E Diel, 1 Nëntor 2026

Gardisti i dehur plagos dy persona brenda në lokal

Një oficer i Gardës së Republikës është bërë protagonist i plagosjes së dy personave në Tiranë. Efektivi ka qenë në gjendje të dehur kur ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të disa personave, ndërkohë që dy prej tyre kanë mbetur të plagosur, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në Tiranë, ndërsa policia ka arrestuar agresorin e kësaj ngjarje. Mariglen Kondi, specialist komunikimi në Gardën e Republikës ka qenë duke pirë në një lokal pranë Shkollës së Bashkuar në rrugën e Dibrës, kur është konfliktuar me dy persona të tjerë. Sipas policisë, alkooli i tepërt ka qenë shkaku që 26-vjeçari Kondi ka qëlluar me pistoletë mbi dy të rinjtë. Ngjarja ka ndodhur në lokalin "Sporti", në Rrugën e Dibrës, në mes universitetit ushtarak "Skënderbeu" dhe Komisariatit të Policisë Nr. 4. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se i riu ka qëlluar me pistoletë dy klientë që ndodheshin në lokal. Hetimet e policisë kanë nxjerrë në pah se gardisti ka qenë në gjendje të dehur, në kohën që ka qëlluar me armën e shërbimit Artan Ramën dhe Aleksandër Veshkën. Me plagë të lehta në trup, këta të fundit janë transportuar me urgjencë për në spital dhe aktualisht, sipas të dhënave të mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, strukturat e krimit të organizuar, si dhe strukturat e posaçme të hetimit të krimit, të ndara sipas veprës penale, në kuadër të intensifikimit të punës për goditjen e grupeve kriminale, kanë ndërmarrë një sërë masash për arrestimin e këtij personi. "Për kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit publik, prishje të qetësisë publike, si dhe të plagosjes së lehtë nga pakujdesia, u mundësua arrestimi në flagrancë i shtetasit Mariglen Bashkim Kondi, 26 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Allias të Tiranës", deklaroi zyrtarisht policia. Sipas uniformave blu, ai ka deklaruar se është me detyrë specialist në Gardën e Republikës. "Në ambientet e bar-kafesë, të ndodhur në afërsi të Shkollës së Bashkuar, shtetasi i lartpërmendur, i papërgjegjshëm dhe në gjendje të dehur ka qëlluar me pistoletë shtetasit Artan Rama dhe Aleksandër Veshka. Gjatë shoqërimit për në komisariat, 26-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë duke fyer punonjësit e policisë, të Komisariatit Nr. 4. Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pistoleta tip "TT" dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës. Policia tha se autori është shprehur i penduar për krimin që ka kryer dhe se nuk mbante mend si kishte evoluar kjo ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›