E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata rrëzon arrestin e policisë

Vlerësimi i arrestit për njërin prej pengmarrësve të 20-vjeçarit Festim Gici ka përplasur dje Gjykatën e Tiranës me policinë e kryeqytetit. Gjyqtari i gatshëm, në vlerësimin e masës së sigurisë për tre pengmarrësit, ka konsideruar si të pavlefshëm arrestimin në kushtet e flagrancës, por ka vendosur masën e sigurisë burg pa afat për të tre të akuzuarit. Sipas arsyetimit të gjykatës, arrestimi i Gramoz Selmanit është bërë disa orë pasi ishte konsumuar vepra penale, madje në atë kohë pengu ishte lëshuar dhe në këtë mënyrë nuk mund të ekzistonin kushtet për arrestimin e tij në flagrancë.

Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka marrë dje në shqyrtim masat e sigurisë për Gramoz Selmanin, Bilbil Krasniqin dhe Gentian Lugën, të cilët akuzohen se pak ditë më parë kanë marrë peng shtetasin Festim Gici. Sipas akuzës pengmarrja është kryer për shkak të borxheve që viktima u kishte autorëve, të cilat mendohet se kanë ardhur nga trafiku i drogës. Prokurori i çështjes dha argumentet e tij për rrezikshmërinë e të pandehurve dhe ka kërkuar nga gjykata lënien e tyre në burg deri në përfundim të procesit hetimor. Në fakt, në bankën e të akuzuarve ka qenë vetëm Selmani, pasi ky është i vetmi nga të akuzuarit që është arritur të arrestohet nga policia, ndërsa dy bashkëpunëtorët kanë mundur të largohen dhe janë shpallur persona në kërkim. Pasi ka dëgjuar edhe fjalën e mbrojtjes, gjykatësi i gatshëm ka vendosur që të caktojë masën e sigurisë burg pa afat për të tre të akuzuarit.

Tri ditë më parë, Festim Gici u mbajt peng për rreth një orë në fshatin Brar, ku është rrahur dhe më pas është lënë i lirë. Ai kërkoi menjëherë ndihmën e policisë, e cila u vu në lëvizje, duke kapur vetëm njërin prej të akuzuarve si pengmarrës, 23-vjeçarin Gramoz Selmani. Nga hetimet e para rezultoi se konflikti kishte ardhur si rrjedhojë e borxheve të pakthyera nga Gici, të ardhura nga shitja e lëndëve narkotike. Burimet policore thanë pas ngjarjes se Gici ishte ngarkuar nga shokët e tij për të shitur një sasi lënde narkotike. Nga hetimet rezultoi se 20-vjeçari nuk e ka shitur lëndën narkotike, ndërsa miqve të tij nuk u ka kthyer as drogën dhe as paratë. Kjo gjë duket se ka irrituar shokët e tij, të cilët kanë vendosur të hakmerren. Tashmë dy prej tyre janë në arrati, të kërkuar nga policia, ndërsa i treti do të qëndrojë në burg deri në fund të procesit hetimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›