajo.
Ju i ngrini njerëzit e mëdhenj sa më lart që të jetë
e mundur. Për shembull, merrni Nelson Mandelën,
apo princin e Monakos. Atyre u kanë ngritur
statuja që për së gjalli për atë çka ata kanë bërë
për ta. Mos harroni që në Angli dhe kudo në botë
Dianën të gjithë e kujtojë si Princesha e Popullit".
Doktor Khan dhe princesha Diana u takuan për
herë të parë në vitin 1995, kur Diana kishte shkuar
të vizitonte Joe Toffolon, bashkëshortin e mikeshës
së saj të ngushtë, që kishte kryer një by-pass në
zemër, nën kujdesin e doktor Kahnit. Pas kësaj
vizite, Diana shkonte për vizitë në spital pothuajse
çdo ditë, ku takohej edhe me doktorin simpatik,
një mysliman, të cilin shumë e krahasojnë me
aktorin e njohur Omar Sharif. Pikërisht nga kjo
miqësi nisi të lindte një histori e papritur dashurie.
Ata qëndruan së bashku dhe e mbajtën sekret
lidhjen për muaj me radhë para se lajmi të merrte
dhenë. Për miqtë e ngushtë dhe ata që e njihnin
mirë Dianën, mendohet se kjo ka qenë lidhja më
serioze e saj që nga ndarja me princin Karl tre vjet
më parë. Çifti kishte gjetur edhe mënyrën për t‘u
marrë vesh dhe për t‘u shpëtuar fotografëve që i
rrethonin në çdo kohë. Vetëm në këtë mënyrë ata
mund të takoheshin jashtë spitalit. Khan kujton
me dashuri se njëherë kur Diana nuk ndihej mirë
vendosi që
ta çonte për t‘u argëtuar në një pab afër "Harefield
Hospital", aty ku të gjithë e njihnin si profesor
Magdi Yacoub. "Kjo ishte shumë argëtuese për
të", tregon Khan. Në një rast tjetër ata hynë në një
klub xhazi, ku Diana, e maskuar me një paruke
të zezë në kokë, shkonte te bari të porosiste pijet
e pashqetësuar nga paparacët. Princesha dhe
doktori qëndruan së bashku në Stratfordupon-
Avon, ku xhaxhai i Khan, që ishte martuar me
një grua angleze, kishte një shtëpi të vetën. Në
"Kensington Palace", Diana lexonte libra mbi
islamin dhe mbante një fotografi të "doktorit të saj
simpatik", të cilën e mori me vete në Krishtlindjet
e vitit 1996 që ata kaluan së bashku në Karaibe.
Ajo takoi të afërmit e tij në shtëpinë në Pakistan,
ku ajo veshi edhe veshjet tradicionale e shaminë
për të respektuar zakonet e besimit të tyre fetar.
"Ajo u kënaq gjithashtu në pasditen që kaluam
me familjen time dhe mendoj se e pëlqeu shumë
kulturën e përgjithshme të familjeve aziatike". Kur
u kthyen në Londër, Diana e prezantoi doktorin
pakistanez me djemtë e saj, Uilliam e Herri, dhe
ajo diskutonte se si do të ishte jeta e saj si gruaja e
një pakistanezi me mikeshën e saj, Jemima Khan,
që ishte martuar Imran Khan - një martesë e cila
më vonë përfundoi. Zoti Khan e pranon se ishte
shumë e vështirë për princeshën të përballonte të
gjitha presionet, gjatë kohës që ata të dy ishin të
lidhur. "Ishte shumë e vështirë", tregon ai. "Kudo
në botë një person kaq i famshëm është gjithmonë
në qendër të debateve. Por, pavarësisht kësaj, Diana
ishte një njeri normal, që e bënte shumë mirë
punë e saj, rriste fëmijët dhe bënte me kujdes çdo
gjë tjetër. Kjo është e vërteta". Ndërkohë që lidhja e
tyre private forcohej, presionet e opinionit publik
mbi romancën e tyre bëheshin gjithmonë e më të
mëdha. Khan ishte i bindur se ai nuk do të mund ta
vazhdonte punën si mjek, ndërkohë që do të ishte
i dashuri i princeshës, ndaj të dy filluan të mendonin
për lëvizjen e tyre drejt Pakistanit dhe, pasi
ranë dakord, ishte Diana ajo që ndryshoi mendim.
