E Diel, 1 Nëntor 2026

Gedafi në Francë, shpërthejnë polemikat

Ndoshta Nikolas Sarkozi është penduar: dhjetë miliardë euro kontrata nuk vlejnë sa tërë dëmi i shkaktuar, pasi la të hynte në shtëpi një tip si Gedafi. Ky i fundit, në Paris, i thotë Sarkozisë "gënjeshtar" dhe më pas mban një fjalim-manifest për revoltën e "vëllezërve afrikanë" që jetojnë në periferitë ku "dhunohen të drejtat e njeriut". Tani, maskarenjtë e periferive, siç i quan Presidenti, kanë gjetur një profet. Asnjëherë mos i ofro një rol kryesor në skenë një njeriu si kolonel Gedafi. Nëse e bën ai ngulitet atje. Për 34 vjet, në fakt, e kanë lënë mënjanë, ndërsa tani ai do të argëtohet me francezët. Pra, kush gënjen? Gedafi apo Sarkozi? Të hënën në mbrëmje, Presidenti francez, pasi ka pritur mikun libian është prezantuar para gazetarëve duke deklaruar: "I kam thënë Presidentit Gedafi se duhet të vazhdojë të punojë për të drejtat e njeriut në të gjitha aspektet e mundshme". Dhe kjo meriton duartrokitje. Me këtë kënaqen, por edhe ngatërrohen akoma më keq ata që e kritikojnë se po lë mënjanë parimet thelbësore e po afrohet me një numër diktatorësh jo fort të pëlqyer. Por, a mbaron me kaq? Jo, pasi me Gedafin nuk mund as të imagjinosh kurrë se je ti që e ke në dorë lojën. Koloneli, rregullat e lojës preferon t‘i fiksojë vetë. Kështu, pasi ka pritur pak, në një intervistë të dhënë dje në kanalin francez "France 2", ka përgënjeshtruar "mikun" francez: "Nuk kemi folur për këtë temë unë dhe Sarkozi. Jemi miq të ngushtë, bashkëpunojmë. Kemi folur për problemet e bashkëpunimit mes dy vendeve, kemi folur për të gjitha kontratat e nënshkruara në sektorë të ndryshëm dhe në interes të të dyja vendeve, për bashkëpunimin euro-afrikan, për Unionin Mesdhetar, ide kjo e propozuar nga Presidenti dhe në përgjithësi, për bashkëpunimin mes dy brigjeve të Mesdheut". E pra është njësoj sikur të kishte thënë: I dashur Sarkozi, je një gënjeshtar. Presidenti, në fakt ka heshtur dhe ka lënë të flasë "një dëshmitar", sekretarin e përgjithshëm të Elizeut, Klod Gueant: që ka konfirmuar të vërtetën presidenciale. Por, gjithsesi, e gjithë kjo është e sikletshme. Kjo vizitë po rezulton për francezët një minierë e vërtetë plot me surpriza dhe tërheqëse. Ndërkohë, një tendë beduinësh është ngritur pikërisht në oborr të Elizeut, ndërsa jashtë tij, dhjetëra e dhjetëra francezë protestojnë. Ndërkohë, Gedafi dukej në formë. Pasi ka hequr mikrofonat e "France 2", i është drejtuar selisë së UNESCO-s, ku edhe ka veshur petkun e liderit të një vendi të Botës së Tretë, që në fakt e mban me kënaqësi. Atje ai është ndalur edhe te periferitë franceze, që shpeshherë janë përflakur. "Para se të flitet për të drejtat e njeriut duhet të verifikohet nëse emigrantët gëzojnë këtu tek ju të drejtat e tyre. Ne jemi një vend që flet për të drejtat e njeriut. A mos vallë këtu te ju ndonjë e drejtë nuk aplikohet?" - ka pyetur ai me keqdashje, duke iu drejtuar "vëllezërve të tij afrikanë" të pranishëm në amfiteatrin e madh të UNESCO-s. "Ne kemi objekt padrejtësish. Kontinenti ynë ka qenë i kolonizuar. Njerëzit tanë janë skllavëruar dhe janë ngarkuar nëpër anije si kafshët. Sot, ata punojnë në ndërtim dhe bëjnë punët më të vështira. Sot ata janë degdisur nëpër periferitë-geto dhe të drejtat e tyre dhunohen nga policia. Afrikanët emigrantë konsiderohen të margjinalizuar, nevojtarë. Ndaj ata e shprehin ndonjëherë zemërimin e tyre nëpërmjet dhunës, ndezin incidente. Unë nuk e miratoj dhunën, por kush e shpreh zemërimin e tij jeton në kushte të vështira në Evropë dhe kjo meriton një reflektim". E pra në Francë donin që koloneli Muamar Gedafi të fliste për të drejtat e njeriut. Ja pra ku foli...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›