Kapen dy kuintalë flori 1 milion euro, dyshohet për Thesarin e Shtetit
Dashamir Biçaku
Prangosen me 200 kilogramë ar kontrabandë dy vëllezërit argjendarë, policia bllokon edhe dy shufra, që dyshohet se janë vjedhur nga thesari i shtetit në vitin 1997. "Policia u ka bllokuar dy të arrestuarve dy lingota, që besohet se mund t'i përkasin Thesarit të Shtetit të vjedhur në vitin 1997", thanë burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, dy vëllezërit akuzohen për kontrabandë të floririt dhe metaleve të çmuara në sasi të konsiderueshme. Astrit dhe Genci Lamçe, përkatësisht 45 dhe 38 vjeç, të njohur si furnizuesit më të mëdhenj të argjendarive kryesore të Tiranës, por edhe shumë argjendarive të tjera në vend, janë arrestuar nga Seksioni i Antikrimit Ekonomik të Drejtorisë së Tiranës, me akuzën e kontrabandës së floririt, shmangies së detyrimeve fiskale dhe doganore. Urdhrat e arrestit dhe hetimi ndaj tyre, ishte nisur nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila kodoi aksionin me emrin "Ora e florinjtë". Vëllezërit që ishin të licencuar në veprimtarinë e argjendarit, u arrestuan nga policia në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur njësia e operacioneve speciale dhe oficerët e antikrimit ekonomik, kanë hyrë në banesën e tyre pranë Gardës së Republikës në Tiranë. Dy vëllezërit janë shfaqur të trembur para policisë, duke kërkuar të mësonin shkakun e kësaj bastisje. Punonjësit e policisë janë identifikuar nëpërmjet dokumenteve të tyre, ndërsa u kanë treguar dy vëllezërve mandatet e kontrollit dhe të arrestit të firmosur nga zyra e Task-Force në Prokurorinë e Tiranës. Sasia prej 200 kilogramë flori ishte paketuar në kuti të posaçme. Floriri është gjetur në një apartament, në kryqëzimin e rrugës "Vaso Pasha", me rrugën "Perlat Rexhepi" në kryeqytet. Të dyshuarit sipas burimeve të policisë, kryenin në banesën e tyre përpunimin e arit, duke e përmirësuar cilësinë e tij në karat, ose duke e shtuar atë me elementë të tjerë. Kur hetuesit e policisë dhe të prokurorisë, i kanë kërkuar vëllezërve Lamçe dokumentacionin e origjinës së mallit, si fletë zhdoganimi apo fatura të blerjes, të dyshuarit kanë ngritur supet. Për pjesën më të madhe të floririt, vëllezërit nuk kanë pasur dokumente origjine, apo fatura zhdoganimi duke provuar dyshimin e Prokurorisë se floriri me vlerë mbi 1 milion euro ishte futur kontrabandë në Shqipëri. Burimet e policisë thanë se vëllezërit kishin dokumentacion vetëm për rreth 10 për qind të floririt ndërsa pjesa tjetër nuk ishte deklaruar në doganë. Menjëherë efektivët e policisë kanë nisur evidentimin e arit në disa grupe, për shkak se shumica e tyre ishin në sende floriri dhe bizhuteri dhe vetëm dy lingota, që besohet se janë pjesë e Thesarit të Shtetit të grabitur në vitin 1997. Efektivëve të policisë u është dashur kohë deri pasditen e djeshme që të mbaronin matjen e floririt të bllokuar dhe numërimin e 210 mijë eurove, 15 milionë lekëve dhe 500 dollarëve, që u janë bllokuar dy të arrestuarve. Floriri besohet se vinte nga Turqia dhe Italia dhe pas kalimit kontrabandë në doganë shpërndahej në argjendaritë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Fierit dhe qyteteve të tjera kryesore të vendit madje edhe në Maqedoni.
Të arrestuar
Astrit Lamçe,
45 vjeç
Genci Lamçe,
38 vjeç
Sekuestruar
200 kg ar bizhuteri
2 copë shufra floriri 1 kg secila
210 mijë euro
1.5 milionë lekë të reja lekë.
500 dollarë amerikanë