E Diel, 1 Nëntor 2026

I famshëm sa qyteti

Mendimtari, filologu, pedagogu, shkrimtari dhe publicisti i njohur, prof. Muzafer Xhaxhiut, është nderuar nga Bashkia e Gjirokastrës, vendlindja dhe vendi i origjinës së tij me titullin "Qytetar nderi i Gjirokastrës". Ceremonia e dhënies së këtij titulli nderi u organizua mbrëmë në Pallatin e Sportit të qytetit të Gjirokastrës në prani të qindra bashkëqytetarëve, të autoriteteve vendore dhe të familjarëve të prof. Muzafer Xhaxhiut. Duke dorëzuar titullin "Qytetar nderi i Gjirokastrës", kryetari i bashkisë së qytetit, Flamur Bime, tha se këshilli bashkiak i qytetit ishte unanim në miratimin e kandidaturës së prof. Muzafer Xhaxhiut, pasi kontributi dhe përkushtimi i tij në
pajisjen me dituri të brezave të tërë nxënësish dhe
studentësh është i njohur dhe i vlerësuar maksimalisht nga bashkëqytetarët gjirokastritë. "Profesor Xhaxhiu e meriton plotësisht këtë titull nderi për pasionin dhe përkushtimin e tij në përgatitjen e brezit të shkrimtarëve të sotëm, për kontributin si themelues i katedrës së Letërsisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, për kontributin e tij si shkrimtar dhe publicist, si një gjirokastrit që mbajti gjallë poezinë e gurit dhe nostalgjinë për Gjirokastrën dhe gjirokastritët", u shpreh kryebashkiaku Flamur Bime, duke u dhënë titullin e nderit familjarëve të zotit Xhaxhiu, bashkëshortes Melita dhe djemve të tij Artan dhe Rezart Xhaxhiu. Duke u nderuar në vendlindjen e tij, u shpreh poeti Odise Kote, mësuesin e mësuesve dhe shkrimtarëve profesor Muzafer Xhaxhiun, ne kemi nderuar vetveten
dhe brezin e mësonjësve dhe krijuesve, që me një
përkushtim të rrallë mbajtën të gjallë humanizmin dhe traditën shqiptare në arsimin, letërsinë dhe krijimtarinë e brezave pasardhës. Në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit të nderit në Gjirokastër, për shkak të moshës së thyer, prof. Xhaxhiu kishte dërguar një letër përshëndetëse, me anë të së cilës shprehte mirënjohjen dhe emocionet e tij për këtë vlerësim: "E quaj veten krenar dhe mburrem që jam nga Gjirokastra, qytet me tradita të shquara atdhetare dhe kulturore, me një komunitet njerëzish punëtorë, të urtë dhe paqësor, për çka kanë tërhequr vëmendjen dhe simpatinë e kujtdo që i ka njohur, që ka pasur rastin që të jetojë mes tyre. Kam ndjekur vazhdimisht çka është shkruar e folur për Gjirokastrën jo vetëm nga bashkatdhetarët, por edhe nga të huajt, të cilët e shohin qytetin jo vetëm të befasuar nga natyra piktoreske dhe origjinale e ndërtimit arkitektonik, por edhe të prekur, të emocionuar nga ndjenjat fisnike të mikpritjes dhe dashamirësisë të gjirokastritëve ndaj njerëzve", theksoi zoti Xhaxhiu në përshëndetjen e tij, me rastin e dhënies mbrëmë të titullit "Qytetar Nderi i Gjirokastrës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›