E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët vizitojnë minatorët: Çështja juaj, në Kuvend

Tiranë- Grupi i deputetëve të PS-së angazhohet se do të ngrejë zërin fort në Kuvend për kërkesat legjitime të minatorëve të cilët prej 14 ditësh gjenden në grevë. Deputetët e Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, Andis Harasani, Alfred Dalipi dhe Shpëtim Idrizi, vizituan sot në mesditë, grupin e minatorëve, të cilët po bëjnë këtë skarificë sublime.

Pasi dëgjuan kërkesat e tyre, të katërt deputetët premtuan se do të kërkojnë në sallën e Kuvendit që kjo çështje të marrë sa më shpejtë zgjidhje, pasi shurdhëria e qeverisë përballë këtyre kërkesave është e pafalshme.

“Minatorët kanë qënë iniciatorët e parë të prurjes së demokracisë në Shqipëri, të cilët sot ndihen të zhgënjyer, tradhtuar dhe përbuzur. Është e pafalshme, që në ditën e 14-të të grevës së urisë, asnjë qeveritar, asnjë deputet i mazhorancës të mos vijë t’i vizitojë, të bisedojë për të gjetur urat e bashkëpunimit”- tha Qemal Minxhozi.

Sekretari i sindikatës, falënderoi grupin e deputetëve socialist për mbështetjen morale që po ju japin në këto momente. “Kjo është sindikata e krijuar në janar 1991, në janarin e ftohtë të atij viti, por që më mbrapa u përdorë politikisht. Gjithë sindikatat u shkatërruan dhe neve na lindi e drejta, që përpara një viti e gjysmë, të mblidhemi prapë dhe ta krijojmë sindikatën nga e para, duke thënë dhe duke pretenduar me krenari që jemi përbërës të demokracisë shqiptare”- tha ai.

Ai ka theksuar indiferencën e maxhorancës, e cila nuk është interesuar fare për grevistët dhe ka kërkuar që ajo që bisedojë me ta për plotësimin e kërkesave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›