E Diel, 1 Nëntor 2026

Treni i Brukselit kalon nga Ljubjana

Nënshkrimi i Traktatit të Lisbonës nga kryetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian shënon kulmin e suksesit të Presidencës portugeze, fokusi kryesor i së cilës ishte gjetja e një konsensusi të ri ndërmjet 27 anëtarëve, me qëllim kalimin e impasit kushtetues e institucional të shkaktuar nga "hedhja në kosh" e projektkushtetutës.

Portugezët, me të drejtë, kanë se me çfarë të krenohen, pasi arritën t‘i vendosin emrin e kryeqytetit të tyre një traktati të BE-së, që është diçka më pak se Kushtetuta, por që krijon fleksibilitetin dhe shtratin ligjor e nevojshëm në vendimmarrje dhe në procesin e zgjerimit, pas ngurtësimit që solli Traktati i Nicës. Në të njëjtën kohë, Presidenca portugeze mund të marrë frymë lirisht, pasi arriti të gjenerojë konsensusin e nevojshëm mbi të ardhmen evropiane të Kosovës, përballë një Rusie gjithnjë e më pak të interesuar për zgjidhje të shpejtë e të qëndrueshme, përmes dërgimit të një misioni shumëpërmasor, që jo vetëm do të zëvendësojë UNMIK, por që pritet të bashkëpunojë ngushtësisht me administratën kosovare, në përmbushje të standardeve evropiane. Gjithashtu, portugezët për shkak të lidhjes së tyre historike rikthyen në vëmendjen evropiane marrëdhëniet BE-Afrikë, të "kërcënuara" seriozisht nga "invazioni" i pandalshëm kinez, përmes organizimit të një samiti të posaçëm në nivel kryetarësh shtetesh.

Sakaq, Sllovenia po përgatitet që të marrë frenat e BE-së për 6-mujorin e parë të vitit 2008. Me të drejtë, vëmendja e opinionit publik është përqendruar në mënyrën se si Sllovenia do ta administrojë këtë detyrë të vështirë, që para së gjithash do të jetë testi i parë për një vend të vogël, pjesë deri në vitin 1991 e ish-Jugosllavisë, kur dihet pesha politike që mbart një presidencë, kapacitetet administrative që kërkohen për drejtimin e rreth 3000 takimeve në nivele të ndryshme politike dhe teknike dhe energjia për ruajtjen e unitetit të Bashkimit Evropian në arenën ndërkombëtare, e më specifikisht në momentin kur Kosova pritet të shpallë pavarësinë.

Për shkak të mungesës së përfaqësive diplomatike, Sllovenisë do t‘i duhet që, në rreth 110 vende të ndryshme të botës të përfaqësohet nga diplomatë francezë, vendi i të cilëve do të marrë Presidencën e BE-së në 6-mujorin e dytë të 2008-ës. Ky kombinim dëshmon në të njëjtën kohë edhe bashkërendimin e qëndrimeve mes shteteve të ndryshme që i pasojnë stafetën njëra- tjetrës, sikundër krijon mundësi për shtete si Shqipëria për të pasur një strategji realiste në varësi të rotacionit të presidencave dhe konjukturave politike.

Marrja e Presidencës nga ana e Sllovenisë është mjaft simbolike në momentin kur rajoni është përpara zgjidhjeve delikate dhe njëkohësisht shembull i suksesit që duhet ndjekur nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, një ogur i mirë për Shqipërinë në përmbushje të axhendës së saj europiane. Mirëpo në dallim nga Portugalia, Presidenca sllovene e konsideron përparësi të dorës së parë përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t‘u anëtarësuar në BE. Sllovenia ka bërë të qartë se kërkon të "rifreskojë axhendën e Selanikut dhe Salzburgut mbi të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të finalizojë procesin e Stabilizim Asociimit", një premtim që do të shoqërohet me organizimin e një takimi të posaçëm me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të rajonit në pranverën e vitit 2008.

Rifreskimi i axhendës së Selanikut dhe Salzburgut do të thotë intensifikim i perspektivës evropiane përmes ofrimit të instrumenteve edhe më të prekshëm që mundësojnë afrimin e rajonit me BE-në. Këto instrumente, para së gjithash, kanë të bëjnë me një regjim liberalizues vizash, bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kërkimit, transferim të eksperiencës së suksesshme sllovene në procesin e zgjerimit, integrim të tregut rajonal në atë të BE-së, kryesisht në fushën e energjisë, transportit dhe telekomunikacionit.

Për shkak të interesave të qarta ekonomike që ka në rajon, Sllovenia ka vendosur t‘i japë një impuls të ri procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, në të njëjtën mënyrë siç bëri Greqia në vitin 2003. Por sa e përgatitur është Shqipëria për të shfrytëzuar shanset që ofron Presidenca sllovene ose thënë ndryshe sa mundësi ka që përmes Ljubjanës ne të mbërrijmë brenda një afati të arsyeshëm në Bruksel?

