E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas shkrimit në "Shqip", Ndoka i shpëton jetën një invalidi

Rasti i ish-ushtarakut Abedin Rexha nga Tropoja me banim në Kukës përbën një eksperiencë pozitive edhe në aspektin mediatik, pasi vetëm falë publikimit në "Shqip" ai fiton mbështetjen e kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe tashmë mund t‘i mbijetojë një sëmundjeje të rrezikshme.

Gazeta "Shqip" e kapi rastin Rexha në planin e të drejtës për rimbursim që kanë njerëzit, të cilët kanë paguar sigurimin shëndetësor gjatë gjithë kohës që kanë punuar. Por për ironi të fatit, shteti me ligj i përjashton nga rimbursimi një numër personash, të cilët paraqesin sëmundje të rralla dhe që kura për to kushton relativisht shumë. Kjo dukuri trajtohet në shkrimin e datës 1 tetor 2007 të gazetës, pas të cilit pati interesim edhe nga media të tjera. Pas publikimit në gazetë të rastit dhe dukurisë "Rexha", Ministria e Shëndetësisë ka rishikuar sjelljen e vet ndaj këtij pacienti, por jo vetëm ndaj tij. Rexha tregon se më datë 27 dhjetor 2007 ka marrë një shkresë nga kabineti i ministrit Ndoka, në të cilën informohet se me urdhër të veçantë nga ministri, ai dhe dy pacientë të tjerë që paraqesin të njëjtën diagnozë do të marrin ilaçet falas. "Kisha bërë gati një fotokopje të artikullit të gazetës "Shqip" për t‘ia dërguar edhe një herë kryetarit të qeverisë, bashkë me recetat dhe përshkrimin e sëmundjes, por jeta fitoi ndaj burokracisë indiferente dhe për këtë unë ju falënderoj", thotë Abedini, duke treguar zarfin ku ka shkresën e kabinetit të ministrit për rimbursimin.

Le të kthehemi edhe një herë në retrospektivë për të parë cili ishte problemi i Abedinit. Pacienti Abedin Rexha, 55 vjeç, nga Tropoja, me banim në Kukës, vuan nga një trombozë të cilën mjekët e specifikojnë si të vështirë dhe për të cilën duhet një kurë periodike e kushtueshme. Pacienti Rexha ka derdhur gjatë gjithë kohës që ka punuar rreth 30 vjet, kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore ndërsa prej pak vitesh ai është invalid i grupit të dytë si ish-ushtarak. Pas diagnostikimeve me anë të një aparature moderne me rezonancë magnetike në Tiranë, atij i rekomandohet kurimi ambulator me medikamentin ÇNU (LUMUSTIN) 200 mg x 5 tableta për 6 seanca të caktuara. Vlera e një kapsule në farmaci, ku gjendet rrallë, është 2500 lekë të rija, ndërsa kura e pacientit kushton rreth 75-80 mijë lekë vetëm për një seancë ndërsa për 6 të tilla rreth 5 mijë dollarë. Duke mos qenë në gjendje ekonomike për ta përballuar këtë kosto, Rexha pas dy seancave kishte ndërprerë kurimin e mëtejshëm, duke rrezikuar seriozisht jetën. Për këtë ai i ishte drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me letra të njëpasnjëshme, si dhe kishte takuar personalisht ministrin Ndoka. "Askush nga nëpunësit e ministrisë nuk më kushton vëmendje, ndërsa unë po shkoj drejt vdekjes në pamundësi të blej ilaçet", tha në atë kohë Rexha për gazetën "Shqip". Ai rreshton plot fjalë mirënjohëse për mjekët e njohur të vendit, të cilët e kanë vizituar dhe që, sipas tij, kanë shprehur keqardhjen pse ilaçi që e mban në jetë nuk përfshihet në rimbursim. Ai thotë se Ndoka nuk ishte sjellë keq, por, ose ai e ka përcjellë "siç bëhet rëndom nga zyrtarë të mëdhenj e të vegjël shqiptarë, ose është i pafuqishëm të ndikojë që ilaçet e mia të rimbursohen", kishte konkluduar pacienti Rexha, i cili po shkonte drejt fundit në pamundësi për të blerë ilaçet. "Nuk merremi me raste të veçanta, shko ankohu ku të duash, aq na bën", i kishte thënë një kuadër në ISKSH muaj më herët, ndërsa kreu i këtij institucioni, as që denjonte ta priste në takim. "Askund nuk kam marrë përgjigje, kam marrë vetëm përcjellje", pat thënë atëherë. Por ja, më në fund përgjigjja i vjen dhe ai ndihet më fund i vlerësuar si anëtar kësaj shoqërie ku jeton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›