Urimi i politikaneve shqiptare per Krishtlindje
Presidenti Topi: "Gëzuar ditën e madhe"
Presidenti Bamir Topi uroi gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve. "Urimi im është mjaft i thjeshtë; Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë besimtarët e krishterë", tha zoti Topi, në një prononcim për mediat. "Në këtë ditë të madhe, në këtë ditë të shenjtë, do të vijoj të them vazhdimisht që shqiptarët e kanë kënaqësi kur festojnë festat e njëri-tjetrit, sepse janë në harmoni të plotë fetare dhe jo thjesht si një moment tradicional, por është një moment, i cili po forcohet çdo ditë dhe ky është momenti më i bukur", tha Presidenti. Ai zhvilloi vizita në selitë e komuniteteve fetare ortodokse dhe katolike në Tiranë, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi. Në fjalën përshëndetëse u shpreh se "sot është dita kur të gjithëve ne i urojmë ‘Gëzuar Festën‘ për këtë ditë të madhe të mirësisë, të paqes, por edhe të rikthimit te besimi, te besimi te vetvetja, besimi tek tjetri, për të krijuar klimën e dialogut dhe besoj ajo që është më e rëndësishmja për të mos u marrë vetëm me veten politikanët, por për të parë edhe përtej tyre tek njerëzit, që janë realisht në nevojë".
Kryeministri uron Krishtlindjen nga Korça
Kryeministri Sali Berisha del jashtë Tiranës për festën e Krishtlindjes. Nga qyteti i Korçës ai ka uruar gjithë besimtarët e krishterë. "Uroj të gjithë besimtarët e Korçës, të gjithë besimtarët shqiptarë, të gjithë besimtarët e krishterë në këtë ditë të lindjes së Krishtit, të lindjes së shpresës së përjetshme të njeriut, motivit më të mirë të tij për besimin", u shpreh dje Berisha. Pas vizitës së zhvilluar në selinë e Mitropolisë së Shenjtë në Korçë, ai i drejtoi një urim të veçantë të gjithë besimtarëve të krishterë për festën e Krishtlindjeve. "Kjo është një ditë harmonie dhe mirëkuptimi, ditë për të cilën ne shqiptarët mund të krenohemi më shumë se me çdo gjë tjetër me harmoninë fetare, me tolerancën fetare. Nuk ka asgjë më të vyer, më të çmuar në shpirtin e këtij kombi, se sa kjo harmoni dhe kjo trashëgimi. Unë përgëzova udhëheqësin shpirtëror të kishës së Korçës, por përgëzoj edhe të gjithë udhëheqësit shpirtërorë në Shqipëri, sepse i rindërtuan mësimet e mëdha fetare të shqiptarëve mbi traditën e tyre më të shkëlqyer. Edhe një herë gëzuar", tha ai. Me tej u shpreh edhe për partneritet mes komuniteteve fetare në vend.
Kryeparlamentarja Topalli: Më shumë lumturi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi besimtarët e krishterë, me rastin e festës së Krishtlindjes. "I uroj Krishtlindjet besimtarëve të krishterë, por në fakt të gjithë shqiptarëve. Kjo është një ditë shumë e bukur që sjell shumë lumturi, në mënyrë të veçantë te fëmijët dhe te familjet, sepse është dita e lindjes, e shpresës, është ditë lumturie", u shpreh Topalli. Ajo zhvilloi vizita në selitë e komuniteteve fetare ortodokse dhe katolike në Tiranë, ku uroi drejtuesit e tyre, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit e të gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Anastas Janullatos dhe Imzot Kryeipeshkvin e Durrës-Tiranë, Rrok Mirdita, me rastin e festës së Krishtlindjeve. Më tej ajo tha se "shpresoj që viti 2007 të ketë qenë për të gjithë shqiptarët një vit më i lumtur se i mëparshmi dhe që ai që vjen të jetë sërish më i mirë për të gjithë shqiptarët". Në mënyrë të veçanta, ajo uroi fëmijët.
Kreu i Grupit, Leskaj: Paqe e harmoni
Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kanë përcjellë sot urimet për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë, në pritjet e organizuara nga komunitetet përkatëse. Drejtuesit e lartë socialistë janë pritur nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos. Pas vizitës dhe urimeve të përcjella në këtë seli znj. Leskaj uroi të gjithë shqiptarët në këtë ditë të paqes dhe harmonisë. "Në këtë ditë të shënuar shpreh urimet më të mira për besimtarët ortodoksë dhe për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët i festojnë bashkë festat pavarësisht përkatësisë fetare. Ndaj gjej rastin t‘i uroj të gjithë kudo që janë: Shëndet, Gëzim, Paqe e Harmoni për të cilën Shqipëria ka nevojë", tha Leskaj. Më pas Leskaj e Ruçi janë pritur edhe në selinë e komunitetit katolik nga Imzot Rrok Mirdita, ku kanë përcjellë urimet për të gjithë besimtarët katolikë në këtë ditë Krishtlindjesh.