E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesia e PD-së përcakton në shkurt ndryshimet

Muaji shkurt do të rinovojë strukturën e partisë në pushtet, e cila prej kohësh ka lënë selinë blu të mbuluar nga heshtja. Tema më e debatuar për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare dhe rikthimet e ish-deputetëve të dikurshëm të kësaj partie në postet më të larta drejtuese të saj, do të sjellë konflikte të pashmangshme mes radhëve të deputetëve të djathtë dhe atyre që aktualisht punojnë për Partinë Demokratike. Ideja për ndarje postesh partiake nga ato ministrore ka vënë në ethe anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët janë pjesë e strukturës së PD-së. Nga nëntë sekretarë që ka gjithsej Partia Demokratike, më shumë se gjysma e demokratëve, të cilët përbëjnë kabinetin qeveritar, mbajnë edhe postet e ministrit, edhe ato partiake. Katër ministra të kabinetit kanë gjithashtu edhe zyra të rëndësishme në PD, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qëndruar të mbyllura. Sekretari i përgjithshëm, i cili njihet më shumë si ministër i Financave, është parë në selinë blu vetëm kur kreu i PD-së ka mbledhur kryesinë e kësaj partie. Të prekur nga "dypunësimi" brenda qeverisë dhe partisë janë edhe zv/ministrat. Humbja e zgjedhjeve lokale më 18 shkurt në qytetet e mëdha dhe ndarja e posteve partiake nga ato ministrore, janë dy etapat kryesore, të cilat do të diskutohen në Kryesinë e Partisë Demokratike dhe do t‘i ushtrohen një debati e analize të thellë. Burime pranë selisë blu pohojnë se ndryshimet do të nisin nga dega e Tiranës, ku edhe humbja në zgjedhjet lokale ishte edhe më e thellë. Përveç tre deputetëve të djathtë, si Majlinda Bregu në zonën 11 dhe Besnik Mustafaj në zonën numër 8 dhe Gëzim Karapici në zonën 10, pjesa tjetër e deputetëve ka humbur në zonat e tyre elektorale. Bujar Nishani, Ylli Pango dhe Lulzim Basha janë tre emrat të cilët do të jenë pjesë e një analize të thellë në PD për degën e kryeqytetit. Po kështu, do të shikohet mundësia e hyrjeve të reja në parti, siç është ripërfshirja e Arben Imamit në strukturat më të larta të Partisë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›