E Diel, 1 Nëntor 2026

Lobing për anëtarësimin në NATO , Basha merr mbështetje në Mynih

Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, ka zhvilluar takime të rëndësishme me krerët e NATO-s dhe qeveritarë të shteteve-anëtare, të Aleancës së Atlantikut të Veriut, gjatë takimit në Konferencën për Politikat e Sigurisë që u zhvillua në Mynih me 8-10 shkurt. Në këtë konferencë u trajtuan çështje të rëndësishme si: "Aleanca e Atlantikut dhe më tej", "Sfida të stabilitetit evropian", "Ndërtimi i stabilitetit ndërkombëtar", "Ku po shkon Rusia - një përpjekje e re për një rend të ri të sigurisë evropiane" etj. Në konferencë morën pjesë kryetarë shtetesh, kryeministra, ministra të Jashtëm, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hop Shefer, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropian dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Havier Solana, ministra të Mbrojtjes, zyrtarë të lartë, diplomatë, ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe opinionbërës. Gjatë pjesëmarrjes në konferencë, ministri Basha u takua dhe bisedoi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Evropian dhe përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Havier Solana, ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Daniel Fried, senatorin Xhozef Lieberman, ish-ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, ambasadoren e SHBA në NATO, Viktoria Nuland, këshilltarin diplomatik të Kancelares Merkel, Kristof Husgen, ministrin e Jashtëm japonez, Masahiko Koumura etj. Përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO në prag të Samitit të Bukureshtit, situata në rajon dhe finalizimi i pritshëm i statusit të Kosovës ishin temat kryesore të trajtuara gjatë këtyre takimeve. Gjatë takimeve, ministri Basha mori mbështetje të plotë për objektivin e Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit, si dhe vlerësime për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në fushat e sigurisë, të ekonomisë dhe politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›