Qëllohen me armë dy turistët gjermanë
Zona e Mbishkodrës vazhdon të mbetet e rrezikshme për të huajt. Dje pasdite, një çift turistësh gjermanë janë qëlluar me plumba teksa udhëtonin në aksin e thellë malor Drisht - Shllak. Për fat të mirë nga kjo ngjarje nuk ka pasur dëmtime në njerëz, por plumbat kanë shpuar gomën dhe llamarinën te pjesa e kofanës së makinës. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 14:30 minuta ku një çift të rinjsh nga Gjermania që kanë ardhur në Shqipëri kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre tip furgon në zonën e Postrribës, në rrugën e kthimit drejt Shkodrës. Ata ktheheshin nga një vizitë turistike në këtë zonë e në afërsi të fshatit Drisht janë ndalur për të ngrënë nga ushqimet që kishin me vete. Po në këtë moment, të shtëna me armë kanë bërë që ato të nisen menjëherë për udhëtim dhe pasi kanë bërë rreth 500 m rrugë kanë konstatuar se diçka nuk funksiononte në mjetin e tyre. Pasi kanë zbritur, kanë parë se rrota e përparme e mjetit ishte e shpuar nga një plumb. Të frikësuar ato kanë lënë mjetin dhe janë afruar te një shtëpi pranë rrugës ku kanë kërkuar ndihmë dhe janë strehuar. Të zotët e shtëpisë i kanë futur brenda dhe kanë njoftuar policinë. Dy të rinjtë gjermanë kanë ndenjur aty derisa një furgon i grupit të gatshëm ka ardhur dhe pasi ka komunikuar me to i ka marrë e sjellë në Shkodër. Policia ka kryer veprimet përkatëse dhe ka gjetur dy shenja plumbi tek makina dhe dy gëzhoja. Ndërkohë, ende nuk është sqaruar asgjë në lidhje me ngjarjen e ndodhur, ndërsa policia ka ngritur disa pista hetimi. Për policinë e Shkodrës nuk kemi të bëjmë me grabitje dhe dyshimi është se mos kemi të bëjmë me plumba qorr. Por hetimet e policisë vazhdojnë dhe në zonën në fjalë janë përqendruar disa forca policia për të rënë në gjurmë të autorëve. Në të njëjtën zonë, disa vite më parë tre të rinj çekë u zhdukën dhe ende nuk dihet për fatin e tyre.