E Diel, 1 Nëntor 2026

Promemorie kundër Ndokës: Duam kongres të jashtëzakonshëm

Strukturat e larta drejtuese të Partisë Demokristiane pozicionohen kundër kryetarit të partisë, Nard Ndoka. Lëvizje dhe ngjarje të reja priten të ndodhin brenda partisë së Nard Ndokës, e cila po i nënshtrohet kohët e fundit një vale reformash. Zv/ministri i Jashtëm, njëkohësisht kryetar i PDK në Shkodër dhe anëtar i kryesisë, Anton Gurakuqi ka bërë me dije se "do kërkojmë largimin e Nard Ndokës nga partia, për shkak se me këtë lidership, partia demokristiane është pa identitet". Përplasjet dhe mosmarrëveshjet midis lidershipit të partisë dhe anëtarëve të kryesisë kanë rritur pakënaqësitë, të cilat prekin strukturën më të lartë drejtuese të demokristianëve. Javët e fundit është tensionuar situata brenda PDK-së, ku gjithçka ka filluar me largimin nga detyra të kryetarit të degës së saj, Tiranë dhe më pas edhe me degët e tjera në rrethe. Kryesia e PDK-së është duke ideuar një kongres të jashtëzakonshëm për të analizuar situatën brenda partisë, por edhe për të kërkuar largimin e kryetarit demokristian nga drejtimi i saj. Një grup anëtarësh demokristianë, i përbërë nga rreth 35 veta, është mbledhur dje për disa orë për të diskutuar për mënyrën që do të ndiqet për të larguar ministrin e Shëndetësisë nga drejtimi i Partisë Demokristiane.

Megjithëse ideatori i këtij takimi, zv/ministri i Jashtëm, njëkohësisht anëtar i PDK-së, Anton Gurakuqi, nuk ka preferuar të komentojë në detaje të zgjatura qëllimin e këtij takimi, burime pranë këtij grupimi të mbledhur dje për disa orë në Tiranë kanë bërë me dije se është duke u përgatitur një kongres i jashtëzakonshëm për të kërkuar dorëheqjen e kreut demokristian, Nard Ndoka.

Po të njëjtat burime theksojnë se kryetari Ndoka ka munguar në këtë mbledhje sekrete, por nuk kanë munguar telefonatat që kanë degjeneruar deri në ofendime të rënda nga kryetari Ndoka në adresë të kryetarëve të degëve të PDK-së. Në këtë mënyrë demokristianët imitojnë demokratët dhe klanet brenda mazhorancës duket se janë kthyer në modë. Kryesia e PDK-së është mbledhur dje në Tiranë në një mbledhje jozyrtare për të diskutuar marrëdhëniet me kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka. Një grup prej 35 kryetarë degësh të PDK-së në Tiranë dhe në rrethe janë mbledhur dje për të pozicionuar qëndrimin e tyre mbi lidershipin e partisë. Anëtarë të kryesisë së PDK-së kanë shprehur pakënaqësitë e tyre mbi mënyrën se si kryetari i partisë po administron PDK-në. Debatet janë ndezur më shumë duke iu referuar edhe pozicionit që kryetari Ndoka ka mbajtur për të përjashtuarit e PS-së nga partia pas votimit të Presidentit Topi në korrik të vitit të kaluar.

Takimet jashtë Tirane ose jashtë Shqipërie nuk janë tashmë në modë vetëm nga Partia Demokratike për të treguar pakënaqësitë e tyre ndaj liderit të partisë, por kanë filluar të praktikohen edhe nga demokristianët. Kryetarët e degëve të PDK-së kanë ardhur në kryeqytet për t‘u mbledhur në një takim sekret të ideuar nga zv/ministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi. Në këtë takim ka munguar ministri i Shëndetësisë dhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i cili duket se nuk e ka përjetuar qetësisht situatën e krijuar në disfavor të tij. Mësohet se kryetari i PDk ka dërguar mesazhe nëpërmjet telefonit, por edhe ka mundur të kryejë telefonata me anëtarët e kryesisë, ku komunikimi mes tyre ka degraduar deri në sharje dhe ofendime. Në takim mungoi edhe zv/ministri tjetër demokristian, Zef Bushati, i cili e ka justifikuara mungesën e tij për shkak të impenjimeve personale jashtë Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›