Gjuha shqipe, referendum për të ndryshuar standardin
Këtë vit, shqiptarët festojnë 100-vjetorin e vendosjes së alfabetit. Por përkujtojnë edhe ditëlindjen e babait të gjuhës Eqrem Çabej. Dy evente shekullore që përkojnë pas një shekulli me krijimin e një shteti të ri që flet shqip, Kosovës. Çfarë ka ndodhur me gjuhën tonë që nga vendosja e analfabetit latin në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe çfarë do të ndodhë me gjuhën këtë shekull. Shezai Rrokaj, gjuhëtar i albanologjisë dhe tashmë dekan i Fakultetit të Historisë së Filologjisë flet për prirjet e reja dhe shkaktarët që po ndërhyjnë në gjuhë. A ka nevojë për ridimensionim dhe cila është situata që do ballafaqohemi me Kosovën e pavarur. Janë disa nga pyetjet që u jep përgjigje Rrokaj në një intervistë të gjatë për "Shqip". Edhe pse nuk i vajtëm në zyrë apo në katedrën e gjuhës, Rrokaj flet me argumente shkencore për albanologjinë dhe jep mendimin e tij për nismat që duhen marrë kur janë të nevojshme ndryshimet.
Cilat janë nismat që do të merrni për studime në fushën e albanologjisë apo aktivitete të tjera në këtë fushë tashmë që drejtoni fakultetin ku mësohet gjuha standarde shqipe?
Një i sapozgjedhur dekan ka një sërë nismash në vizionin e tij që kanë të bëjnë me orientin shkencor të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Orientim shkencor, kurrikular dhe infrastrukturor. Në prizmin shkencor, fakulteti ynë është qendra e albanologjisë. Ne kemi para dy ngjarje kulmore, Kongresin e Manastirit dhe 100-vjetorin e lindjes së prof. Eqrem Çabejt. Unë para disa ditësh kam zhvilluar takime me homologët në troje për ta ngritur këtë monument të rilindjes së shtetit shqiptar siç është Kongresi i Manastirit në piedestalin që meriton. Do të ketë një aktivitet të madh në këtë ditë që do të organizohet nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Të mos harrojmë shqiptarët, që në 1908 ata ndiheshin përballë dilemës së zgjedhjes së alfabetit të tyre. Arab, cirilik apo latin? Rilindësit e shtetit modern shqiptar bënë zgjedhjen e duhur. Kemi një alfabet latin. Nuk di ç‘kuptim do të kishte sot përpjekja e kosovarëve për pavarësi nëse do të kishim një alfabet tjetër. Gjërat madhështohen në kohë. Nuk ua dimë vlerën në momentin kur ndodhin. Kongresi i Manastirit është momenti më i madh, edhe para atij të Pavarësisë aty fillon pavarësia e shqiptarëve.
Ngjarje të tjera të rëndësishme që kanë "ndryshuar" shqipen, cilat janë dhe si kujtohen sot?
Është e vërtetë se ngjarjet janë të nevojshme për të përcaktuar faza të ndryshme të zhvillimit të një dukurie edhe kur ato bëhen përmes konferencave siç është ajo e 1972-it. Konferenca albanologjike e drejtshkrimit ato të tjerat më shumë të orientuara në Universitetin e Prishtinës ku debatohen çështje të mëdha të gjuhës shqipe. Është e nevojshme të rrahin mendime rreth zhvillimit të një dukurie siç është gjuha historia etj., për të bërë bilance për të parë prirjet. Shpesh mendoj se nuk shpëtojmë dot nga roli i atyre që japin receta se si duhet të bëhet se si duhet të jetë gjuha. Gjuhëtarët as nuk bëjnë gjuhë as nuk përcaktojnë se ku duhet të shkojnë gjuhët. Gjuhën e bën populli e flet populli. Shansi i gjuhëtarëve është të shikojnë prirjet e zhvillimit të saj. Duhet të hiqet dorë nga mënyra urdhëruese, sepse përveçse mund të realizohen shkrime të caktuara nuk mund të fitohet tjetër gjë. Gjuha shqipe nuk ndryshon me deklarata, ajo nuk ndryshoi kur s‘kishte strukturë për ta mbajtur, kur ishte pa shtet pa akademi. Gjuha është identiteti i popullit është shpirti i tij. Kështu që nuk duhet parë gjuha sikur të jetë strategji zhvillimi. Në këtë prizëm, asnjëherë s‘do të ketë dobi nga pikëpamja shkencore debati që bëhet në pozita krahinore, nga pozita të supermacisë dialektore apo nga pozita të përziera politike. S‘mund të ketë gjuhëtar mbrojtës të dialektit të jugut apo veriut. Gjuhëtari duhet të shohë dukurinë, por nuk mund të ketë gjuhëtar pro dhe kundër standardit. Shkenca e gjuhës duhet të lihet jashtë këtyre paragjykimeve.
