Ku banon? Nuk e di s‘kam adresë…
Dy miq të vjetër, pas shumë kohësh, u takuan rastësisht në një nga rrugët e kryeqytetit, ku ata kanë disa vite që banojnë. Pas përshëndetjeve të rastit dhe pyetësorit të njohur për familjarët i erdhi radha edhe banesës së tyre të re në metropol. "Ku e ke marrë shtëpinë", e pyet njëri, tjetrin. Përgjigjja ishte pak e sikletshme, e ngatërruar, me shpjegime të gjata dhe duar që zgjateshin sa nga veriu, nga jugu, nga lindja, nga perëndimi. I dyti përpiqet t‘i tregojë të parit: "Do hysh në rrugën Komuna e Parisit, besoj se e ke dëgjuar. Do kthehesh në të majtë, aty ku fillon një pallat jeshil. Do shohësh një market dhe aty do të marrësh rrugicën, që të çon në një pallat, që ka poshtë një rrobaqepësi. Do kthehesh në të majtë…"
E kështu, rrëfimi i vështirë tjerr ecejaken e tij për të të çuar kush e di se ku. Shpjegimi vazhdon dhe të dyja palët tundin kokën e bëjnë sikur kuptohen me njëri-tjetrin. Shtrëngojnë duart si miq të vjetër që janë, por me idenë fikse se është e kotë të planifikosh një vizitë te miku, pasi do të të duhet një ditë e tërë dhe shumë lekë të harxhuara në telefon, për t‘i gjetur shtëpinë. Zgjidhja mes njerëzve të tillë, duket se është më e favorshme, në rast se lënë një tjetër takim, në ndonjë lokal të njohur, mundësisht nga qendra.
Kjo bisedë është bërë më se e zakonshme për shumë njerëz, madje edhe për ata që quhen vendalinj apo "le e rrit m‘Tiron".
Dhe kjo, jo për faktin se Tirana na qenka një metropol kaq i madh, me kaq shumë milionë banorë, sa është vështirë të orientohesh me harta në duar, për të shkuar nga njëri vend në tjetrin. Për harta është vërtet vështirë, pasi duhet t‘i zësh derën ndonjë hoteli nga ata të shtrenjtët në bulevard, që të mund të gjesh të tilla, por për adresat nuk ke shpresë fare.
Edhe pse ka vite që flitet për një sistem të ri adresash apo për çeljen e zyrave të informacionit për to, sërish të gjithë pyesim se ku është, nga bie, si shkohet. Dhe gjendja bëhet krejt e pazgjidhshme sidomos në zonat e reja informale, që jo vetëm e rrethojnë kryeqytetin, si jo më mirë, por edhe janë ngulur në zonat e brendshme të tij.
Postierët janë quajtur gjithmonë, njohësit më të mirë, madje edhe të rrugicave me kthesa. Por çfarë ndodh? Dikur, me çanta të mëdha të zeza, në pjesën më të madhe të rasteve, shpërndaheshin letrat-zarfe, që në njërën anë mbanin në mënyrë korrekte dhe lehtësisht të lexueshme adresën e destinacionit.
Numri i letrave, që njerëzit i dërgojnë njëri-tjetrit në ditët tona për hir të së vërtetës nuk është më aq i madh. Këtë e pohojnë edhe vetë punonjësit e postës, që thonë se "ngarkesa ka rënë". Për ta puna rëndohet sidomos gjatë festave të fundvitit, ku njerëzit priren të dërgojnë më së shumti kartolina urimi. "Dixhitalizimi i informacioneve, përhapja e kompjuterëve, internetit dhe rrjedhimisht adresave të e-mail-it ka bërë që shumë njerëz të preferojnë mënyrat e shpejta dhe jo ato tradicionale të dërgimit të porosive apo mesazheve", shprehet njëra prej punonjëseve të zyrës postare në kryeqytet. Shtoi kësaj edhe dëshirën e shfrenuar për të përdorur celularët dhe, ditë më të mira kanë ardhur edhe për postierët. Por, mungesa e një sistemi të saktë të adresave për të gjithë territorin në shumë raste i lë edhe ata indiferentë ndaj punës së përditshme. "Këta qeveritarët po na lënë pa drita e pa ujë, e s‘po i gjen asgjë. Ǒu bë për një letër që nuk shkon në vend", shprehet njëri prej "armatës së çarmatosur" të postierëve. Diku rastis vërtet, që një postiere e lodhur nga ecejaket e ditës vendos që një letër-kartolinë me destinacion Bregun e Lumit (por vetëm kaq) të mos e shoh si një mesazh edhe aq të rëndësishëm. "Epo kartolinë është, a ja vlen deri te Bregu i Lumit. Pastaj ku ta gjej unë këtë filanin në atë gjullurdi që bëhet andej", shprehet pa keqardhje dhe e heq letër-kartolinën mënjanë, duke lënë krejt të habitura dëgjueset më të afërta pranë saj.
