Kush e fyen festën e Policisë së Shtetit?
Pikërisht para një viti, po në të njëjtën datë, 13 Janar 2007, një kolegu im, kryekomisar (natyrisht i papunë), një nga personalitetet më të spikatura të Policisë së Shtetit, me kërkon në telefon dhe më fton për kafe. Sapo i dhashë dorën, qartësisht vura re se ishte tejet i shqetësuar. Çfarë ke i thashë, i alarmuar njëkohësisht, pasi sytë kishin filluar t‘i njomeshin nga lotët? Kurrë nuk e kisha parë aq të trishtuar këtë njeri që për vite të tëra kishte shërbyer si oficer i lartë i policisë, kishte kaluar me qindra sprova të vështira, por nuk ishte parë ndonjëherë kaq i dëshpëruar. Ai ishte pasqyra dhe modeli ku shikoheshim dhe mundoheshim të imitonim, shumë nga oficerët e brezit tim më të ri. Aq i ndershëm dhe i përkushtuar kishte qenë ky njeri të cilin edhe sot e adhuroj, bile edhe kur shansi me solli që nga vartës i tij të isha dhe epror, unë kurrë nuk guxova ta thirrja në emër, por vetëm : Zoti Shef! Pjerin- më tha- A e di se sot është 13 Janari, festa e policisë? Po, - i thashë - e di mirë, pasi e kemi festuar çdo vit. A e di - më tha - se sot jam ngritur që herët në mëngjes me mallin e festës sonë, u vesha dhe dola nga shtëpia, këmbët më drejtuan në mënyrë të pavetëdijshme drejt sallës ku zhvillohej festa e policisë? Te hyrja pashë shumë policë që po hynin brenda, por shumë pak njihja. U ftillova se nuk më kishte ftuar njeri. Gati qava. Por u largova menjëherë i brengosur, i stresuar, jo vetëm se pashë shumë policë që nuk i njihja, por edhe ato që njihja dhe kisha punuar me ta, bënë sikur nuk më panë. Unë doja të isha në atë festë -më tha -se ajo është e jona, edhe ti duhej të ishe, edhe të tjerët e kanë vendin në atë festë, pavarësisht se janë të papunë.
E bëra këtë rrëfim të jetuar dhe me dhembjen për kolegun tim, për veten dhe për qindra punonjës të tjerë policie të papunë tashmë, për ata që kanë bërë historinë e policisë, për ata që kanë sakrifikuar jetën dhe që ishin shokët tanë, për të gjithë ata që u rraskapitën në luftë kundër krimit, për ata që nuk punojnë më në polici për shkak të pseudoreformave të binomit politikë-krim. Këta njerëz janë të papunë për shkak të sukseseve kundër krimit dhe jo për ndonjë gjë tjetër. Janë pikërisht ata që ishin dje në sallën e Akademisë së Arteve, pra policët që e krijuan, e zhvilluan, përsosën dhe integruan Policinë e Shtetit ndër vite, por që nuk ftohen në festën e tyre. Kjo është një dramë që ndodh në këtë vend ku pretendon për demokraci, por fatalisht duke promovuar antivlerat, me atentat ndaj vlerave.
Dje ishte përsëri 13 Janari, 95-vjetori i Policisë së Shtetit. Përsëri e njëjta tablo e zymtë dhe armiqësore. Asnjë nga kolegët e mi, tashmë në reformë nuk ishin ftuar në asnjë komisariat, ndonjë drejtori qarku apo në Drejtorinë e Përgjithshme. I telefonova Bilbil Memës, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Nuk më ka ftuar njeri - më tha. As Bajram Yzeirin, Fadil Canajn, Avni Gurrën, Pandeli Tacin, Sabri Jacen, Bardhyl Kacorrin, Artan Didin, Veli Myftarin, Pashk Tushën etj, etj nuk i kishte ftuar njeri. Po kush janë këta që guxojnë të grabisin festën tonë? Me cilin moral ndotin festën e atyre që bënë historinë në Policinë e Shtetit?
