E Diel, 1 Nëntor 2026

Gejts: Shqipëria do ta marrë ftesën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur sinjalin pozitiv për dhënien e ftesës zyrtare për anëtarësim në NATO për Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit. Deklarata e bujshme ka dalë nga goja e numrit një të Pentagonit, gjatë një samiti për sigurinë në kryeqendrën e Bavarisë, në Mynih, ku po diskutohej për sigurinë. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, dhe personalitete të larta të BE-së kanë shfaqur shpresën se vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia do të marrin ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit në muajin prill të këtij viti. Tre prej pjesëmarrësve në Konferencën mbi çështjet e mbrojtjes në Munih, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung, shprehën shpresën se Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria do të ftohen të bëhen anëtarë me të drejta të plota të NATO-së gjatë prillit të këtij viti në takimin e nivelit të lartë të Aleancës në Bukuresht, bëjnë të ditur agjencitë botërore të lajmeve.

Shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel, deklaroi se shtetet e rajonit të Ballkanit duhet të marrin përgjegjësi për Kosovën dhe se sipas tij një iniciativë e tillë duhet të ngrihet nga Bashkimi Evropian.

BE duhet t‘u bëjë ftesë thelbësore Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Shqipërisë, si dhe të marrë përsipër përgjegjësinë për Kosovën, ka deklaruar në konferencën ndërkombëtare për sigurinë, që po mbahet në Munih të Gjermanisë, shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel.

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, shtet i cili aktualisht kryeson BE-në, ka theksuar rëndësinë e pranimit të këtyre shteteve në Union dhe NATO, dhe i ka bërë thirrje BE-së të nënshkruajë sa më shumë marrëveshje bashkëpunimi me shtetet ballkanike, ka transmetuar agjencia sllovene e lajmeve STA.

"Derisa ne të udhëheqim me Unionin, e ndoshta edhe gjatë mandatit të kryesuesit të radhës (Francës), do të duhej që këtë fushë ta mbulojmë me marrëveshjet evropiane, si me marrëveshjet për stabilizim dhe asociim, si me dhënien e statusit të kandidatit për bashkim, apo nisjen e negociatave për statusin", ka theksuar Rupel në fjalimin e tij në Munih.

Sipas "Reuters", Kroacia është më afër zbatimit të kritereve për anëtarësim në Aleancë, ndryshe nga Shqipëria dhe Maqedonia. Vala e fundit e zgjerimit të NATO-së ishte në vitin 2004, kur u aderuan: Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Letonia dhe Estonia. Sot Aleanca përfshin 26 shtete anëtare. Shpresat për dhënien e ftesës u përforcuan gjatë vizitës që Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, zhvilloi javën e shkuar në shtabin qendror të NATO-s në Bruksel. Por disa ditë më pas një deklaratë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rriti pak tensionin, kur e autorizuar nga Departamenti i Shtetit, selia diplomatike e SHBA në Tiranë, theksonte se ende nuk ka një vendim për Shqipërinë. Në deklaratën e ambasadës amerikane në Shqipëri, shkohej edhe më tej, kur theksohej se reformat kryesore që janë detyrim për Shqipërinë si reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, ende janë të paplota. Ndërkaq, ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti socialist, Pandeli Majko, në një intervistë për "Zërin e Amerikës" theksoi se Shqipëria rrezikon të jetë viktimë e debateve mbi emrin e Maqedonisë. Çështja e anëtarësimit të tri vendeve të Kartës së Adriatikut, është diskutuar dhe në takimin që kanë zhvilluar ministrat e Mbrojtjes së NATO-s në Vilnius të Lituanisë, por pritet që gjithçka të vendoset në takimin e shefave të diplomacisë, të cilët do të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›