E Diel, 1 Nëntor 2026

Lind Krishti, meshë edhe në oborr

Lindja e Krishtit ka ngjallur zemrat e qindra qytetarëve të kryeqytetit. Ata kanë dalë për të pritur në kishë ardhjen e foshnjës hyjnore. Në Katedralen e Shën Palit turmat e njerëzve dalloheshin nga larg. Me një pamje të mrekullueshme të Tiranës së ndriçuar nga dritat dhe fishekzjarrëve që shprehnin harenë e një dite të madhe, janë ballafaquar të gjithë ata që dolën për të kremtuar natën e madhe të Krishtlindjes. Pjesa më e madhe e besimtarëve zgjodhën Katedralen e Shën Palit, ku mesha jepet nga Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës. Është plot me atmosferën e festës e të shpresës mesazhi i Imzot Rrok Mirditës. Ai u lut për më shumë paqe, harmoni e lumturi në familjet e shqiptarëve dhe gjithë besimtarëve anembanë botës. Ai u shpreh në meshë, në prani të mijëra besimtarëve, "për hir të dashurisë së Krishtit të jetojnë në paqe".
Sapo i afrohesh katedrales së madhe katolike në bulevardin "Zhan Dark", dëgjon zërin e Dom Rrok Mirditës, që çon meshën e madhe të Krishtlindjes. Kjo ditë e shënuar ka bërë që mijëra vetë t‘i drejtohen kishës me besimin te Zoti për më shumë paqe e mirësi. Një altoparlant më muret e jashtme përçon zërin e tij deri në oborr. Ky zë jashtë kishës është më i rëndësishëm se kurrë. Jashtë ka besimtarë që ndjekin meshën vetëm me të dëgjuar. Ata nuk kanë mundur të depërtojnë brenda mureve hijerëndë të katedrales. Një numër jashtëzakonisht i madh besimtarësh ishte natën 24 dhjetorit te "Shën Pali". Ata pritën së bashku lindjen e Krishtit. Fëmijë, të rritur, të rinj e të moshuar ishin në festën e madhe të besimit katolik, Lindjen e Krishtit. Por dominonin të rinjtë e grupmoshës nga 15-35 vjeç.

Duke parë numrin e madh të qytetarëve që ishin të pranishëm, autoritet policore dhe ato shëndetësore kishin marrë masat e nevojshme. Një autoambulancë ka qëndruar gjatë gjithë meshës në oborrin e katedrales. Po kështu, rruga përballë monitorohej nga forcat e rendit, të cilat iu kanë dhënë përparësi kalimtarëve në lëvizje, duke penguar kështu mjetet të lëviznin me shpejtësi në bulevard.

Për të gjithë besimtarët katolikë, Krishti lindi në orët e para të datës 25 dhjetor. Ndaj nata e madhe është ajo e ndërrimit të datës nga 24 në 25. Ndërsa për besimtarët ortodoksë Krishti lindi në pesë të mëngjesit, ndaj edhe mesha e madhe mbahet në këtë orë.

Në Kishën Ortodokse Autoqefale dhe Katedralen e Shën Palit u mbajtën mesha dhe u ndezën qirinj. Të krishterët ortodoksë u lutën duke falënderuar Zotin për Lindjen e Birit të Tij me mesazhin "Dashuria dhe toleranca duhet të na mbajnë gjallë në jetë".

Krishti lindi 2007 vjet më parë në Jerusalem. Në veprën e tij Benedikti XVI në veprën "Jezusi i Nazaretit" shkruan se veprimtaria e Jezusit është një ngjarje historikë që mund të datohet me gjithë seriozitetin e historisë njerëzore si diçka që ka ndodhur me të vërtetë me unitetin e saj. Jezusi lindi, jetoi e vdiq dhe u ringjall në Palestinën e lashtë. Jezusi lindi në Betlehem të Judesë, në vitin 6 para Krishtit, jetoi rreth 30 vjet në Nazaret të Galilesë. Por atje ku lindi Foshnja Hyjnore në Betlehem të Jerusalemit u krye edhe riti më i madh fetar. Drejt vendit të shenjtë kanë udhëtuar afro 60 mijë pelegrinë, të cilët kanë pritur me lutje natën e madhe të Krishtlindjes.

Lindja e Krishtit është për të gjithë besimtarët moment madhështor që simbolizon lidhjen shpirtërore me Zotin. Qytetarët, më mirë se kushdo tjetër, japin përkufizimet për këtë ngjarje të madhe të besimit të krishterë në mbarë botën. "Kjo është një ditë e madhe, pasi ka lidhje me forcimin e besimit te njerëzit", thotë Alketa, që sapo ka dalë nga mesha. "Kam marrë edhe fëmijët, që të rriten me besimin dhe dashurinë e Zotit", shprehet një qytetar tjetër, që teksa del nga kisha përmes stërmundimit të radhëve mban mbi supe edhe një fëmijë 5-vjeçar.

Festa nis më datë 24 dhjetor, kur besimtarët ortodoks dhe katolikë bëjnë përgatitjet në familje dhe vazhdon më 25 në drekë, kur shtrohet dreka e madhe e Krishtlindjes. Kjo ditë e shenjtë ka kaluar në një atmosferë festive në kryeqytetin shqiptar. Kryesisht tipare të festës shqiptare, janë mesha dhe përgatitja e tryezës, por edhe shkëmbimi i dhuratave apo veshja me rrobat e kuqe të Plakut të Krishtlindjes. Dikush i është gëzuar festës, lindjes së Krishtit e dikush tjetër vetëm ditës së pushimit. Nëpër ekrane shfaqet filmi "Jezusi i Jerusalemit" dhe mesha e Krishtlindjes. "Bota mbarë sot është gëzuar, është e mbushur me hare, engjëjt kur na kanë lajmëruar, se Shëlbuesi sot na ka lindur", janë vargje nga kënga e Krishtlindjeve, që motrat këndojnë në kishë dhe tingëllojnë ëmbël në veshët e gjithë atyre që besojnë në Zot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›