E Hënë, 2 Nëntor 2026

George Soros: Jemi në kohën e shkatërrimit të pasurive

Miliarderi dhe filantropisti, George Soros ka shumë dekada që kërkon të vërtetojë se Adam Smith e ka pasur gabim – tregjet nuk janë racionalë dhe nuk mund të vetërregullohen, por kanë defekte, flluska të cilat duhet të rregullohen nga autoritetet. Tani ai beson edhe më shumë se kjo teori është e saktë. Në librin e tij të ardhshëm “Paradokset e Tregjeve Financiarë” Soros i lidh krizat financiare me teorinë e tij, e cila shpjegon flluskat e tregjeve financiarë.

Soros i cili ka pasur një vit rekord fitimesh për vitin e kaluar të vlerësuar 2.9 miliardë dollarë, ka folur për një gazetë Rana Foroohar.

Keni vite që këmbëngulni se pikëpamja e mosndërhyrjes në tregje (lissez –faire) e Greenspanit ka qenë e gabuar. A jeni të bindur?

Soros: Kam parë pamje të ndryshme të tregjeve në 20 vitet e fundit. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri më sot, ne kemi kaluar shumë flluska në tregje, të shtyra nga zhvillimi i kreditimit kur dollari ka qenë monedha bazë e rezervave ndërkombëtare. SHBA sot po ndjen si recesionin ashtu edhe fluturimin e dollarit. Shenjat janë shumë të qarta sidomos për ata të cilët i shohin. Fatkeqësisht shumë nuk i shohin këto ndryshime.

Cilat kanë karakteristikat e kësaj flluske?

Çdo flluskë ka dy komponentë – një trend që ekziston në realitet, dhe një interpretim i gabuar i këtij trendi. Të dyja këto ngjarje bashkëveprojnë për të krijuar flluskën. Trendi në dekadat e fundit ka qenë rritja e Kreditimit më shpejt se GNP (Produkti i Brendshëm Neto), si në SHBA ashtu edhe në botë. Nëse shikoni të dyja këto vija do të krijohet një vijë parabolike. Ideja e gabuar e cila ndikon në këtë trend është se tregu mund të vetërregullojë këtë flluskë. Kjo ndikon që të krijohet një cikël çrregullimesh dhe liberalizimi.

Çrregullimi ndikon si në rritjen e kreditimit ashtu edhe në besimin se tregu mund të korrigjojë vetveten.

Por në realitet, ne kemi një numër të pafund krizash financiare gjatë dy dekadave të fundit, dhe herë pas here autoriteteve u është dashur të ndalojnë për të korrigjuar gjërat.

Por si mundet të evoluojë kapitalizmi kështu?

Ne duhet të bindemi se tregjet kanë prirje të çrregullohen. Autoritetet duhet të jenë garant për sistemin, i cili krijon probleme të mëdha. Ata duhet të parandalojnë krizat. Në termat e rregullimit, përshembull, nuk është e mjaftueshme të kontrollosh ofertën monetare; por edhe shumën e kreditimit.

Po atëherë si i bëtë fitimet vitin e kaluar?

Në tregjet në zhvillim – unë kam investuar në Kinë dhe Indi, kundra vendeve të zhvilluara. Kam qëndruar larg pasurive të patundshme- kam qenë jashtë tregut për një kohë të gjatë dhe nuk isha i ambientuar me këto mekanizma.

Sa kohë kemi që jemi në krizë? A do të vazhdojë edhe për shumë?

Kriza më e madhe e likuiditetit është në kapërcim, por rënia në ekonominë reale do të ndihet akoma. Mendoj se do të ketë rënie të konsiderueshme në çmimet e shtëpive në Amerikë. Ka mundësi që ne jemi në mes të rrugës. Gjithashtu, shpenzimet e konsumatorëve janë në rënie të mëtejshme. Së treti, pritet të ketë shtrëngim në kreditimin e biznesit. Recesioni në SHBA është i pashmangshëm. Është e pamundur të bëhen parashikime financiare, por unë pres një recesion të gjatë.

A janë në gjendje tregjet në zhvillim të përfitojnë nga kjo rënie globale, dhe të rrisin likuiditetin në tregje?

Për momentin ekziston një bum mallrash, dhe kjo ndihmon tregjet në zhvillim megjithëse jo aq sa duhet. Kjo pasi tregjet në zhvillim përfaqësojnë vetëm 30% të ekonomisë botërore; tregjet e zhvilluara janë 70%. Kështu që ato nuk mund të kompensohen plotësisht. Dhe ato krijojnë edhe një problem tjetër, është presioni inflacionit i cili ndikohet nga rritja e kostove të ushqimit dhe energjisë. Kjo është një nga arsyet pse autoritetet në të gjithë botën e shohin të vështirë të përballen me krizën – ka një rënie të kombinuar me presion inflacionit. Ka autoritete që japin përgjigje të ndryshme- pikëpamja amerikane është e ndryshme nga ajo evropiane e kështu me radhë.

Për dikë që beson se është e pamundur të parashikosh tregjet, çfarë do tu thoshit? Cila është këshilla më e mirë për investitorët në tregjet aktualë?

Është një kohë që duhet të shqetësohemi dhe të mendojmë mirë. Jemi në një periudhë shkatërrimi. Kështu që duhet shumë kujdes dhe mendjemprehtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›