Gjyqtari nxjerr kartonin dhe...pistoletën
Një gjyqtar në Malajzi, emri i të cilit ka mbetur anonim ka shtënë disa herë në ajër për të larguar nga vetja një grup futbollistësh që po protestonin për kartonin e kuq që kishte marrë shoku i tyre i skuadrës. Në jetën e përditshme "xhaketa e zezë" punonte edhe si polic dhe kur ishte në fushë duke arbitruar, pistoletën e kishte lënë në makinën e shërbimit. Në momentin që protestat e lojtarëve u bënë shumë të ashpra ai ka shkuar në automjetin e policisë, e pasi ka marrë në dorë pistoletën nuk ka hezituar ta shkrepë, duke e mbajtur të drejtuar në ajër. Veprimi nuk u ka pëlqyer eprorëve të tij, të cilët vendosën ta arrestonin dhe mbanin nën vëzhgim në paraburgim. Agjencia e lajmeve "Reuters" publikoi një prononcim zyrtar të policisë për një gazetë lokale, ku shkruhej: "Po hetojmë nëse veprimi i policit për të nxjerrë armën dhe për ta shkrepur është i justifikueshëm. Gjithashtu, po hetojmë edhe pse ai e kishte marrë me vete armën gjatë ndeshjes". Fakti kurioz është se në qeli, së bashku me policin kanë përfunduar edhe pesë futbollistë: ata akuzohen se kanë shkaktuar rrëmujë dhe për këtë mund të penalizohen.