Google krijon programin e vet të lundrimit
Beteja për internetin
Në përpjekje për të shmangur dominimin e Microsoft-it në fushën e programit të lundrimit në internet përmes Internet Explorer, gjiganti i motorëve të kërkimit “Google”, hodhi në qarkullim programin e vet të lundrimit të quajtur Chrome. Programi i ri shikohet si tentativë për të shmangur “konkurrencën e pandershme” nga ana e Microsoft, që tashmë e ka shpallur përfundimisht “Google”-n “armikun e vet më të madh”.
“Microsofti është shumë i njohur, se favorizon programet e veta duke përdorur avantazhin e dominimit të tregut të sistemeve operative. Ka mbi 500 mijë faqe dëshmish gjyqësore për të vërtetuar këtë”, - deklaroi Eric Schmidt, një nga drejtuesit e “Google”. Microsoft arriti të dominojë tregun e programeve të lundrimit në internet duke eliminuar me një lëvizje spektakolare ish-konkurrentin e vet, Netscape, dhjetë vite më parë. Netscape, humbi tregun kur Microsoft e shpërndau falas Internet Exploperin pa i dhënë mundësinë e zgjedhjeve përdoruesve. Chrome, është një program shumë herë më i lehtë se Explorer i Microsoft dhe konkurron për nga lehtësia e përdorimit edhe programin falas, Mozilla Firefox. Konkurrenca në tregun e internetit u kthye në luftë të hapur gjatë muajve të fundit, kur Microsoft ofroi një marrëveshje bashkimi me “Yahoo”, si pjesë e planit për të luftuar pushtetin gjithnjë e në rritje të “Google”. Bashkimi dështoi pas refuzimit të “Yahoo” dhe tashmë axhenda e të gjitha kompanive është konkurrimi në detaje i kundërshtarëve. Së fundmi, Microsoft hapi një program reklamash në internet që ngjan me modelin e biznesit të ndjekur nga “Google”, ndërsa motori i kërkimit iu përgjigj duke e sfiduar Microsoft-in në fushën ku ndjehet më i sigurt: programi i lundrimit në internet. Pavarësisht se konkurrentët janë të shumtë, Internet Explorer ende zotëron 80% të tregut.