Profesori nuk është emër, por vepër!
Muzafer Xhaxhiu konsiderohet si ndër të fundmit personalitete elitare të kulturës mbarëkombëtare, me rrënjët e formimit në shekullin e kaluar bash në atë kohë, kur në Shqipëri do të ngjizej një brez mendimtarësh e filologësh, të cilët pas ‘44-ës themeluan "Babelin" e akademizmit. Kur përmenden emra si Eqrem Çabej e Aleks Buda, vështirë të mos të vijë ndër mend edhe Myzafer Xhaxhiu, si një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në kulturën shqiptare. E më të plotë figurën e tij e bën origjina e tij gjirokastrite, një medalje jomateriale, që ai diti ta mbajë e ta përligjë me aktivitetin dhe punën e tij gjigante. Ndaj dhe qyteti i tij e shpërbleu dje.
Në karrierën e tij të gjatë akademike prej disa dekadash, është e vështirë të veçosh aspektet më të dallueshme të personalitetit të tij në morinë e fushave, ku ka lëvruar me studime, analiza, kritika e pothuajse në të gjitha zhanret letrare. Por, prof. dr. Myzafer Xhaxhiu do të veçohej si skeptërmbajtësi i njohjes së thellë të gjuhës, letërsisë e kulturës antike greke e asaj romake pangjashmërisht me askënd tjetër në historinë e letrave shqipe. Në rininë e tij, ai studioi për letërsi klasike greke dhe latine në Universitetin e Beogradit dhe në Universitetin "Lomonosov" Moskë, ndaj dhe në vitin 1953, profesor Xhaxhiu filloi të mbajë leksionet e para në Institutin e Lartë Pedagogjik për letërsinë klasike greke-romake. Ndërsa me krijimin e Universitetit të Tiranës, ai harton programet e para universitare për mësimdhënien e letërsisë antike në shkollat e larta. Ndërkohë, mbajti leksione për këtë letërsi për shumë vite rresht në Fakultetin e Filozofisë, Akademinë e Arteve të Bukura dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Më e fundit vepër e dalë nga mendja brilante e profesorit është përkthimi i një antologjie të lirikave botërore më 2005-ën. Sakaq, CV-ja e tij numëron me dhjetëra botime e me qindra shkrime e artikuj studimorë. Ndërsa titujt që mban Myzafer Xhaxhiu janë: "Profesor Doktor", "Mësues i
Merituar", urdhrat: "Naim Frashëri" të kl. I, "Naim Frashëri" të kl. II, medaljen "mjeshtër i Madh i Punës" dhënë nga Presidenti i Republikës në vitin 2001, "Diplomë nderi" nga Ministria e Kulturës e Bullgarisë, "Diplomë nderi" nga Ambasada e Republikës së Greqisë për përhapjen e kulturës së lashtë greke në Shqipëri. I gjithë ky personalitet lipset që sot të kontribuojë në kulturën shqiptare dhe thjesht me modelin që ofron edhe nëse nuk do të shkruajë më. Me modelin e njeriut para emrit ka veprën dhe jo veprën pas emrit, apo me keq akoma, vetëm emrin, siç ndodh rëndom sot. Në këtë pikë, prof. dr Myzafer Xhaxhiu nuk është emër, por vepër!