E Diel, 1 Nëntor 2026

Protokolli i NATO, Senati i SHBA voton për Shqipërinë

 

BLEDAR HOTI

Senati amerikan pritet ta kalojë në votë Protokollin e Zgjerimit të NATO-s me dy vendet, Shqipërinë dhe Kroacinë. Komisioni i Jashtëm i Senatit parmbrëmë rekomandoi organin ligjvënës që të miratojnë protokollin e zgjerimit. Vendimi i Komisionit të Jashtëm të Senatit është përshëndetur dje nga ana e Kryeministrit Sali Berisha, duke dhënë garancinë për arritjen e të gjitha standardeve të kërkuara për integrimin në NATO dhe në BE. "Dua t'i siguroj shqiptarët se këtë besim do ta shfrytëzojmë për të bërë çdo përpjekje që kriteret dhe standardet e një vendi anëtar të NATO-s të zhvillohen dhe konsolidohen të sigurta në vendin tonë. Dua t'i shpreh në emrin tuaj dhe të popullit shqiptar falënderimin e thellë dhe mirënjohjen më të madhe Komisionit të Jashtëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë së SHBA-ve dhe Presidentit George W. Bush. Pardje, në Komisionin e Jashtëm të Senatit të SHBA-ve u miratua me konsensus të plotë Protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO", deklaroi Berisha. Kryeministri ka falënderuar dy kongresmenët, senatorin Joe Biden dhe senatorin Richard Lugar. "Senatori Lugar prej vitesh ka qenë një nga promotorët kryesorë të integrimit të Shqipërisë në NATO. Joe Biden, që aktualisht është përzgjedhur nga senatori Barak Obama si kandidat për zëvendëspresident i SHBA-ve, është një mik i  madh i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i angazhuar prej shumë vitesh në të gjithë problematikën e madhe që kanë pasur shqiptarët", theksoi kryeministri. Dy javë më parë në Komisionin e Jashtëm, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Frid, në dëshminë e tij shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. "Hyrja e tyre në NATO jo vetëm që do të ndihmojë në stabilizimin e një rajoni të trazuar, por do t'u tregojë edhe vendeve të tjera në rajon se ekziston një alternativë ndaj ndasive nacionaliste dhe dhunës. Zgjerimi i NATO-s me këto vende është plotësisht në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara", theksoi Frid. Ndërsa në debatin e zhvilluar, senatorët amerikanë në konkluzionet e tyre theksuan se, "Shqipëria ka bërë progres në drejtim të anëtarësimit në NATO, por duhet të zgjidhë disa çështje, siç janë reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe mbi të gjitha nxjerrja e përgjegjësve për tragjedinë e Gërdecit". Për çështjen e Gërdecit, Frid ka deklaruar para senatorëve amerikanë se, "i kemi kërkuar qeverisë shqiptare që ta lejojë hetimin të zhvillohet, çfarëdo që të dalë prej tij". "Shanset janë që përfundimet e tij ta vënë në pozitë të vështirë qeverinë, sepse si me çdo problem ushtarak shtrohet problemi i përgjegjësisë. Çdo vend ka probleme dhe pyetja që shtrohet nuk është nëse ka probleme, por si i zgjidhin ato", deklaroi Frid në këtë seancë të parë dëgjimore.

Samiti i 4 prillit dhe ftesa për Shqipërinë

Shqipëria e mori ftesën për të hyrë në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, më datë 4 prill. Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën për anëtarësimin në NATO, ndërsa ka nisur procesi i miratimit të Protokollit të Zgjerimit nga parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s. Deri më tani Hungaria është shteti i parë që ka ratifikuar këtë protokoll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›