-Janë politikanët ata që në imoralitet të plotë nuk dinë se policia nuk ka filluar e nuk mbaron me ardhjen e tyre aty. Këta njerëz të ngushtë nuk kanë kurajë të ftojnë as ish-kolegët e tyre, ish-ministra. Në 2003-in të gjithë ishin të ftuar, pavarësisht nga spektri politik që i përkisnin. Ishim atëherë në darkë, Bashkim Kopliku, Agron Musaraj, Ali Kazazi, Halit Shamata, Stefan Cipa etj., të gjithë bashkë. Niveli politik që drejton sot është dhe do të jetë debitor ndaj oficerëve të karrierës jo vetëm për fyerjen që ju bënë duke ju ulur gradat dhe flakur jashtë policisë, por dhe për mohimin e festës që ju takon atyre dhe askujt tjetër. Këta njerëz të ngushtë kanë marrë peng profesionalizmin policor, duke e futur në ca hulli që as vetë nuk dinë t‘i shpjegojnë. Kjo politikë fyen festën e policisë, fyen vetveten dhe shqiptarët, duke harruar qëllimisht ata që e ndërtuan dhe sakrifikuan më shumë që këta kaposhë të trullosur nga pastërmaja e dhisë dhe rakia e manit të kapërdisen si shpëtimtarë. Armiqësia që mbjellin ndërmjet brezave të policisë, politizimi i tejskajshëm, shkatërrimi i profesionalizmit dhe promovimi në karrierë i atyre që vidhnin zyrat e Kryeministrisë apo digjnin makinat e policisë është vrasëse për ato vetë ashtu siç historia i ka dënuar duke ju dhënë dekoratën e turpit të përçarjes, të superkorruptimit të policisë dhe mosintegrimit të vendit.
-Janë klanet e krimit të organizuar që kanë suportuar viagrimin e karrierës politike dhe policore të pamerituar pikërisht në institucionin më të rëndësishëm të administratës së shtetit, pra policisë. Fatura që duhej të paguhej ndaj tyre (klaneve të krimit) ishte eliminimi i të gjitha pengesave që vinin nga oficerët e karrierës, te cilët për shkak se dinin shumë, duhej të nxirreshin nga radhët e policisë, të zëvendësoheshin me militantë injorantë, duke qetësuar dhe siguruar aktivitetin kriminal të tyre. Asnjë nga oficerët e dalë në reformë nuk ka ndonjë penalizim nga ligji, ndërsa ata që drejtuan reformën janë pjesë e krimit të organizuar lëre mos të përmendim ata që i zëvendësuan se historia ndotet keq. Dje, në Akademinë e Arteve, mosha mesatare ishte më e ulët se ajo e paradës politike të Policisë së Shtetit. Pashë djem të rinj, shumë të rinj, pashë vajza të reja, vetëm me dy vjet punë, bile edhe të paemëruara akoma dhe m‘u kujtuan drejtorë policie e shefa komisariati, oficerë të rangjeve të ndryshme, sot në detyrë port e edukuar si zooteknike, agronom, mësues, xhenerikë, hidraulikë, elektricistë. Pashë dhe Kryeministrin që ngazëllehej me armatën e sipërpërmendur, kujtova kolegët e mi në Akademinë e Arteve dhe ndjeva një trishtim për moralin e luftës antikrim, për sigurinë e qytetarëve dhe ëndrrën drejt Evropës. Prandaj nuk kanë se si të bëjnë festën më ne, sepse nuk mund të rrinë bashkë dhe sy për sy me ish-oficerët e karrierës. Por ne e bëmë vetë festën se është e jona dhe jo e tyre. Ne jemi policët e vërtetë.
-Janë një kastë e depersonalizuar e kolegëve tanë që kanë mbetur dhe diku edhe drejtojnë. Ata jo vetëm që nuk dinë të ftojnë shokët e tyre kolegë, por nuk kanë as mirësinë të bëjnë një telefon solidariteti profesional dhe të na urojnë, pavarësisht se nuk kanë shpatulla që të dinë të respektojnë ish-kolegët e tyre. Jam i shokuar nga qëndrimi banal dhe pa moral. Si është e mundur që një drejtues policie të mos ftojë në festën e policisë ish-drejtorët paraardhës !!? Sa për të mëshiruar janë bërë dhe sa me pa moral e mbajnë karrigen. Por jemi shokët tuaj ore, jemi shkolluar bashkë, jemi rritur bashkë në polici dhe po bashkë kemi rrezikuar në luftë kundër krimit. Unë e di se politika nuk ju lë të qetë, por mos harroni se janë ata politikanë që qurraviten në funeralët e kolegëve tanë kur vetë i kanë gatuar rrethanat e vrasjes së tyre me mostabilitetin politik, ekonomik dhe bashkëpunimin me krimin. Nëse e keni harruar se jemi pjesëtarë të familjes sonë policore dhe nuk keni kurajën të jeni dinjitozë, atëherë, zoti ju dhëntë shëndet se për ne jeni inekzistent dhe konvertuar pjesë e të pamoralshmes. Por ne as për ju nuk kemi nevojë së festen e bëmë vetë se jemi më policë se ju dhe më të moralshëm se ju dhe agallarët tuaj. Ju të gjithë aktorët e pamoralshëm (politikanë, krimi i organizuar dhe ish-kolegë të depersonalizuar) që ju përmenda më sipër keni fyer rëndë jo ne, por festën e Policisë së Shtetit dhe saga juaj nuk ka se si të prodhojë gjëra të mira, por vetëm të shëmtuara si ajo që bëtë.