E Diel, 1 Nëntor 2026

Lippi: Totti-Nesta? Respektoj vendimin e tyre

Marcello Lippi kthehet në krye të kombëtares, pas dy vjetësh. “Mirë se ju gjeta. Jam shumë i lumtur që po e marr skuadrën aty ku e kisha lënë, por kjo do të thotë se për fat të keq gjërat për kombëtaren tonë nuk kanë shkuar shumë mirë. Ndryshe unë do të isha ende duke luajtur me nipin tim”. Kështu është hapur konferenca për shtyp e Marcello Lippit, që dy vjet pas suksesit në Berlin kthehet në krye të kombëtares.

Ai ka thënë se nuk do ta linte kurrë kombëtaren, më të cilën ndërtoi gjëra shumë të rëndësishme. Ka sqaruar për gazetarët se e la kombëtaren para ndeshjes me Çekinë, pasi e gjykoi se nuk mund të vazhdonte për motive që tashmë dihen.

Në këto vite pranon se janë bërë gjëra të mira. Donadoni ka futur lojtarë të rinj, që e kanë treguar veten se do të vlejnë edhe për të ardhmen.Kështu, sipas tij nuk mund të quhen dy vite të humbur. “Nuk mund të fitohet gjithmonë”- ka thënë ai.

Pse vendose të ktheheshe, nuk kishte të tjera skuadra të gatshme?

Unë e lashë kombëtaren me zemër të thyer. Për një vit nuk mendova më të stërvisja, pastaj më kanë ardhur oferta të shumta nga klube dhe kombëtare. Gjithmonë i kam refuzuar, sepse nuk mund të stërvisja asnjë skuadër, pasi kisha fituar botërorin me Italinë.

Kur u afrua evropiani, u vura në dispozicion, në rast se do të kishte nevojë për mua. Ndihesha në borxh edhe me federatën.

Çfarë shembulli mendoni se duhet ndjekur?

Nuk duhet detyrimisht të ndiqet shembulli i Spanjës. Ne kemi një grup lojtarësh, që dy vjet më parë fituan botërorin dhe duhet të vënë në balancë hyrjet e reja, por pa hedhur poshtë asnjë. Nuk do të bëhen zgjedhje për mirënjohje. Nga ai grup ka shumë lojtarë që mund të japin ende shumë në nivelin botëror. Duhet të bëjmë në këtë mënyrë një mix mes të rinjve dhe të vjetërve.

Totti e Nesta i kanë thënë lamtumirë kombëtares. Mendon t’i telefonosh për t’i ndërruar mendje?

Unë jam i bindur se duhet respektuar vendimi i të tjerëve. Në këtë rast, i dy lojtarëve që kanë dhënë shumë për kombëtaren. Kështu që nuk kam ndërmend të marr në konsideratë një rikthim të tyre, sepse ata e kanë shprehur vendimin e tyre dhe unë e respektoj. Por dua tu jap një këshillë atyre lojtarëve, që në fund të karrierës vendosin të japin lamtumirën me kombëtaren. Në vend të kësaj, më mirë të deklarojnë një lloj mirupafshim dhe jo largim përfundimtar.

Tottin e dëgjoj shpesh, por nuk kemi folir kurrë për kombëtaren dhe nuk do t’i telefonoj kurrë askujt, sepse respektoj vendimin e futbollistëve. Nëse do të më merrnin ata direkt në telefon për të më folur rreth këtij argumenti, atëherë do ta merrja në konsideratë mundësinë: më parë duhet të vlerësoj pro-të dhe kundër, më pas do të merrja një vendim…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›