Kryetarët e qarqeve, gati për decentralizimin e pushtetit
Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve, Tasim Mema, këtë herë ka vendosur të organizojë mbledhjen e radhës në Elbasan, pas një takimi të fundit që ka pasur me Kryeministrin Berisha. Lajtmotivi i këtij takimi ka qenë "Mendime dhe ide për diskutime të një strukture sa më eficente". Në të kanë marrë pjesë 12 kryetarë të Këshillave të Qarqeve nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, si dhe kryetari i shoqatës, Tasim Mema. Qëllimi i këtij takimi ka qenë shkëmbimi i eksperiencave dhe mendimeve për problematikat dhe arritjet e punës së bërë në Qarqet e Shqipërisë. Në fjalën e tij, kryetari i shoqatës, Tasim Mema tha se "pas Lezhës, takimi i dytë organizohet në Elbasan dhe do të vazhdojmë në të gjitha rrethet e Shqipërisë", duke vazhduar "Së pari dua t‘ju raportoj, - tha Mema, se kam pasur një takim me Kryeministrin Berisha ku dhe i parashtrova të gjitha problematikat që hasen në Qarqe, dhe vetë ai pati predispozitën e veçantë që Ministria e Brendshme, shoqata si dhe kryetarët e Qarqeve të ndihmojnë në hartimin e amendamenteve të reja në funksion të rritjes së funksionit të qarqeve". Në këtë takim është diskutuar edhe projektligji për urbanistikën, ku Mema ka kërkuar nga të gjithë kryetarët që ta shqyrtojnë në Qarqet e tyre. "Kërkoj një studim të hollësishëm të këtij projektligji, pasi do të ketë jetëgjatësi dhe besoj se me këtë frymë do të mund të implementojmë sa më mirë strategjinë e decentralizimit të të gjitha opsioneve që kemi paraqitur", tha Mema. Ndërkaq fjalën e ka marrë edhe kryetari i Këshillit të Qarkut të Elbasanit, Ardian Turku. Ai ka folur edhe për ndryshimet që ka kryer gjatë këtij 6-mujori në këtë detyrë, duke përmendur shtimin e një sektori të ri për Drejtorinë e Koordinimit të Zhvillimit dhe Drejtorinë e Urbanistikës. Nga të pranishmit janë hedhur dhe ide të një paraleleje "të bashkueshme" mes institucionit të Qarkut dhe Prefekturës, por që është kundërshtuar nga drejtuesit si mungesë njohjeje të legjislacionit dhe kompetencave të këtyre dy institucioneve të njëjta në dukje, por të ndryshme në strukturë. Puna e Këshillit të Qarkut të Elbasanit është vlerësuar nga të pranishmit, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Qarqeve të Shqipërisë, duke u veçuar përdorimi i fondeve nga grandi qeveritar dhe të ardhurat vendore në dobi të komuniteteve përkatëse.