Dy histori me mësues
Duhet të ketë qenë pranvera e vitit 1992, kur po afronte fundi i atij viti shkollor. Në atë kohë ishte rregull që një nxënës të bënte dezhurn në hollin kryesor të shkollës dhe të tundte zilen sa herë fillonte e mbaronte ora e mësimit.
Atë ditë maji e kisha unë fatin e madh të zija vend në një tavolinë pranë derës kryesore të shkollës dhe të luaja me këmborën e çuditshme prej bakri.
Gëzimi ishte i madh, sepse do të mund të hiqja qafe orën e muzikës. Jo se lënda ishte e vështirë, apo nuk ishte interesante, por kishim një mësues që e bënte mësimin të frikshëm.
Ky ishte mësues Piloja, një burrë i gjatë, që më ka mbetur në kujtesë me pardesy ngjyrë bezhë, me një çantë të vogël me lëkurë të rrjepur dhe një shkop të shkurtër, që e vendoste përherë mbi çantë kur fillonte mësimin.
Ky shkop përdorej për të shpjeguar mësimin në dërrasë të zezë, për të dirigjuar klasën kur këndohej në kor, si dhe për të gjakosur gishtat e atyre që bezdisnin mësuesin.
Mësues Piloja i jepte fytyrës ca trajta të çuditshme kur merrte në dorë ndonjë nxënës dhe nuk e lëshonte deri sa ky të shtrihej përtokë. Ishte vërtet i frikshëm.
Me sa arrita të kuptoj më vonë, mësues Piloja nuk kishte qenë shumë simpatik as për kolegët e tij. Zakonisht, gjatë orëve të pushimit, ai rrinte vetëm.
Tamam në një nga këto orët e pushimit ndodhi diçka që më bëri të ndiej për herë të parë respekt për këtë mësues, i cili më mbeti më tej në kujtesë si njeri i mirë.
Isha dezhurn atë ditë dhe isha kapardisur në atë tavolinën te dera e shkollës. Nuk e vura re kur mësuesi i frikshëm u afrua dhe u tremba kur më vuri pëllëmbën mbi kokë. Më pyeti për tim atë dhe më bëri të fala për të. Më pyeti se si shkoja me mësimet në lëndët e tjera, me një thjeshtësi që më tronditi. U llafos me mua derisa ra zilja për mbarimin e asaj ore.
Pastaj aty në holl u mblodhën të gjithë mësuesit e shkollës dhe nisën të përqafoheshin me Pilon. Ai u kthye edhe njëherë te tavolina ku isha unë, më shpupuriti flokët dhe unë vura re se i kishte sytë të përlotur. Kur doli, të gjithë mësuesit e përcollën deri te dera e jashtme e shkollës.
Mësues Piloja kishte dalë në pension. Kishte filluar punën e mësuesit kur ishte 18 vjeç, sapo kishte përfunduar shkollën e mesme të muzikës dhe tani po largohej me 37 vite punë mbi shpatulla.
Mendova se duhet të kishte pasur flokë kur hyri për herë të parë në shkollën tonë. Im atë më konfirmoi atë mbrëmje se Piloja kishte qenë kaçurrel në të ri.
Nuk do ta kisha kujtuar ndonjëherë këtë ngjarje dhe nuk do ta kisha marrë mundimin t‘ju tregoja këto ndjesi intime, nëse para disa ditësh nuk do të dëgjoja një histori tjetër.
Ngjarja e parë ka ndodhur në Ballsh, këtu e 16 vjet të shkuara. E dyta ndodhi më 7 janar të këtij viti, në Fushë-Krujë.
Personazhi tjetër është mësuese Midja (shkurtim i emrit Hamide), që siç më thanë, nuk ishte tip i pashoqërueshëm, madje edhe nxënësit e donin.
Mësuese Midja e kishte mbushur moshën e pensionit në dhjetor të 2007-ës, por kishte kërkuar nga drejtuesit e shkollës që të vazhdonte punën deri në fund të vitit shkollor. Këtë kërkesë e kishin mbështetur edhe disa prindër të nxënësve të klasës së katërt dhe ishte arritur një marrëveshje që kështu të bëhej.
Por, më 7 janar, kur mësuesja jonë hyri në klasë, gjeti aty një tjetër mësuese. Drejtuesit e shkollës i sqaruan se tashmë nuk ishte më mësuese, ndaj duhet të bënte dorëzimet te pasardhësja e të kthehej në shtëpi. Ia përplasën derën në fytyrë pas 37 viteve punë.
Pasi u sqarua në të gjitha zyrat e mundshme dhe mori të njëjtën përgjigje, mësuese Midja u kthye edhe një herë në klasën e saj, të përshëndeste nxënësit, të cilëve u kishte mësuar ABC-në.
Kur e panë përsëri mësuesen, nxënësit kërcyen si të çmendur nga bankat. E rrethuan, i morën çantën e shallin dhe ia fshehën: "Nuk të lëmë të ikësh", i thanë duke qarë. Mësueses iu desh t‘i gënjente e t‘u thoshte se do të kthehej përsëri, që nxënësit t‘ia kthenin sendet e saj.
Të nesërmen, kur mësuese Midja nuk u duk më në shkollë, fëmijët organizuan një protestë të vogël, sepse kanë parë në televizor se kështu veprohet kur të bëhet padrejtësi. Ditën tjetër, disa nga nxënësit nuk pranuan të shkonin në shkollë, por më pas u detyruan nga prindërit të vazhdonin mësimin.
Shkolla e Fushë-Krujës po i kthehet pak nga pak normalitetit dhe deri në fund të vitit nxënësit nuk do ta urrejnë më mësuesen e re. Edhe mësuese Midja nuk do t‘i mbajë mëri gruas së re që e zëvendësoi. Në fund të fundit, papunësia është hall i madh dhe dalja e saj në pension shërbeu për t‘ia hequr këtë hall dikujt.
Por mësuesja me 37 vjet punë nuk do të mund ta harrojë kurrë ditën e fundit në shkollë dhe nuk do të mund t‘i falë kurrë ata që ia bënë këtë dhuratë.
Pensioni që do të marrë nuk e justifikon sakrificën e bërë në gati 4 dekada, sikundër nuk e justifikonte rroga që merrte deri dje. Një falënderim me fjalë dhe një përcjellje normale, si ajo e mësues Pilos, do t‘ia kishte bërë më të lehtë largimin nga puna. Nga ana tjetër, askush nuk do të vdiste për bukë, nëse zëvendësimi i mësueses që mbushi moshën e pensionit do të bëhej disa muaj më vonë.
Edhe unë nuk do t‘ju lodhja me përsiatjet e mia, nëse në këtë vend puna do të respektohej pak më shumë.