E Diel, 1 Nëntor 2026

Rustem Gjata: “Komisioni i Venecias mund të mos shprehet për hapjen e kutive”



Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata, vlerëson se Komisioni i Venecias është mbivlerësuar. “Mungesa e besimit në Gjykatën Kushtetuese do t’i habitë ekspertët ndërkombëtarë, duke rrezikuar edhe mosmarrjen në konsideratë të kërkesës për shqyrtim për fletët e votimit. Unë mund të bëj çdo lloj kërkese, por varet nga ai organ; a do ta marrë apo jo në shqyrtim. Përderisa kemi organet tona, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, ne kurrë s’do të krijojmë precedentë për të harruar këto organe. Edhe ata mund t’ia drejtojnë vetes pyetjen: Pse këta nuk i drejtohen Gjykatës Kushtetuese kur e kanë Gjykatën Kushtetuese?” - është shprehur Gjata. Gjithsesi, konstitucionalisti thotë se në situatën aktuale, kryetarja e Kuvendit do të ishte institucioni i duhur për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias. “Presidenti nuk ka motive politike t’i drejtohet, por nëse forcat politike nuk duan t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, do të ishte më mirë t’i drejtohet kryetarja e Parlamentit”, - tha Gjata. Sipas Gjatës, ankimimi drejtuar Komisionit të Venecias duhet të jetë i përgatitur me kujdes, duke përfshirë në të shkaqe të mjaftueshme për manipulime në zgjedhje.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›