E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsenal armësh në një shtëpi, dyshohet për trafik

Një arsenal armësh është zbuluar të dielën në orët e mbrëmjes në qytetin e Kukësit. Aksioni i efektivave blu i koduar "Bashkëpunimi" ka sjellë si rezultat zbulimin dhe sekuestrimin e një numri armësh dhe municioni luftarak për të cilin u shoqëruan tre persona, si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Burime zyrtare të policisë thanë se fillimisht ishte shoqëruar në komisariat 20-vjeçari Gentian Metallari, pasi gjatë një kontrolli të befasishëm në rrugë policia i kishte gjetur atij në makinë një pistoletë të tipit "Zastava", si dhe një krehër me fishekë. Menjëherë më pas policia ka zhvilluar një kontroll në banesën e shtetasit të ndaluar, ku ka zbuluar 4 pistoleta "Zastava" të kalibrit të vogël me krehra dhe me gjithsej 50 fishekë, 6 mijë fishekë model 56, dy automatikë kallashnikovë, 200 gramë tritol, 2 kapsolla detonator dhe një metër fitil zjarrpërcjellës. Me këtë rast policia ka shoqëruar edhe gjyshin e 20-vjeçarit, Elezin 78-vjeçar dhe pronarin e shtëpisë që ka shërbyer për strehimin e një pjese të municionit, F. Tusha. Të nesërmen, të dy janë lënë të lirë, Elezin e kanë liruar "për shkak të moshës së thyer" siç tha një epror i lartë, ndërsa Tushën për shkak se ky i fundit nuk kishte pasur dijeni për faktin. Por pas operacionit "Bashkëpunimi", drejtori i policisë së Qarkut të Kukësit, komisar Muharrem Furriku, tha se ishin shpallur në kërkim e shoqja e Tushës me akuzën e bashkëpunimit, si dhe babai i 20-vjeçarit që nuk ndodhej në shtëpi. Furriku vuri në dukje se prej një kohë të caktuar kishte pasur informacione se Metallari mbante një automjet të vjedhur me targa DR6287A, të cilin policia e ka bllokuar. Për rastin në fjalë është ngritur çështja penale e armëmbajtjes pa leje dhe më të po merret prokuroria. Hamendjet e para flasin se 20-vjeçari mund të jetë përpjekur për t‘i shitur armët, por zyrtarisht ende nuk thuhet asgjë. Edhe një pjesë e njerëzve të familjes Metallari janë shprehur se nuk kishin pasur dijeni se me çfarë merrej djali i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›