E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi, deputetëve u merren shenjat e gishtave

"Voto pak për mua se jam në kafe". Apo "Të lutem ma fut pak kartën time se jam bllokuar në trafik". Këto dy fjali shabllone të përdorura rëndom nga deputetët, do të zhduken nga fjalori pikërisht falë sistemit të ri elektronik të votimit, i cili do të praktikohen që në seancën e parë për këtë vit, atë të 21 janarit. Sistemi i ri, sipas drejtuesve të Kuvendit, është mjaft i sofistikuar dhe bashkëkohor, do t‘u japë fund njëherë e mirë abuzimeve që janë bërë deri më tani, pasi dhe masat e sigurisë do të jenë më të mëdha. Sipas procedurave, të 140 parlamentarët do të paraqiten në zyrën teknike të Kuvendit ku në një skaner të posaçëm do të vendosin shenjat e gishtave, të cilat pastaj do të instalohen dhe në aparatin personal që deputetët do të kenë në tryezën e punës. Sistemi i ri nuk do të njohë asnjë komandë tjetër përveç kartës së deputetit që ka emrin në atë vend dhe që emri i tij përkon me shenjat e gishtave. Aparatura e re ka të instaluar sistemin e përkthimit simultan, dhe kjo do të përdoret më shumë kur në sallën e Kuvendit përshëndesin apo mbajnë fjalime politikanë të huaj. Gjithsecili deputet do të ketë para tij një sistem kompjuterik ku do të paraqiten të dhënat kryesore për seancën parlamentare, të dhëna të cilat do të shfaqen edhe në dy tabelat e mëdha elektronike që janë të vendosura në krye të sallës së Parlamentit. Gjithashtu, ky sistem bën të mundur instalimin e kamerave në sallën e Kuvendit, ku do të incizohet dhe filmohet gjithçka, materiale të cilat do të shërbejnë dhe për regjistrimin e seancave, të cilat më pas zbardhen nga stafi i Kuvendit për të hartuar procesverbalet e seancave përkatëse. Burime pranë Kuvendit bënë të ditur për gazetën "Shqip" se ky sistem ka kushtuar gjithsej 290 mijë euro dhe është instaluar nga firma "Eurel Group". Kjo firmë, sipas burimeve pranë Kuvendit, ka instaluar edhe sistemin elektronik në Parlamentin Evropian. Po këto burime bëjnë të ditur se përzgjedhja e firmës është bërë nga tenderi ndërkombëtar, ku kanë marrë pjesë mjaft firma të mëdha dhe sipas tyre është zgjedhur më e mira. Sistemi i ri do të jetë gati në seancën e 21 janarit për t‘u dhënë fund abuzimeve dhe debateve të shumta që kanë ndodhur vitet e fundit për mënyrën e votimit. Pasi nga eksperiencat e deri më tanishme shqiptarët, por dhe vetë politikanët janë dëshmitarë të mjaft rasteve kur projektligje dhe vendime të rëndësishme kanë hyrë në fuqi pavarësisht se në sallën e Kuvendit nuk kanë qenë prezent kuorumi i nevojshëm për miratimin e tyre. Por falë "dredhive" dhe shkathtësisë së deputetëve është votuar edhe për shokun, duke e kryer kështu më së miri urdhrin e marrë për ta kaluar me pa tjetër një ligj apo për të marrë një vendim. Tashmë na mbetet veçse të presim dhe të shohim sesa efikas është sistemi i ri elektronik i vendosur në sallën e Kuvendit që ka kushtuar mijëra euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›