Ndërtimi i Unazës së madhe dhe të vogël fillon këtë vit
Në vitin 2008 infrastruktura kryeqytetase do të pasurohet edhe me fillimin e punimeve të Unazës së madhe dhe asaj të vogël. Një premtim i tillë është bërë dje nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë inspektimit të punimeve të kryera për sistemimin e rrugës Sami Frashëri. "Unë jam shumë besimplotë që me planin e këtij viti ne do të bëjmë një hop të madh sasior, por edhe cilësor, në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës së kryeqytetit, e cila tashmë është në fazën kur kërkon mjaft segmente lidhëse mes akseve kryesore që kemi pothuajse përfunduar dhe njëkohësisht kërkon edhe hapjen e akseve të reja strategjike siç është Unaza e Madhe apo edhe Unaza e Vogël e Qendrës, që unë kam shpresë se mund të jenë dy vepra të cilat mund të nisin që këtë vit", tha Rama. Sipas tij, në rastin e Unazës së madhe, fillimi i punimeve këtë vit është thuajse i sigurt, sepse edhe negocimi për financimin e saj po përfundon dhe është marrë aprovimi në parim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërkohë që kanë filluar edhe procedurat e shpronësimeve. "Po kështu, ka shtuar ai, jemi në proces për të bërë të njëjtën gjë edhe për Unazën e vogël". Në projektet e planifikuara këtë vit për investime infrastrukturore janë 12 rrugë kryeqytetase kryesore dhe dytësore që do të vishen nga ana e Bashkisë së Tiranës përmes vijimit të projektit "Sistemim, asfaltime për vitin 2008". Përmirësimi i shtresave asfaltike të këtyre 12 rrugëve kryeqytetase do të kushtojë rreth 93000000 lekë. Shtresat asfaltike ekzistuese të tyre janë të dëmtuara dhe me plasaritje, pasi këto rrugë përballojnë një pjesë të konsiderueshme të trafikut. Në këtë kuadër u realizua edhe asfaltimi i rrugës Sami Frashëri (segmenti nga bulevardi "Bajram Curri" - sheshi "Ëillson". Gjatë inspektimit të punimeve të realizuara në këtë aks rrugor, kryebashkiaku Rama theksoi: "Kjo rrugë është pjesë e një projekti rikonstruksionesh të bëra në kryeqytet, në segmente të ndryshme, brenda blloqeve të mëdha të banimit. Zgjodhëm të përurojmë këtë rrugë, si pjesë e këtij projekti dhe si aksin më domethënës dhe përfaqësues të këtij projekti". Rama garantoi se "për vitin që sapo ka filluar ne kemi në plan një numër të konsiderueshëm kantieresh të reja dhe investimesh, që nga ato strategjike deri tek ato që do të garantojnë një cilësi jete në komunitete të vogla, në blloqet e banimit".
Ky projekt për rindërtimin e një sërë segmentesh në Tiranë, lidhet dhe me faktin se aty nuk ka probleme me kanalizimet, me Ujësjellësin apo me KESH-in. Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës "Sami Frashëri" ka kushtuar 13.500.000 lekë nga të ardhurat e bashkisë. Sipërfaqja e rrugës që trajtohet në këtë objekt është 6000 m2.