E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagët e Revolucionit

Eduard Tian ishte tre vjeç, kur Mao Ce Dun nisi Revolucionin Kulturor. Prindërit e tij, ekologë, që ishin arsimuar në Bashkimin Sovjetik, u internuan në këneta rurale. Një bandë zaptoi shtëpinë e tij dhe dogji librat e familjes. Ai u nda nga e motra dhe u dërgua të jetojë me gjyshen nga e ëma në qytetin industrial të Sheniangut. Gjyshja ishte një grua shumë e devotshme, por edhe shumë e ashpër, filozofia e së cilës për rritjen e fëmijës përmblidhej në moton: "Mos buzëqesh derisa fëmijët të jenë në shtrat". Tian kujton se ishte shumë i zemëruar me prindërit gjatë 11 viteve të ndarjes: "Isha shumë i zemëruar. Përse nuk donin t‘ia dinin për mua? Nuk kam pasur një marrëdhënie të mirë me prindërit e mi, deri kur më lindën fëmijët". Ndërkohë, ai studionte marksizëm në shkollë dhe ëndërronte të bëhej ushtar i revolucionit. Gjyshja e bindi të mos shkojë në ushtri, por të vazhdojë studimet. Në vitin 1981, ai u regjistrua në Universitetin Liaoning dhe pas diplomimit u dërgoi letra universiteteve amerikane me shpresën për të fituar ndonjë bursë diku. Texas Tech i ofroi një të tillë dhe Tiani, me përshtypjen se Lubbock Texas ishte pranë New Yorkut, e pranoi. "I pari udhëtim me avion i jetës time ishte ai nga Pekini në San Francisco, më pas fluturova për në Dallas, ku aeroporti ishte gjigant. Isha kaq shumë i frikësuar". U ndie i detyruar të ecë në gjurmët e prindërve dhe të studiojë ekologji, kështu që djaloshi nga Sheniangu përfundoi me një diplomë në menaxhimin e fermave në Texas. Kaloi pesë vjet duke u vërtitur nëpër fermat vendase. Disertacioni i tij kishte të bënte me një model statistikor të përhapjes së barërave të këqija, që pas disa vitesh punë u lexua nga vetëm dhjetë veta. Por në Texas Tech, ai pati mundësinë të përdorë një kompjuter Macintosh. "Gjatë kohës që nuk isha në punë, nuk kisha as miq dhe as familje pranë, kështu që luaja me të. Ai mbolli një farë në zemrën time". Me ardhjen e viteve nëntëdhjetë, reformat e Ten Hsiaopinit po fillonin ta transformonin Kinën, interneti po fillonte të transformonte botën dhe Tian e kapi këtë moment historik. Ai dhe një mik kinez nga Dallasi krijuan AsiaInfo Holdings, për të sjellë në shtëpi teknologjinë e internetit. Brenda tri vitesh, ai kishte 320 të punësuar dhe të ardhura 45 milionë dollarë në vit. Në vitin 1999, qeveria kineze krijoi një kompani të re, China Netcom Group, për të konkurruar me China Telecom për të sjellë teknologjinë broadcom në Kinë. Tianit iu kërkua të bëhet drejtor i përgjithshëm dhe ai pranoi. Studiuesi i fermave nga Lubbock përfundoi në majën e një kompanie me 230 mijë të punësuar. Por, Revolucioni Kulturor vijon të gjejë strehë në hijet e mendjeve. "Pasiguria është një mendim shumë i rëndësishëm në mendjen time", thotë ai. Tani, ai punon me njerëz të shquar të biznesit si Henry Kravis dhe vëren: "Henry Kravis nuk ka nevojë të tregojë kush është. Për arsye se unë jam kinez, më duhet që të vërtetojë dhe të provojë se mund ta bëj një gjë. Mund të udhëtoj më shpejt dhe të mësojë më shumë". Kohët e fundit, ai ka qenë folësi i nderit në një konferencë në Malajzi dhe mbërriti vonë dhe i uritur në një mbrëmje të organizuar nga vendasit. Shkoi në tryezën e bufesë, e mbushi pjatën me oriz dhe nisi të hajë nxitimthi. Një mik tha se po fuste në siklet bashkatdhetarët e tij kinezë duke u sjellë si fshatar. "M‘u desh të mendoj se përse duhej të sillesha në atë mënyrë". Ndërkohë, nxitjet nga shtëpia vazhdojnë. Gjatë një udhëtimi në Japoni, ai i telefonoi gjyshes, e cila sot është 92 vjeç dhe i tha se, pavarësisht atyre që ajo kishte hequr gjatë pushtimit japonez, nipi i saj tashmë po qëndronte në një park shumë të bukur japonez. Gjyshja iu përgjigj: "Përse rri e vështron? Duhet të jesh duke punuar fort". I lodhur nga burokracia, Tian dha dorëheqjen nga Netcom dhe ka krijuar tashmë China Broadband Capital. Kjo financon kompanitë që përdorin telefona celularë si platformën e ardhshme të teknologjisë së informacionit dhe zotëron një pjesë të aksioneve të MySpace China. Qëndron i vetëm në një zyrë shumë të bukur në mes të parkut, ku perandorët e dinastisë Qing faleshin përpara diellit. Zyra e tij ka qenë dikur dhoma e veshjes së perandorit. Me pasigurinë e tij që vazhdon, me vendosmërinë e palëkundur për të provuar dhe riprovuar vetveten, ai është në një farë mënyre një përfaqësues tipik i elitës së brezit të Revolucionit Kulturor. Por është njëkohësisht një njeri me kulturë dhe në këtë drejtim është atipik. Revolucioni kulturor fshiu pjesën më të madhe të kulturës kineze. Ai u pasua nga një valë komercializimi dhe materializmi. Sot, dinjiteti përcaktohet nga mallra luksoze italiane dhe franceze. Vakuumi shpirtëror që la pas Revolucioni Kulturor ende nuk është mbushur. Një pjesë e vlerave të mira apo të këqija do ta mbushin atë dhe në atë moment pasojat e vërteta e të atij ferri do të ndihen më në fund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›