Hapja e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Slloveni, ndonëse një hap i vonuar duhet mbështetur. Megjithatë, shtimi i prezencës diplomatike shqiptare në Evropë duhet kombinuar me ambicien dhe axhendën konkrete të Shqipërisë, e cila nuk mbaron te ratifikimi i MSA-së nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së e as te takimet diplomatike klishe.

Situata ekzistuese në Shqipëri është një kombinim i "lodhjes nga reformat" me "mungesën e besimit". Them lodhje nga reformat, pasi e ashtuquajtura reformë zgjedhore dhe ajo në sistemin e drejtësisë janë kthyer në një sagë bezdisëse që rishfaqen në funksion të përfitimeve politike të çastit, duke eklipsuar në të vërtetë gamën e gjerë të reformave, nëpër të cilat duhet të kalojë vendi. Jo më kot, fjala kyçe e Kryeministrit Prodi gjatë vizitës së tij në Tiranë ishte pikërisht "reforma", në dallim nga disa vite më parë, kur prej Tiranës kërkohej vetëm "stabilitet". Në të njëjtën gjatësi vale u shfaq edhe ambasadori i BE-së Lohan, në përvjetorin e Marrëveshjes së Përkohshme, kur deklaroi se, vendi ka nevojë për reforma të qëndrueshme dhe se axhenda evropiane është shumë më e gjerë se Marrëveshja e Përkohshme.

Ndërsa mungesa e besimit shquhet qartë në faktin se Shqipëria ende nuk po e konsideron seriozisht mundësinë e aplikimit si vend kandidat me argumentin banal se në rrugë jozyrtare Komisioni Evropian i ka bërë të qartë Tiranës se nuk ka ardhur ende momenti i duhur për të hedhur këtë hap. Deklarimet e Kryeministrit Berisha se qeveria e tij është e gatshme të ndërmarrë çdo reformë, në funksion të përmbushjes së ëndrrës shekullore të shqiptarëve, por pa përcaktuar një rend prioritetesh dhe afatesh konkrete, është në rastin më të mirë një deklarim demagogjik që nxjerr në pah faktin se kjo qeveri, ashtu si paraardhësja nuk ka një strategji dhe as një përqasje graduale për transformimin dhe zhvillimin e vendit, por në mënyrë kaotike e pasive pret vetëm atë çfarë mund t‘i ofrojë vetë BE-ja.

Të kuptohemi, mundësinë e aplikimit si vend kandidat nuk duhet ta shohim si një proces burokratik apo qëllim në vetvete, por si pjesë të një historie bindëse suksesi reformash dhe ndryshimesh pozitive, e cila për fat të keq mungon. Në fakt, një histori bindëse suksesi reformash nuk është ajo se sa Shqipëria e lufton korrupsionin, e cila gjithashtu nuk po njeh hapa para, sipas sondazhit të fundit të "Transparency International", por sa transparente e të përgjegjshme përkundrejt qytetarëve janë institucionet shqiptare.

Shqiptarët nuk kanë më durim të dëgjojnë politikanë të paaftë që përpiqen të "shesin" Evropën në mënyrë skematike me ratifikimin e X apo Y marrëveshje nga X apo Y institucion. Në të kundërt, kanë nevojë për një administrim vizionar e kurajoz, që e sjell Evropën në jetën e përditshme të gjithsecilit. Shanset që ofron Presidenca sllovene janë reale ndaj dhe duhen shfrytëzuar, ashtu siç bëri Kroacia, e cila vendosi të aplikojë për statusin e vendit kandidat pikërisht në vigjilje të Samitit të Selanikut, pavarësisht kundërshtive të disa prej vendeve anëtare të BE-së, apo siç bëri Maqedonia në fund të vitit 2004.

Historia e zgjerimit të fundit të BE-së dhe zhvillimet që pasuan Samitin e Selanikut demonstrojnë rëndësinë në lëmin e diplomacisë të asaj që në mënyrë të mençur, Gerald Knaus, e ka emërtuar si "parimi i dasmorit të paftuar" ("gatecrashing principle"). Që do të thotë se një vend në rrugën drejt anëtarësimit në BE, në momente të caktuara mund të injorojë këshillat apo paralajmërimet për durim që vijnë nga radhët e BE-së. Por, për të përqafuar këtë parim kurajoz, na duhet së pari të zbatojmë një plan veprimi ambicioz që kombinon reformat e brendshme, e që kryhen në bazë të një rendi prioritar, sipas afateve precize me një diplomaci aktive. Në të kundërt, ashtu si në Selanik 4 vjet e gjysmë më parë, do të humbim trenin e Ljubjanës, në pritje të trenit tjetër të radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›