E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodhuesit, marrëveshje të dyshimtë për çmimin e bukës

Rritja e fortë e çmimit të bukës në tregun e brendshëm është shkaktuar në një pjesë të mirë edhe nga mungesa e konkurrencës. Të dhënat nga doganat tregojnë se aktualisht më shumë se 80 për qind e grurit që importon Shqipëria, futet përmes tri shoqërive të mëdha, çka ka krijuar kushtet për një situatë monopolistike. Burime konfidenciale nga Ministria e Financave u shprehën se kanë lindur dyshimet e para për një marrëveshje mes prodhuesve të miellit. Por, përballë kësaj situate institucionet janë të pafuqishme për të reaguar, pasi deklarojnë se nuk mund ta vërtetojnë me fakte, nëse ka apo jo marrëveshje. Shqipëria konsumon mesatarisht 650 mijë tonë grurë në vit. Më shumë se gjysma e kësaj sasie importohet, ndërsa pjesa tjetër prodhohet në vend. Por, gruri i prodhuar nga fermerët shkon kryesisht për vetëkonsum, çka do të thotë se baza e prodhimit industrial të miellit në vend mbetet gruri i importit, prej nga përcaktohet edhe çmimi në tregun vendas. Në fakt, ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një dalje në media rreth një javë më parë, i pyetur në lidhje me situatën dhe paralajmërimet për rritjen e çmimit të bukës, në mënyrë indirekte ceku dhe mundësinë e një marrëveshjeje mes prodhuesve të miellit. "Unë nuk besoj se marrëveshjet për fiksime çmimesh mund të jenë afatgjata në treg", tha Bode. Tunizia dhe Egjipti, të cilat po përballen me një situatë të ngjashme si kjo e vendit tonë, reaguan menjëherë. Qeveritë e këtyre dy vendeve licencuan disa dhjetëra shoqëri importuese të grurit, me qëllimin e vetëm për të rritur konkurrencën në treg dhe për të mos lejuar abuzimet me çmimin. Qeveria shqiptare deri tani ka mbajtur qëndrim pasiv, duke e argumentuar këtë me faktin se nuk i ka kompetencat për të ndërhyrë në treg. Por, ekspertët thonë se futja e kompanive të reja është një masë e domosdoshme, e cila për më tepër është brenda kompetencave ligjore të qeverisë.

Importi

Shqipëria importon aktualisht gati 350 mijë tonë grurë në vit. Pjesa dërrmuese e kësaj sasie hyn përmes fabrikave më të mëdha të miellit në vend, të cilat aktualisht janë tre. Por krahas kësaj situate monopolistike, konsumatorët shqiptarë paguajnë edhe kostot shtesë që vijnë nga probleme strukturore. Po të krahasosh çmimin e grurit në tregun vendas me atë që shitet në bursë, del se është shumë më i lartë. Ekspertët e shpjegojnë këtë situatë me faktin se tregtarët shqiptarë nuk mund të blejnë në bursa. Kjo, për shkak se sasitë që ata blejnë janë të vogla, çka e bën të pamundur futjen e tyre në bursa. Për rrjedhojë, gruri që vjen në Shqipëri importohet nga tregjet jashtë bursave si Rusia apo Kazakistani dhe blihet te tregtarët e dorës së dytë apo të tretë me një çmim, që është dukshëm më i lartë nga ai i bursave. Ky është një problem i vjetër i Shqipërisë, që prek jo vetëm drithërat. E njëjta situatë është edhe me shoqëritë e karburanteve dhe produkteve të tjera, pavarësisht se ligji vendos kritere të forta për shoqëritë importuese. Të gjitha këto shkojnë në kurriz të konsumatorëve shqiptarë, ndërsa institucionet janë të pafuqishme për të administruar situata të këtij lloji.

Prodhuesit

Por vetë prodhuesit e miellit i kundërshtojnë të gjitha këto akuza. Madje "mullixhinjtë" akuzojnë për spekulime prodhuesit e bukës. Kjo situatë e turbullt në tregun vendas është shoqëruar edhe me debate mes prodhuesve të miellit dhe atyre të bukës. Prodhuesit e miellit deklarojnë se çmimi aktual i bukës prej 100 lekësh është i fryrë dhe ka një pjesë spekulimi brenda. Ata i referohen për këtë një llogarie të kryqëzuar, duke marrë në analizë çmimin e miellit dhe atë të bukës përpara se të fillonte kriza. Në kohën kur kostoja e miellit shkonte në furrë me 38 lekë për kilogram, përfshirë dhe TVSH-në, buka në vend shitej me 60 lekë. Aktualisht, kostoja e një kilogrami miell për furrtarët është 63 lekë, përfshi dhe TVSH-në, ndërsa çmimi i bukës është plot 100 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›