Gjinushi: Meta është pragmatist, kërkon vetëm Kryeministrin
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon vetëm postin e Kryeministrit. Ky ishte konstatimi me të cilin kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, iu drejtua simpatizantëve në Frakull të Fierit. Ai e cilësoi LSI-në, thjesht një shkëputje të Partisë Socialiste, pragmatiste, e cila ka treguar dhe po tregon se kërkon vetëm qeverisjen e izoluar, duke kërkuar vetëm postin e Kryeministrit. "Ndryshe nga kjo forcë politike, PSD-ja është një e majtë që në të gjitha zhvillimet politike në vend ka treguar qëndrimin e saj", argumentoi Gjinushi. Ai nuk ngurroi të bëjë analogji mes LSI-së dhe partisë së Lufter Xhuvelit. "Kjo e fundit ka qenë në qeverisjen e së majtës, peshkaqen i korrupsionit, ndërsa sot, vet Xhuveli, është ministri me duar të pastra. Lëvizja Socialiste për integrim, në emër të platformës anti-Nano, preferoi Berishën dhe bashkëpunimin me të", këmbënguli Gjinushi. Komuna e Frakullës është zgjedhur jo rastësisht, pasi nga aty ka nisur edhe debati i madh Nano-Meta, shumë vite më parë. "Të gjitha këto lëvizje pragmatiste, përfitojnë nga ky elektorat tejet i majtë që paraqet kjo komunë", argumentoi Gjinushi. Ai atakoi edhe lëvizjen politike të kryetarit të Komunës Frakull, Viktor Cervanakut, i cili 2 javë më parë ju bashkëngjit me një numër të madh anëtarësh, pikërisht LSI-së së Ilir Metës. Sipas tij, Cervanaku është një viktimë balliste që luan me elektoratin dhe aktor kryesor i trafikut të votave nga të majtët te të djathtët. Nga Frakulla, Gjinushi këmbënguli për një sistem elektoral dhe kod zgjedhor të ndryshuar, duke kristalizuar dhe përjashtuar forcën e tij politike nga koalicionet e fshehta. Kreu i PSD-së nënvizoi se edhe në zgjedhjet lokale të 2007-ës koalicioni i majtë është paraqitur relativisht i bashkuar, por ky bashkim ka ekzistuar vetëm mes liderëve të forcave politike në këtë koalicion dhe aspak në bazë. Duke renditur të gjitha "luftërat" mes së djathtës dhe së majtës, që pas humbjes së zgjedhjeve të 2005-ës, Gjinushi ka sulmuar shumë ashpër Kryeministrin e vendit, Sali Berishën, si dhe qeverisjen e tij. Ai gjeti rastin të rendisë në këtë kategori zgjedhjen e Presidentit, shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, KLD-në, Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit Shqiptar si dhe së fundmi, Akademinë e Shkencave. Sulmi ndaj qeverisë aktuale është kanalizuar prej Gjinushit si direkt ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, në të gjitha projektet e infrastrukturës rrugore në vend, janë shënuar abuzime të mëdha. "Kryeministri Sali Berisha diferencon rrugët në emër të patriotizmit, ashtu siç po bën me rrugën Durrës-Morinë", sqaroi Gjinushi.