Genc Ruli, kandidat favorit për postin e guvernatorit të Bankës
Ministri aktual i Bujqësisë, Genc Ruli, mësohet se është kandidati favorit për të zëvendësuar guvernatorin aktual të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në përfundim të mandatit të tij 7-vjeçar në këtë post. Burimet nga maxhoranca kanë bërë të ditur se emri i Rulit po diskutohet për t’u miratuar në vend të Fullanit. Ende nuk bëhen të qarta arsyet pse PD-ja nuk do ta mbështesë kandidaturën e Fullanit për një mandat të dytë, por ajo që dihet është se Ruli tashmë ka mbështetjen e partisë për t’u rizgjedhur në krye të institucionit më të rëndësishëm financiar. Emri i tij është lakuar edhe 7 vjet më parë, por në atë kohë lidershipi i PD-së nuk e mbështeti kandidaturën e Rulit. Ndërsa tani situata politike ka ndryshuar. Genc Ruli, me ardhjen e PD-së në pushtet, ka gati 5 vjet ministër në kabinetin qeveritar dhe nuk i mungon mbështetja për të qenë titullar i një institucioni të rëndësishëm. Por, për t’u zgjedhur në postin e guvernatorit të Bankës, Rulit dhe PD-së do t’i duhet edhe pëlqimi i Presidentit të Republikës, pasi bazuar në Kushtetutë, është ai që propozon kandidaturën e guvernatorit.
Zgjedhja
Në nenin 161 të Kushtetutës parashikohet se “Banka qendrore e shtetit është Banka e Shqipërisë. Ajo ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës shqiptare, të zbatimit të pavarur të politikës monetare dhe të mbajtjes e administrimit të rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje”, - shkruhet në Kushtetutë. Pra është kreu i shtetit ai që duhet të hedhë firmën në dekret dhe më pas ky dekret të shqyrtohet dhe të marrë pëlqimin nga Kuvendi.
Ndërkaq, Genc Ruli, tashmë njihet si një nga politikanët më të rëndësishëm në vend. Që nga viti 1992 e deri tani ai ka qenë një ndër personazhet kryesorë të politikës shqiptare. Por, veç aftësive si politikan, Ruli njihet si një ndër ekspertët më të mirë të ekonomisë. I kthyer në Partinë Demokratike ai u emërua si ministër i Ekonomisë, pra një nga ministritë më të rëndësishme në kabinet. Edhe pse Berisha bëri ndryshime të shumta kabinetesh gjatë katër viteve së qeverisë, Ruli ishte ndër ministrat e paktë që nuk lëvizi nga posti i tij. Ndërsa pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hyrjes në qeveri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ruli u emërua në krye të Ministrisë së Bujqësisë, emërim ky që la të habitur shumëkënd, pasi Ruli është një ndër figurat kyçe në PD; por edhe për shkak të profilit të tij politik, ky post dukej jo në nivelin e Genc Rulit. Megjithatë, ky emërim i Rulit duket se është i përkohshëm, pasi ai tashmë është përzgjedhur nga Berisha si kandidati më potencial i mundur për Bankën e Shqipërisë.
Posti i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë është një post mjaft i rëndësishëm. Në mbështetje të nenit 53 të Ligjit Nr. 8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", guvernatori vepron si drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë, i ngarkuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të saj dhe si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ai përgjigjet përpara Këshillit Mbikëqyrës për zbatimin e vendimeve të miratuara duke përfshirë zbatimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore, si dhe për drejtimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë. Në veçanti, i njihen kompetencat për të kryer veprimet e kërkuara ose të gjykuara si të pranueshme prej tij për administrimin ose për operacionet e Bankës së Shqipërisë.
Kushtetuta
Neni 161
1. Banka qendrore e shtetit është Banka e Shqipërisë. Ajo ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të monedhës shqiptare, të zbatimit të pavarur të politikës monetare dhe të mbajtjes e të administrimit të rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë.
2. Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Guvernatorë të mëparshëm të Bankës së Shqipërisë:
Shkëlqim Cani (gusht 1997 - tetor 2004)
Qamil Tusha (prill 1997 - gusht 1997)
Kristaq Luniku (dhjetor 1994 - prill 1997)
Dylber Vrioni (shtator 1993 - dhjetor 1994)
Ilir Hoti (maj 1992 - shtator 1993)
2 Shtator 2010