E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhuveli: Bashkia, përgjegjëse për nivelin e ndotjes

Nis sërish përplasja mes qeverisë dhe pushtetit lokal. Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ka akuzuar Bashkinë e Tiranës si shkaktare të nivelit të lartë të pluhurit në kryeqytet. Duke hequr përgjegjësinë nga vetja, Xhuveli u shpreh se "bashkia është përgjegjëse për nivelin e ndotjes". Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ka reaguar pas akuzave të opozitës për nivelin e ndotjes në vend. Ministri u është përmbajtur deklaratave të tij të mëparshme se Shqipëria është vend i pastër dhe të dhënat nuk flasin për nivel të lartë ndotjeje. Sipas Xhuvelit, vendi ynë është renditur 32 shkallë më lart krahasuar me vitin e kaluar. Për nivelin e lartë të pluhurit në shumë zona të Tiranës, ministri Xhuveli bëri përgjegjëse bashkinë e kryeqytetit, për shkak të punimeve në rrugë. Lidhur me ndotjen e shkaktuar gjatë ndërtimit të mbikalimit të Kamzës, ai tha se firma ndërtuese është paditur dhe se kjo çështje duhet të ndiqet nga bashkia.

Nga matjet për cilësinë e ajrit në Tiranë, në 7 pika rezulton situatë problematike për ndotjen e ajrit për dy treguesit e grimcave të pluhurit, në 3 prej tyre: te "21 Dhjetori", sheshi "Skënderbej" dhe "Zogu i Zi", gjendje kjo e përkohshme që shkaktohet kryesisht nga gjendja jo e mirë e rrugëve dhe nga punimet në infrastrukturë dhe jo rrallë nga mosrespektimi i kushteve mjedisore. Ndërsa në pjesët e tjera të qytetit situata paraqitet normale. Gjatë vitit 2007, cilësia e ajrit është monitoruar në 15 stacione të 7 qyteteve kryesore të vendit, nga këto 7 stacione në Tiranë, 3 në Elbasan dhe nga një në qytetet e Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Vlorës. Këto zona janë konsideruar më sensitive, ndërsa gjithë qytetet dhe zonat e tjera të vendit dihet që nuk kanë shumë shqetësime për cilësinë e ajrit, në të kundërt, cilësia në to është në nivel të lartë. Në të 15 stacionet e përmendura më sipër, janë monitoruar 6 tregues: PM10, LNP, NO2, SO2, O3, dhe Pb. Nga matjet rezulton se 4 prej këtyre treguesve, konkretisht SO2, O3, NO2 dhe Pb janë brenda standardeve shqiptare dhe atyre të BE-së në të gjitha qytetet dhe pikat e monitoruara. Matjet janë kryer gjatë 24 orëve për 16 ditë në muaj nga Instituti i Shëndetit Publik, Instituti i Hidrometeorologjisë dhe Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve. "Shqipëria është një vend i gjelbër, ku pyjet dhe kullotat zënë mbi 51% të sipërfaqes së vendit. Zvogëlimi i prerjeve në vitin 2007 deri në 3 herë në krahasim me vitet 2004-2005, rritja e sipërfaqeve të mbjella, dyfishimi i sipërfaqes së zonave të mbrojtura nga 150000 ha në vitin 2005 në mbi 300000 ha në vitin 2007, kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së pyjeve, duke bërë që për herë të parë pas disa dekadash rritja vjetore e volumit drusor në pyje të jetë më e madhe se sasia e prerjeve vjetore", tha Xhuveli. Sipas ministrit të Mjedisit, vetëm për sezonin 2007-2008 janë planifikuar të mbillen me pyje dhe të gjelbërohet një sipërfaqe mbi 500 ha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›