Më rehat në gjithë këtë katrahurë adresash duket se janë vetëm institucionet zyrtare shqiptare dhe ato ndërkombëtare me qendër në kryeqytet. Në pjesën më të madhe të rasteve këto institucione kanë korrierët e tyre për shkresa dhe dokumente, e ndonjëherë këtë rol e luajnë edhe ata që punojnë në zyrat e protokollit, apo shoferët e njërit apo tjetrit titullar. Adresat e tyre në kryeqytet janë të fiksuara si pasojë e sistemit të vjetër dhe fatit për të qenë "aty ku bie maja e kompasit", në zona të rëndësishme dhe shumë të njohura. Mjafton të thuash bulevardi "Dëshmorët e Kombit" dhe menjëherë fillon Kryeministria, Kryesia e Kuvendit, Ministria e Brendshme etj. Është kjo e fundit (jo për nga rëndësia) ajo që detyrohet me ligj të hartojë dhe të vërë në zbatim sistemin e ri të adresave. Drejtuesit e pushtetit vendor në varësi të Ministrisë së Brendshme shprehen se projekti ka filluar dhe financohet nga të huajt, nga OSBE dhe Banka Botërore. Ata shtojnë se përveç sistemit të adresave do të ndreqet një herë e mirë dhe kompjuterizimi i zyrave të gjendjes civile. "Janë procese që po ecin paralelisht", pohojnë përfaqësuesit zyrtar. Të shpresojmë, që kur të shkojmë për një certifikatë të mos kthehemi më nga rruga, pasi emri është shkruar gabim me dorë, nga punonjëset e mbingarkuara, mes radhëve të gjata e të zhurmshme.
Dy projektet për adresat dhe gjendjet civile kanë një afat dy-vjeçar dhe nga zyrtarët shqiptarë është premtuar që të realizohet në kohë. Sipas llogarive i bie që nga 2009 edhe mund të marrim vesh se ku banojmë dhe këtë t‘ua themi edhe të tjerëve, njerëzve të njohur, që ndonjëherë të mund të na e gjejnë derën, për të na pirë një kafe në shtëpi. A. Rrushi
Projekti
BE financon me 2.5 milionë euro adresat shqiptare
Projekti i modernizimit të sistemit të adresave dhe të gjendjes civile financohet me 2.5 milionë euro nga Programi CARDS i Bashkimit Evropian. Një mbështetje shtesë do të bëhet e mundur përmes ndihmës nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, si dhe me suportin e Këshillit të Evropës dhe të Zyrës së Statistikave të Norvegjisë. Projekti do të vihet në jetë nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me KE-në dhe Ministrinë e Brendshme. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare kanë vlerësuar se "deri më sot Shqipëria nuk ka pasur një sistem të besueshëm të adresave administrative dhe të gjendjes civile". Projekti ka filluar në shkurt të 2007-ës dhe pritet të përfundojë më 31 tetor 2009. Projekti "për zbatimin e sistemit kombëtar të adresave administrative në Shqipëri" premtohet se do të realizohet sipas modelit holandez. Për realizimin e tij është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes institucioneve financuese dhe Ministrisë së Brendshme shqiptare.