Leskaj-Patozi, rikthehen akuzat për Kodin Zgjedhor
Maxhoranca dhe opozita ndajnë qëndrime të ndryshme, në lidhje me përgatitjet për kodin zgjedhor dhe infrastrukturën zgjedhore. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj akuzoi dje maxhorancën se po neglizhon përgatitjet për zgjedhjet. Ndërsa homologu i saj demokrat Patozi, shprehet se PD është e angazhuar që Kodi të hartohet brenda afateve. Partia Socialiste shpreh shqetësim se përgatitjet për zgjedhjet 2009 po neglizhohen nga qeveria e kryeministrit Berisha. "Kryeministri ka filluar fushatën elektorale, por përpara se të nisë fushatën, duhet të garantojë procesin, përfundimin në kohë të tij dhe e kam fjalën për reformën e kodit dhe infrastrukturën gjithashtu. Nuk janë shqiptarët ata që pengojnë votimin me karta po duhet qeveria t'u japë garanci për kohën kur ata do t'i kenë në dorë kartat, e nëse do t'i kenë përpara zgjedhjeve", tha Leskaj. Ajo vlerësoi nxitjen dhe mbështetjen e BE-së në procesin e reformës elektorale, ashtu si për gjithë reformat e tjera. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj, tha dje para gazetarëve se qeveria nuk ka garantuar ende, se procesi i reformës zgjedhore do të përfundojë në kohë. Leskaj i bëri thirrje maxhorancës të angazhohet për përfundimin brenda afatit të reformës zgjedhore, ku çështja kryesore është miratimi i Kodit të ri Zgjedhor. Ndërsa nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi e cilëson si të pavend deklaratën e koleges së tij opozitare. Sipas Patozit Kodi Zgjedhor po ecën me ritme të pëlqyeshme dhe maxhoranca dhe kryeministri janë të angazhuar në këtë proces, ndërsa ndodh e kundërta me kreun e socialistëve Edi Rama. "Kodi Zgjedhor po ecën me ritëm të pëlqyeshëm. Ju siguroj se të gjithë aktorët e maxhorancës, që nga Kryeministri deri tek eksperti më i thjeshtë janë njësoj të angazhuar dhe të shqetësuar në këtë proces. E kundërta ndodh me Kreun e PS-së, mund të them se prej disa ditësh ai ndodhet për turizëm jashtë shtetit", u shpreh Patozi. Kreu i grupit parlamentar të PD-së shpreson se Kodi Zgjedhor do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar nga Kuvendi për Komisionin e posaçëm, që është 30 shtatori. Reagimi i dy forcave kryesore politike në vend PD-PS vjen pak ditë pas apelit të shefit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan për të përshpejtuar miratimin e Kodit Zgjedhor përplas sërish socialistët me maxhorancën.
Sipas Lohan, që zgjedhjet e ardhshme të mos krijojnë probleme, duhet që të përfundojnë sa më shpjet jo vetëm Kodi Zgjedhor, por edhe shpërndarja e kartave të identitetit.