"Princesha mendonte se po të shkonte në Pakistan
do të duhej të vinte shumë shpesh në Londër për
të parë fëmijët e saj dhe kjo e bënte atë të dukej një
nënë e keqe në sytë e tyre", më tregoi një mikeshë
e princeshës. Të dy vendosën që të shkonin të
jetonin në një tjetër shtet, përfshi dhe Australinë,
ku Khan kishte punuar, dhe Diana kishte përdorur
miqësinë e saj me kirurgun e zemrës, Christiaan
Barnard, për të parë nëse ai mund ta ndihmonte
që të gjente një punë për të dashurin e saj. Në
fundin e pranverës dhe fillimin e verës së vitit 1997,
lidhja mes të dyve filloi të krisej. Diana donte që
të shfaqej hapur dhe ta kurorëzonte martesën e
saj, ndërsakirurgu kishte frikë nga ajo që mund të
ndodhte nëse bëhej diçka e tillë. Fundi nuk ishte
i papritur, por me tepër pasoja për dy njerëz me
dy bekgraunde dhe kultura të ndryshme. Por, pavarësisht
se Khan nuk dëshiron të tregojë arsyen e
vërtetë të prishjes së lidhjes mes tyre, ai pranon se e
ka dashur vërtet dhe se ajo ka qenë një nga njerëzit
më të shtrenjtë për të. Doktor Khan thotë se nuk
ishte në dijeni për fluturimin e saj me Dodin në
Paris në verën e vitit 1997, deri sa ai u publikua në
media. Gjatë korrikut dhe gushtit ata ishin takuar
edhe dy herë të tjera, një herë në Battersea Park
dhe një herë tjetër në "Kensington Palace". Për sa
i përket vdekjes së saj, kirurgu i talentuar mund të
thotë vetëm kaq: "Ishte shumë e rëndë për mua kur
e mora vesh, vërtet e tmerrshme dhe një nga çastet
më të vështira të jetës". Sot, për dashurinë më të
madhe të jetës së tij, zoti Khan thotë vetëm kaq: "Të
gjithë kemi mangësitë tona, por ajo ishte një njeri i
zakonshëm, me shumë cilësi të mira, sigurisht me
plot të meta, ashtu siç jemi të gjithë".
Doktori i nderuar në çdo moment refuzon të
flasë me detaje për kohën e kaluar me të. "Gjithmonë
ka pasur njerëz që më kanë thënë se përse
nuk i kam shkruar të gjitha kujtimet e mia. Por
nuk është kjo ajo që dua të bëj... Nuk është kjo
rruga ime". Ai pranon se shpesh është mërzitur
edhe nga ajo që është thënë për lidhjen e tyre.
"Të gjitha ato gjëra janë shkruar nga njerëz që as
mua, as Dianën nuk na kanë njohur aq sa duhet".
Më pas ai kujton edhe se si interesi i madh i
medias ndërhynte në punën e tij. "Gazetarët më
merrnin në telefon çdo sekondë në spital. Kjo
ishte vërtet e padurueshme". Tashmë që është
kthyer në shtëpinë e tij në Pakistan, Hasnat
Khan ndihet vërtet i lirë. "Në Britani nuk ndodh
kështu. Kudo që të shkosh media të ndjek pas si
hije. Këtu nuk është kështu dhe për mua është
një lehtësim shumë i madh". Khan tregon se nuk
ka dëshirë të jetë i pranishëm për të dëshmuar
në gjyqin që po zhvillohet në Londër, madje ai
është lajmëruar nga avokatët e tij, se meqenëse
jeton jashtë Britanisë nuk është i detyruar që të
shkojë. Ai ka rënë dakord që raporti që ai dha në
hetimin e "Lord Stevens" për vdekjen e Dianës
do të lexohet përpara jurisë. "Nëse është brenda
rregullave për një mjek ligjor që të më pyesë mua,
atëherë do të jem i pranishëm", vazhdon më tej.
"Megjithatë, ajo që unë kam thënë nuk ka të bëjë
me faktin se unë nuk mund të jem aty pasi jam
larg Londrës. Do të veproj sipas udhëzimeve
të avokatëve të mi. Do të veproj ekzaktësisht
ashtu siç e kërkon ligji. Nëse avokatët më thonë
se duhet të shkoj, do të shkoj patjetër. Nuk kam
asgjë për të shtuar". Nga shtëpia e tij, zoti Khan
nuk ka preferuar të flasë mbi dëshmitarët, që
në çështjen gjyqësore mbi hetimin e vdekjes së
Dianës kanë nxjerrë edhe emrin e tij. Aktualisht,
dëshira e tij është që gjithçka të marrë fund dhe të
qartësohet. "Për të mirën e të gjithëve kjo çështje
duhet të marrë fund sa më shpejt. Megjithatë, i
takon drejtësisë që të vendosë".
Por, pavarësisht asaj që tregoi doktor Khan, u
tregua shumë i rezervuar në atë që tha. Ndoshta
një ditë ai do të tregojë gjithçka dhe gjithë bota
do të marrë vesh çdo detaj në lidhje me dy vitet
e jashtëzakonshme që ai kaloi me princeshën e
bukur të Uellsit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›