Tregtarët abuzues me çmimet nuk paguajnë detyrimet tatimore
Policia Tatimore e Fierit jep alarmin duke deklaruar se abuzimi me çmimet e mallrave të konsumit po vjen nga tregtarët, shumica e të cilëve nuk kanë shlyer madje dhe detyrimet tatimore dhe kanë rritur çmimet me disa fish në krahasim me muaj më parë.
Pas identifikimit të shumë rasteve abuzuese, lidhur me debinë që subjektet e tregtimit i kanë degës tatimore, prej kreut të Policisë Tatimore Fier, Agron Selimaj, deklarohet se kjo shtresë tregtarësh debitorë, duke përfituar nga ekonomia e tregut po regjistron edhe abuzimet me rritjen e çmimeve për mallrat e konsumit. Gjatë një aksioni të zhvilluar ditën e shtunë, Policia Tatimore e Fierit ka bllokuar dhe ndëshkuar disa subjekte private, të cilat nuk kishin shlyer detyrimet tatimore, por që në artikujt që tregtonin kishin afishuar çmime marramendëse.
"Janë identifikuar raste të hapura, ku tregtarët ushtrojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm dhe që në dyqanet e tyre kanë pasur mallra me çmime të larta. Janë të shumta këto raste" ka thënë Agron Selimaj.
Sipas të dhënave që jep Policia Tatimore e Fierit konfirmohet se vetëm gjatë aksionit të zhvilluar ditën e shtunë është sekuestruar një sasi prej 460 litër vaji, për të cilin tregtarët e ndëshkuar e kishin marrë pa asnjë faturë tatimore. Gjithashtu aksioni i së shtunës i policisë tatimore ka bllokuar edhe 500 copë paketash, që nuk ishin të shoqëruara me faturë tatimore.
Prej kreut të policisë tatimore, Agron Selimaj, pranohet mungesa e bazës ligjore për të ndërhyrë lidhur me rritjen e çmimeve nga tregtarët, por deklarohet gjithashtu se ka nga ata tregtarë abuzues, të cilët kanë marrë sasi malli katër muaj më parë me një çmim të ulët dhe sot e tregtojnë atë me çmim trefish më të lartë. Ndërkohë shembulli konkret që vjen prej Policisë Tatimore Fier është ai i zbulimit të një rrjeti tregtarësh, të cilët katër muaj më parë kanë siguruar vaj me çmim 70 lekë për litër e sot e tregtojnë me 260 lekë për litër. Përballë kësaj pafuqie ligjore të policisë tatimore qëndron blerësi, i cili është i detyruar të vuajë nismat e çmendura të tregtarëve që kanë tendencë të rrisin çmimet dhe mungesën e një baze ligjore.