Sigurimet e papaguara, pa kamatëvonesë deri në fund të vitit
Të gjithë ata që duan ta mbyllin vitin pa "borxhe" duhet të bëjnë hesapet mirë para përfundimit të vitit. Bëhet fjalë për ata qytetarë që nuk kanë paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore. Këshilli i Ministrave, me një vendim ka vendosur "falë" të gjithë ata të cilët nuk kanë shlyer detyrimet ndaj punës.
"Në emër të Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëj thirrje që të gjithë kontribuuesit të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore të papaguara, pasi deri në datën 31.12.2007 është në fuqi ligji për faljen e kamatëvonesave", deklaroi nëndrejtori i ISSH-së, Astrit Hado. Sipas tij, derdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore sot garanton një pension pleqërie dhe të gjitha përftimet e tjera në moshën e pensionit. Më të favorizuarit nga heqja e kamatëvonesës janë fermerët.
Debitorët e kontributeve të sigurimeve shoqërore apo shëndetësore mund të rikuperojnë periudhat e papaguara pa penalizimin e kamatave deri në fund të këtij viti. ISSH ka rikujtuar se ka mbetur edhe pak kohë për të plotësuar periudhat e papaguara pa kamatë. Me ligjin e miratuar "për faljen e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore e shëndetësore", janë falur kamatëvonesat e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të papaguara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nga ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital tërësisht shtetëror, nga institucionet shtetërore buxhetore e jobuxhetore, nga ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital të përbashkët me shtetin, nga personat juridike e fizikë privatë dhe nga personat e vetëpunësuar në bujqësi, me kusht që detyrimet për kontributet të arkëtohen brenda datës 31.12.2007.
Të vetëpunësuarit në bujqësi janë edhe më të favorizuarit nga ky ligj. Kjo pasi, Ligji nr. 9600, datë 27.07.2006, ndryshoi edhe përqindjen e llogaritjes së kamatëvonesave për kontributet e papaguara nga fermerët. Aktualisht, kamata është 2 për qind për muajin e parë të vonesës dhe 1 për qind për muajt e tjerë. Por, duke mos pasur efekt prapaveprues, kamatëvonesat e llogaritura me përqindje të larta (jo më pak se 5 për qind e detyrimit muajin e parë të vonesës plus 1.3 për qind në çdo muaj tjetër vonesë), për shumë fermerë kamatëvonesat tejkalonin dhe shumën e detyrimit.
Kjo do të thotë që fermeri mund të sigurojë periudha të mëparshme, që nisin nga 1.10.1993 me ato masa kontributesh të miratuara në vitet respektive, të cilat janë mjaft simbolike. Ky favorizim diktohet nga gjendja akoma e pakonsoliduar e ekonomive fshatare dhe nga nevoja për rritjen e mëtejshme të kontribuuesve në fshat. Përfitimi nga sigurimi i kësaj kategorie bëhet më konkret, kur me 50 për qind të vjetërsisë së nevojshme për të përfituar pension, fermerët përfitojnë pensionin ashtu sikurse kontribuuesit në qytet. "Ndërkohë, në rastin e lejes së lindjes, e cila paguhet për fermerët e siguruar në një shumë prej rreth 50.000 lekë, shumë që tejkalon shpesh dhe periudhat e paguara që nga 1.10.1993 e deri në periudhën e tanishme.
Ndërkaq, ISSH, duke e konsideruar biznesin si partner, është shprehur e gatshme të bëjë një grafik shlyerjeje, për bizneset me detyrime të konsiderueshme, por me kusht që shlyerja e gjithë detyrimit të përfundojë brenda vitit 2007, për të përfituar faljen e kamatëvonesave.