E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana i ofron Prishtinës dhjetëra botime akademike

Tirana dhe Prishtina janë njësuar së fundmi në fushën akademike, ku në një aktivitet të veçantë janë prezantuar në hotel "Grand" të kryeqytetit kosovar, të gjitha botimet historiografike të viteve 2006-2007 nga ana e Institutit të Historisë, Fakultetit të Historisë të Universitetit të Tiranës, si dhe Arkivit Qendror të Shtetit. Drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, prof. dr. Jusuf Bajraktari, homologu i tij në Tiranë, prof. dr. Marenglen Verli, si dhe drejtoresha e AQSH-së, prof. dr. Nevila Nika, theksuan se aktiviteti me prezantimin e dhjetëra botimeve të rëndësishme ishte një formë e re bashkëpunimi për paraqitjen e veprave të botuara, që zhvillohej në frymën shumëvjeçare të bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta studimore e botuese. Veprimtaria u ndoq me interes nga studiues të fushave të ndryshme të albanologjisë dhe u pasqyrua gjerësisht nga media e shkruar dhe elektronike e Kosovës. Ndër veprat e prezantuara ishin: "Historia e popullit shqiptar" (1912-1939), Vëllimi III; "Skënderbeu dhe Evropa" (Përmbledhje kumtesash); Theofan Popa - "Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri" (shek.VI-XIV); Prof. dr. Beqir Meta - "Tensionet greko-shqiptare" (1939-1949), si dhe "Shqipëria dhe Greqia 1949-1990"; "Paqja e vështirë", dr. Dritan Egro - "Historia dhe ideologjia, një qasje kritike e historiografisë"; prof. dr. Marenglen Verli - "Nga Kosova për Kosovën", si dhe "Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli" dhe "Shqipëria dhe Kosova, historia e një aspirate", Vëllimi I, II; prof. dr. Muin Çami - "Shqipëria në rrjedhat e historisë" (1912- 1924), (Përmbledhje studimesh); as. dr. Hamit Kaba - "Shqipëria në rrjedhën e Luftës së Ftohtë" (Studime dhe dokumente); prof. dr. Gazmend Shpuza, "Pages d‘ histoire albanaise" (1474-1934), Stamboll 2006; prof. Petraq Pepo, Mihallaq Pela - "Kanunore të shoqërive shqiptare" (1870-1936), Vëll.I; prof. dr. Nevila Nika - "Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare" (1910-1912); prof. dr. Nevila Nika dhe Liliana Vokshi, "Udhërrëfyes arkivor për hebrenjtë në Shqipëri"; prof. dr. Fatmira Rama, "Dukuri arsimore gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri"; prof. dr. Muhamet Shatri, prof. dr. Ramiz Abdyli - Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912-ën, si dhe disa numra të revistës "Studime historike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›