Një shtet një vend interesohet për gjuhën e vet. Problemi i parë është që nëse një standard është një tërësi formash, njësish dhe rregullash të zgjedhura që bëhen pjesë e çdo individi për të realizuar një qarkullim të shpejtë më mendimeve ideve të gjithë funksionimit të shtetit shkollës etj., duhet t‘i lihet standardit të shtrihet. Këtu meritojnë vëmendje të veçantë problemi i ndarjes politike të shqiptarëve në gjashtë shtete. Ndarja politike nuk e ka ndihmuar standardin. Izolimi i shqiptarëve në gjashtë shtete ka penguar shtrirjen e standardit të 1972-it. Çdo gjë ka qenë e izoluar brenda kufijve politike të Shqipërisë. Edhe pse u premtua si i gjithë shqiptarëve, gjeopolitika nuk i erdhi në ndihmë standardit. Problemi i dytë është historik. 1972 vendosi disa rregulla, por duhen shumë vite për t‘u instaluar, 36 vjet janë shumë pak që të vendoset një standard. Duhet të ketë bashkëjetesë brezash për të mbajtur gjallë gjuhën një bashkëjetesë nga nipi te gjyshi me të paktën 100 vjet.
Përveç faktit gjeopolitik dhe atij kohor është faktori zhvillim. Është shpejtësia e lëvizjes së njerëzve, demografia që e ndryshon gjuhën. Të gjithë këta elementë të jashtëm ndikojnë shumë në orientimin e gjuhës standarde dhe njësive të saj. Problemi është se nganjëherë prezantimi i standardit në publik apo edhe ndër gjuhëtarë ka gabime konceptuale të të kuptuarit të standardit. Njerëz që janë mbrujtur mirë me një ideologjike unike nganjëherë krijojnë koncepte unitare mbi standardin. Dua të them se standardi në thelb është fiction. Një ide që të gjithë e kanë në mendje sesa një realizim në tërë dimensionin e përdorimit të saj. Nuk ndodh asnjëherë të kemi një izmomorfizëm (pajtueshmëri) midis të folurës dhe të shkruarës. Cili individ, cila krahinë flet standard. Standardi është vetëm një ide e bukur, një vizion, idealist sesa një realizim. Ka një përzgjedhje formash që vërtiten dhe nëse flasim për standard flasim vetëm për gjuhën e shkruar. Kjo është një dukuri që ndodh me të gjithë popujt.
Po si mund të ndodhte që një fëmijë nga Shkodra që për 6 vite ka folur gjuhën e bukur shkodrane të shkonte në klasë të parë të harronte gjuhën e nënës dhe të mësonte atë standarde, a thua se ka dy gjuhë. Kështu do të tingëllonte në konceptin e një fëmije. Ne nuk duhet të jemi kaq të prerë në përcaktimet tona. Standardi është një abstraksion ideal, por që duhet të përsoset të paktën në të shkruar.
Fakti që standardi është vendosur mbi dialektin jugor a e ka lënë në inferioritet dialektin verior. A ka gjëra për t‘u ndryshuar nga njësia bazë dhe nëse po cilat janë dhe si duhet të bëhen?
Nuk besoj. Është folur për disa forma në aspektin leksikor, por edhe në aspekte të tjera si infinitivi si edhe probleme të tjera të rëndësishme si të rendit të fjalëve etj., që janë defekte të standardit të 1972. Zhdukja e pjesores me "ue" ku është ndaluar veprimtaria e një sistemi si mbiemrat e dhe ndajfoljet me "shëm" kalueshëm, punueshëm. Nëse sot lëvrohen këto forma si te Kadareja apo shkrimtarë të tjerë ndodh për shkak të kujtesës së afërt dhe jo përdorimeve të qëllimshme. Ndalimi i sistemit me "ue" ka ndaluar ipsofacto fjalëformimin me "shëm" të mbiemrave dhe ndajfoljeve. Kjo është një gafë gjuhësore. Kushdo që mund të thotë se ato prodhohen e ka gabim ato nuk prodhohen, por krijohen për analogji për shkak të afërsisë me kohën kur përdorej.
A mund të ndërhyhet në standard?
Ne nuk mund të ndërhyjmë në standard, ne duhet të shkojmë ku shkojnë prirjet e masës së popullit. Gjuhëtari nuk mund të nxjerrë ligje dhe në ato raste kur flitet për planifikim gjuhësor në kohët moderne. Në Kanada, gjuha ka ndryshuar me referendum dhe në kohët tona kështu duhet të ndodhë. Boll individët vendosën për fatet e popujve, të paktën për dukuri natyrore, siç është gjuha duhet të vendosin vetë përdoruesit. Megjithatë, them se është ende herët për të ndërhyrë, duhet kohë për t‘u pjekur një standard. Ndërhyrjet duhet të jenë të rralla dhe në një kohë të gjatë. Njësitë (dialektet) janë në konkurrencë të rastësishme. Mënyra se si njësitë konkurrojnë përcakton prirjet.
