Kuvendi, sistem me kamera vëzhgimi për mbledhjet e komisioneve
Sistemi i ri elektronik që është instaluar në sallën e Kuvendit
është bërë edhe në ndërtesën e Kryesisë ku zhvillohen mbledhjet e komisioneve parlamentare. Sipas kësaj teknologjie, punimet e komisioneve do të regjistrohen me zë edhe figurë, ndërkohë që mediat do të ndjekin nga salla e posaçme për gazetarët. Vetë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka premtuar se për gazetarët, të cilët ndjekin nga afër punën e Kuvendit do t‘u krijohen kushte më të mira pune. Për gazetarët, Topalli ka premtuar se do të krijohet një ambient i ri ku ata do të kenë mundësi të ndjekin mbledhjet e komisioneve parlamentare. Kjo, sipas Topallit, bëhet për të lehtësuar punën e deputetëve që punojnë nëpër komisione me gazetarët mbi kokë dhe të vetë mediave, që duhet të shtyhen dhe të shtrëngohen në ambientet e vogla të zyrave të komisioneve ku shpeshherë prezenca e njerëzve brenda i kalon 30 persona. Topalli ka urdhëruar krijimin e një salle të madhe për mediat në të cilën do të jenë të instaluara sisteme audio dhe video. Mësohet se deri më tani me këto sisteme janë pajisur dy komisione, ai i Ligjeve dhe i Ekonomisë, komisione të cilat janë edhe më të ndjekura nga gazetarët. Ndërsa për dy komisione të tjera atë të Sigurisë Kombëtare dhe të Veprimtarisë Prodhuese është instaluar vetëm sistemi audio. Burime pranë Kuvendit bënë të ditur se shumë shpejt kjo sallë do të jetë gati për gazetarët. Këto premtime janë bërë para disa muajsh nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi informal me reporterët e Kuvendit. Aktualisht, Parlamenti ka tetë komisione parlamentare të përhershme, katër prej të cilave ende nuk janë ristrukturuar plotësisht për t‘u lidhur me sallën që do të vihet në dispozicion të gazetarëve. Strategjia e krijimit të një ambienti për gazetarët është e re në institucionet tona dhe aktualisht po vihet në zbatim vetëm nga Kuvendi. Kjo, sipas Topallit, është një praktikë që njihet në vendet evropiane dhe ka rezultuar një eksperiencë pozitive. Ndaj është ndjekur si shembull edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Aktualisht, vlen për të theksuar se Kryetarja e Kuvendit është e vetmja që ka menduar realisht për mediat, duke ndihmuar në krijimin e kushteve të punës së tyre dhe kjo sipas saj është bërë për të ndihmuar sado pak në përcjelljen e lajmin në kohë rekord. Por, me gjithë dëshirën e mirë dhe premtimin e Topallit të bërë gati një vit më parë, gazetarët ende nuk i kanë shijuar ambientet e reja të vëna në dispozicion për ta. Premtim i cili pritet të vihet në zbatim këtë sesion dhe kjo bëhet e ditur nga burime pranë Kuvendit.