E Diel, 1 Nëntor 2026

PDS: Qeveria, e papërgatitur për krizat

Partia Demokracia Sociale ka kritikuar dje qeverinë për mosangazhimin e një numri më të madh të strukturave të rendit dhe ushtrisë për përballimin e situatës në zonat e bllokuara nga reshjet e dëborës. Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari, tha dje nëpërmjet një deklarate për shtyp, së "PDS-ja po vazhdon të konstatojë me keqardhje vazhdimin e keqqeverisjes dhe mpirjen e administratës shtetërore për të vepruar në këto ditë me mot të përkeqësuar, që ka sjellë për shumë zona malore të vendit paralizimin e jetës ekonomike e sociale të popullsisë, krijimin e realiteteve izoluese e të braktisjes nga shteti, të panjohura prej shumë vitesh dhe të varfërisë ekstreme". Sipas PDS-së, kjo gjë para paralajmëron se 2008-a do të jetë viti i krizave të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sipas Duçkallarit, situatat e përsëritura të pritjes në radhë me orë të tëra në mes të të ftohtit të qindra mijëra emigrantëve në kufijtë shqiptarë; situata e jashtëzakonshme e bllokimit nga dëbora e popullatës në zonat veriore dhe verilindore të vendit, që mundohet të fshihet nga qeveria; cenimi i rendit dhe i sigurisë së shtetasve nga aksidentet me vdekje dhe vrasjet e njëpasnjëshme në shifra alarmante, 30 të vdekur në 5 ditë; kriza energjetike dhe rikthimi i kufizimeve me orë të zgjatura; rritja abuzive dhe jashtë çdo kontrolli nga ana e qeverisë e çmimeve të produkteve ushqimore, gazit dhe naftës, e kanë gjetur qeverinë dhe administratën e saj krejtësisht të papërgatitur për të kryer detyrimet dhe angazhimet e saj më minimale ndaj shqiptarëve. Nisur nga të gjitha këto kriza, PDS-ja kërkon që qeveria të shkundet fort e në mënyrë urgjente dhe me përgjegjësi të vërë në lëvizje të gjitha kapacitetet që disponon për të përballuar krizën e rëndë të shkaktuar nga keqqeverisja e saj. Sekretari politik i PDS-së theksoi më tej se KESH-i duhet të eliminojë kufizimet për zonat e bllokuara nga dëbora dhe për stacionet e pompimit dhe hidrovoreve në të gjithë vendin. Qeveria dhe Kryeministri Berisha, tha Duçkallari, duhet të marrin masa urgjente për të shmangur abuzimet me çmimet në produktet ushqimore, të cilat shtojnë listat e papaguara dhe thellojnë varfërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›