Kush janë indikatorët më të mëdhenj të standardit. Si përçohet dhe si ruhet ai? Cilat janë prirjet e gjuhës shqipe sot?
Shkolla, mediat, letërsia, demografia, ndikojnë në gjuhë. Nëse mund të jepja një këshillë do të thosha se nuk na vjen e keqja nga e përdorura e dialektit nëse ne duhet të bëjmë një zgjedhje duhet të mos përdorim gjuhën e huaj. Gjithashtu, s‘duhet krijuar përplasje mes dialektit dhe standardit. Koncepti dialekt është i diskutueshëm. Cili njeri është tipik dialektor. Dialektet po shkojmë drejt sociolekteve.
Unë do ta shikoja prirjen kryesore si një bashkëjetës midis formës klasike të standardit dhe gjithë normës. Është zhdukur kundërvënia klasike ose më shumë është në kokat e nxehta të gjuhëtarëve ekstremiste. Rruga që unë mendoj për 100 vjet është një ridimensionim i një standardi të ri. Pra, format bëjnë tolerancë ndaj njëra-tjetrës. Ne jemi të sigurt se ecim drejt një tolerance, drejt një pranimi mes të ngjashmes dhe të ndryshmes dhe përdoruesit vetë do të vendosin normën objektive mbi normën subjektive. Normë objektive është ajo që vendoset natyrshëm. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është të pranojmë variantet në gjuhë. Ato janë forma që bashkëjetojnë dhe gjuhëtarët s‘mund të çmojnë njësinë në treg. Vetë njerëzit janë interlekutorë të gjuhës. Pra, duhet tolerantë edhe për variantet. Nëse gjuhëtarët mund të konsiderohen si borxhli, them se u jemi borxh shqiptarëve t‘u japim gramatikat dhe fjalorët thesarë që ka gjuha shqipe. Na thuhet shpesh që kjo nuk është e standardit, pasi hapim fjalorin dhe nuk e gjejmë X fjalë. Ne duhet t‘u japim shqiptarëve gjithë idiomat në gjithë variantet. Pra një thesarius.
Kush duhet ta hartojë fjalorin e ri?
Institucionet, akademia, fakulteti, gjithë njerëzit që merren me gjuhën. Mjetet sot janë më komode. Ne kemi nisur një projekt kombëtar për një studim tërësor të termave në fushim e etnokulturës. Nëse duhet të kujtojmë kush jemi, duhet të kuptojmë kulturën tonë etnike. Mënyra e të parit të botës përcaktohet nga mënyra se si filtrohen njësitë e gjuhës në kulturën tonë. Gjuha përcakton të ardhmen tonë. Umberto Eco thotë: Njerëzit janë fakte gjuhësore, pra ne jemi bërë njerëz jo se flasim shqip, sepse ne u bëmë përmes shqipes shqiptarë. Gjuha përcakton vetë sjelljen e qenies sonë.
Kosova një realitet i ri, në prag të pavarësisë. A duhet të ketë ky shtet një gjuhë standarde. Nëse ai ngrihet mbi dialektin verior a do të krijojë përçarje me shtetin shqiptar?
Në radhë të parë ne nuk jem shembulli i vetëm. Dy shtete, një gjuhë. Shpesh nga përkufizimet totalitariste gjuhët identifikonin kombet, pro janë teori që kanë rënë. Edhe në Austri dhe Gjermani flitet gjermanisht le të shikojmë sa dallime ka mes këtyre gjuhëve. Çfarë kemi gjermanisht dhe austrakisht? Nuk e di nëse thuhet kështu. Mendoj se do të kemi edhe në rastin tonë shqip gjithandej. Nuk shikoj veçim tek ato që quhen simbole. Kosova s‘besoj se ka dobi për të përcaktuar nëse është shtet tjetër të ketë edhe gjuhë tjetër, sepse nuk e përcaktojnë shtetin gjuhët. Ato janë elementë të shteteve. Kosova s‘ka vuajtur për komunikim s‘ka pse ta përdorë si element shtetformues. Nuk duhet mbrujtur ideja e një formimi për gjuhë standarde në Kosovë. Pra s‘duhet përdorur si pretekst për të pasur një gjuhë kosovarishte. Ne duhet të kemi një gjuhë shqipe me gjithë larminë që ajo ka në gjithë arealin ku ajo ndodhet. Ne si studiues dhe si folës kemi gjuhën. Sot na duhet të kemi edhe një shtet, nesër ekzistenca e dy shteteve nuk na bën dy kombe dhe do të ishte e pamenduar nga kushdo që e shkon ndërmend që do të lipsej një rikonfirmim i zanoreve dhe bashkëtingëlloreve shqipe. Pra, ta lemë gjuhën, pasi është para shteteve, folësit duhet ta zhvillojnë arealin shqiptar, letërsinë, folklorin. Folësit do të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe gjuhëtarët detyrën e tyre si studiues.