Gjirokastër, digjet shtëpia-monument
Zjarri i shkaktuar nga një lojë e zakonshme fëmijësh është bërë shkak për djegien e një shtëpie karakteristike gjirokastrite në lagjen "Varrosh" dhe ka vënë në rrezik seriozisht përhapjen e zjarrit në një varg banesash të tjera monumentale të vendosura njëra pas tjetrës në këtë lagje të vjetër. Vetëm ndërhyrja në kohë, profesionale dhe e guximshme të skuadrës së zjarrfikësve gjatë zjarrit që shpërtheu në banesën e familjes Kalanderi që aktualisht jeton në emigracion bëri të mundur eliminimin e rrezikut të përhapjes së zjarrit në një kompleks banesash karakteristike të vendosura pranë banesës që pothuajse u shkrumbëzua plotësisht nga zjarri. Banorët e shtëpive përreth thanë se shkëndijat e para të zjarrit janë parë nga dëshmitarë rreth orës 15:40 dhe brenda pak minutave, zjarri ka përfshirë trarët e vjetër të çatisë dhe flaka ka përfshirë krejt banesën e pabanuar prej afro 3 vjetësh kur prej këtej është larguar për në një banesë tjetër një familje që jetonte aty me qira. Nuk kanë kaluar më shumë se 5 - 6 minuta nga njoftimi që banorët bënë në repartin e zjarrfikësve dhe skuadrat e emergjencës dhe automjeti i parë zjarrfikës ka mbërritur në vendin, ku zjarri masiv kishte përfshirë pothuajse të gjitha anekset e banesës shekullore. Skuadrat e para të shërbimit zjarrfikës kanë nisur operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Rreth 20 minuta pas fillimit të ndërhyrjes, ka mbërritur edhe një autozjarrfikëse e dytë, ndërhyrja e së cilës ka ndihmuar së tepërmi për të lokalizuar krejtësisht zjarrin. Banorët kanë raportuar në polici se ka shumë mundësi që zjarri të jetë shkaktuar nga tre fëmijë që shpeshherë frekuentonin banesën e braktisur të kalanderëve dhe një banesë të rrënuar pranë saj. Zjarri shpërtheu fillimisht në mjediset e katit të parë dhe brenda pak minutash, flakët kanë pushtuar katin e dytë dhe më pas çatinë me pllaka guri. Banorët e lagjes "Varrosh" kanë dëshmuar se në orët e mesditës, në brendësi të shtëpisë janë parë si zakonisht disa fëmijë që kishin hyrë aty pa pyetur askënd dhe luanin "kukafshehti". Zjarri është pikasur fillimisht nga një grua, Vasilika Bakalli, e cila banon përbri banesës në fjalë. Ajo dyshon se zjarri është vënë nga fëmijët që luanin dhe pinin cigare fshehurazi në brendësi të shtëpisë së braktisur. "Unë kam dëgjuar ca zëra pak para se të ndieja erën e tymit, por nuk i vura rëndësi se vazhdimisht aty luanin fëmijët. Pak më vonë kur pashë se nga dritaret e shtëpisë nisi të dilte tym i zi e i dendur, u alarmova dhe mora menjëherë në telefon repartin e zjarrfikëseve, për të njoftuar për zjarrin", tha gruaja. Edhe banorët e tjerë të Varroshit pohuan se grupe fëmijësh kanë hyrë për të luajtur dhe për të pirë cigare fshehurazi. Vëtëm mbërritja në kohë dhe ndërhyrja e vendosur e skuadrave të zjarrfikëseve, në ndihmë të të cilave janë vënë edhe forcat e policisë së rendit dhe ato të policisë bashkiake, ka mundur të vendosë nën kontroll zjarrin. Policia ka izoluar zonën dhe ka ndërprerë qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve në rrugën me kalldrëm të Varroshit, që lidh pjesën jugore moderne të qytetit me atë të zonës historike, në një diametër deri në 200 metra duke krijuar një kordon dhe duke ndaluar rreptësisht afrimin e banorëve që shqetësoheshin më tepër për mbrojtjen e banesave të tyre nga flakët e zjarrit.
Banesa e Kalanderatëve, pas fikjes së zjarrit duket e rrënuar plotësisht. Ajo mendohet se është ndërtuar në mesin e shekullit të 19, rreth 150 vjet më parë dhe ndonëse nuk rezulton të jetë në listën e banesave monument kulture i kategorisë së parë, është e kategorizuar në zonën e banesave që mbrohen nga shteti. Nga pikëpamja ndërtimore, ajo i përmbahet plotësisht stilit të banesave me tipare origjinale karakteristike të një shtëpie monumentale gjirokastrite, me mure dhe çati guri. Njerëzit e fundit që kanë banuar aty, një grua me fëmijët e saj, paguanin qira, por u larguan para tre viteve për shkak të amortizimit të plotë të shtëpisë, nga brenda dhe nga jashtë. Gjatë viteve të fundit, banesa e Kalanderatëve kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme në të gjithë elementët e saj arkitekturorë dhe ndërtimorë.