E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjysmëliria e të burgosurve, PS: Nismë në prag zgjedhjesh

 

Partia Socialiste e cilëson si fushatë politike projektligjin e qeverisë "Për ekzekutimin e vendimeve penale". Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, deklaroi se ky p/ligj jep një gjysmë amnisti për të burgosurit dhe se ai vjen pikërisht në një moment kur jemi 6 muaj para zgjedhjeve. Gjithashtu Majko hodhi dyshime serioze në lidhje me faktin nëse sistemi i drejtësisë është i gatshëm të përballojë një revolucion të tillë në burgjet shqiptare. "Për kë bëhet fjalë për dënimin alternativ, për çfarë lloj dënimi bëhet fjalë. Ky lloj propozimi është një evolucion pozitiv për sistemin që kemi. Kjo është edhe një lloj gjysmë amnistie. A është gati sistemi ynë për këtë, pa pasur parasysh dhe çështjen e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, sepse unë që kam para marr liri me kusht, ai që nuk ka shkon në burg", deklaroi Majko. Drejtori i Kodifikimit, Marian Kopani, ka bërë të ditur se "jo të gjithë kategoritë do të përfitojnë nga alternativat që ofrojnë mënyra masës së dënimeve". Ai e ka cilësuar si koincidencë faktin se ky projektligj paraqitet për votim aktualisht 6 muaj përpara zgjedhje të përgjithshme. Kopani ka theksuar se me këtë sistem që aplikohet nuk lë mundësi për abuzime, siç aludonte deputeti i PS-së, Majko. Ndërsa deputeti i PD-së, Aldo Bumçi deklaroi se, "procesi i hartimit të p/ligjit ka nisur në momentin kur ai ka qenë ministër i Drejtësisë". Ndërsa deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi ka deklaruar se Shërbimi i Gradës, si institucion i ri vlerësimi merr disa kompetenca që i ka Prokuroria apo dhe Policia Gjyqësore dhe se duhen rishikuar në nenin përkatës. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko kërkoi që në shqyrtimin e këtij projektligji të marrin pjesë edhe përfaqësues së KLD-së, Prokurorisë për të shprehur qëndrimet e tyre. "Ky projektligj ka nisur të hartohet në kohën kur Bumçi ka qenë ministër dhe vjen gati 6 muaj përpara zgjedhjeve, realisht është një lloj evolucioni në trajtimin e të dënuarve", deklaroi Majko. Ndërsa socialisti Fino ka kërkuar që të realizohet më parë shqyrtimi i Kodit Penal që lidhet me këtë çështje dhe të diskutohet drafti tjetër, pasi për votimin duhen një numër i cilësuar votash për t'u kaluar në Kuvend. Kërkesa e tij u miratua nga ana e komisionit parlamentar të Ligjeve. b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›