Shqipëria kërkon qymyrin e Kosovës
Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në Prishtinë. Dy sistemet energjetike do të mbështesin njëri-tjetrin
Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi dypalësh në fushën e energjisë elektrike dje, duke i hapur rrugë bashkëpunimit dhe integrimit të sistemeve energjetike të të dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, si dhe për palën kosovare nga ministrja Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula. “Sot, të dy vendet kanë hyrë në fazën e vendimeve konkrete”,- thanë ministri Ruli dhe ministrja Shiroka-Pula, duke theksuar angazhimet për të qenë bashkëpunues dhe ndihmues mes dy vendeve në energjitikën e Shqipërisë dhe Kosovës. Nëpërmjet këtij pakti parashikohet shkëmbimi i energjisë mes dy vendeve gjatë gjithë vitit, si dhe ndërtimi i kapaciteteve të përbashkëta elektroenergjetike.
“Sigurisht, memorandumi i mirëkuptimit është produkt i një shkëmbimi diplomatik dhe i punës ndërmjet dy ministrive tona prej një kohe të gjatë, që konkludohet sot. Është një domosdoshmëri, përveçse një hap diplomatik dhe politik, është një domosdoshmëri dhe e imponuar nga vetë rrethanat e zhvillimet që ndodhin në tregun energjetik në rajon dhe në botë”,- theksoi ministri Ruli.
Planet mes dy vendeve janë të mëdha dhe mundësitë për bashkëpunim janë të bollshme, sipas ekspertëve. Fakti që Kosova do të vijojë të jetë një sistem energjetik i bazuar te termocentralet e qymyrit, ndërsa Shqipëria do të jetë një vend me bazë hidrocentralet, krijon mundësi të gjithanshme shkëmbimi të energjisë elektrike me përfitime të mëdha ekonomike. Një studim i Bankës Botërore vlerëson se nga shkëmbimi i lirë i energjisë elektrike, në rajonin tonë mund të ulet kostoja me rreth 10-15%.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka shprehur dëshirën për të patur akses mbi rezervat e stërmëdha të qymyrgurit të Kosovës, duke investuar për të ndërtuar termocentrale atje. Por ndërkohë, këto ide të bukura përballen me faktin që Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të koordinojë punën për ndërtimin e një aseti energjetik të rëndësishëm gjatë 25 viteve të fundit, gjë që e bën të pabesueshëm planin për ndërtimin e një TEC-i jashtë vendi.