E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja pa emër

Gruaja me flokët që ia merr lehtë era dhe çorapet e shkurtra që i dallohen sipër këpucëve gjysmë të hapura, nuk jeton më. Pothuajse çdo mbrëmje, në kthimet e mia të vona nga puna, e shihja në ballkonin e saj të vogël, me cigaren që i digjej mbi duart e holla. Ai mëngjes kur pashë portretin e saj në një fotografi vendosur në shtyllën ku në atë lagje në "Ali Demi" vendosen lajmërimet e vdekjeve, për shumë kohë, sa herë kaloja nga ajo rrugë vështroja ballkonin ku kishin mbetur vetëm disa vazo pa lule. Vështrimi i saj nga larg dhe tymi që ajo thithte gjithnjë në atë ballkon tregonin aq shumë për jetën e asaj gruaje…

Për muaj me radhë imazhi i saj më shfaqej vetëm atëherë kur instiktivisht kaloja në rrugën poshtë ballkonit të saj, dhe duke besuar se "trishtimit" duhet t‘i qëndrojmë gjithnjë larg, mendoja se ajo kishte qenë thjesht një grua, si dhjetëra të tilla që ndoshta nuk e pinë cigaren, por që mbrëmjeve vonë shtrëngojnë fort lotët në shtrat.

Por Fani Zguro ma solli sërish në kujtesë këtë grua… Ndryshe nga imazhi që kishte në ballkonin e saj të vogël në videon e tij "Rrugë pas rruge", ajo nxiton diku. Me trupin e saj të kërrusur nga vitet, ndoshta po ecën drejt pallatit, për t‘u fshehur aty në apartamentin e saj të vogël…

E kam parë me dhjetëra herë videon e Zguros, thjesht për të kuptuar gjatë atij xhirimi aq të shkurtër që ai e ka bërë rastësisht, diçka më tepër mbi jetën e saj. Por disa hapa të nxituara pranë një rruge ku dëgjohet zhurma e makinave janë shumë pak për të zbuluar më tepër.

Por unë i besoj Christine Frisinghell, austriakes, anëtare jurie të "Onufrit", e cila teksa shihte këtë video shprehej se "fuqia e artit qëndron pikërisht te përcjellja e filozofisë". "Format e reja në art sot, videot, instalacionet, apo dhe pikturat, janë një mënyrë për të parë përmes tyre atë çfarë ekziston përtej", thotë ajo. Tani në mendje kam jetën e saj dhe fundin e hidhur në atë ballkon të ftohtë…

Për Christine në art nuk ka nevojë të flasësh shumë. Në ato pak minuta ajo e njeh aq mirë atë grua, sikur të kishte bërë të njëjtën rrugë që bëj unë çdo mbrëmje me vite.

Kjo grua, emrin e së cilës ende nuk e di, është fituese e edicionit të 14-të, "Onufri". Videoja ku ajo shfaqet me autor Fani Zguron, është vlerësuar dje si puna më e mirë e këtij aktiviteti. Me çmim të dytë është vlerësuar Driant Zeneli, me videon "Kur të rritem, dua të bëhem artist". Çmimin e tretë e ka marrë artisti italian, Bruno Muzolini, me videon "Ngricë". Çmimin "Artoteka", i cili ofron një rezidencë disamujore në Romë, e ka marrë Heldi Pema, me fotot "Agim" dhe "Muzg".

Punët u vlerësuan nga një juri me kryetare Maria Campitellin, ndërsa anëtarë: fotografi Albes Fusha; Ormira Lulani, anëtare, specialiste e arteve pamore në Ministrinë e Kulturës; Christine Frisinghelli, anëtare, drejtore e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Graz (Austri) dhe drejtore e revistës artistike "Camera, Art, Austri"; Matteo Fochessati, anëtar, kryekurator dhe kritik

arti i "Network Genova" (Itali) dhe Majemi (SHBA).

Nën konceptin kuratorial të hartuar nga Rubens Shima dhe Ervin Hatibi, "Bërë me tradhti", punët e paraqitura në këtë aktivitet ishin një rrugëtim midis artistit dhe artit, për të zbuluar "tradhtitë" që ata i bëjnë njëri-tjetrit. Kjo temë, e cila u konsiderua si e bukur, me këtë term që jemi mësuar t‘u vëmë gjërave të ndaluara në jetën tonë, nuk mund të thuhet se u vlerësua si e tillë nga të gjithë artistët pjesëmarrës. Në disa punë të paraqitura, koncepti i tradhtisë qëndronte shumë larg, duke bërë ndonjë stonim me punët që e tregonin më së miri këtë gjë. Por teksa tashmë kemi të qartë fituesit, shohim se gjykimi i jurisë ka qenë konsekuent me qëndrimet ndoshta të secilit që ka mundur ta vizitojë "Onufrin". Sërish duke u ndalur në komentet që Frisinghell bëri për gazetën, arti është të shohësh përtej. Të katër veprat fituese kishin një të përtejme.

Në videon e Fani Zguros, "Rrugë më rrugë", na jepen pamje të ndryshme të rrugëve të Tiranës. Ai ka ndaluar në çdo cep të fshehur të këtij qyteti të madh, duke vjedhur ato detaje që për të ishin më interesantet. Dhe duke dhënë me mënyrën e tij "tradhtinë" që i bën qyteti të shkuarës…

Puna e Driant Zenelit është një tjetër punë interesante në këtë aktivitet. Një video që tregon problematikat me të cilat has një i ri në Shqipëri. Ndërsa videoja e Bruno Muzolinit, "Ngricë", është ndoshta një nga punët më të ndjera të këtij aktiviteti.

Gjithçka ndodh në një gotë akulli. Ku dalëngadalë ngrica shkrin dhe shfaqet një çark. Filozofia e përcjellë nga Muzolini mund të jetë dhe motoja që përcjell ky edicion i "Onufrit". Se si çarku është shumë afër në jetën tonë të përditshme, i gatshëm të na zërë sapo një ngricë të na afrohet.

Kritika në vend është marrë pak këtë vit me "Onufrin". Ndryshe nga edicionet e tjera të këtij aktiviteti, që mendohet të jetë një nga më të rëndësishmit e arteve pamore. Ky vit ka kaluar pothuajse në heshtje. Dhe vetë institucioni i galerisë nuk i ka dhënë hapësirën e duhur për ta promovuar. Një vëzhgues i kujdesshëm do t‘ua vinte fajin për këtë debateve të shfaqura edhe në media, mes drejtorit të këtij institucioni, Genc Mulliqi, dhe nëndrejtorit të tij. Ndërsa dikush tjetër do të shprehej se ka ardhur koha për të gjykuar në është vërtet "Onufri" hapësira ku mund të shohim tendencat e artit tonë bashkëkohor? Nëse dhe "Onufri" ka tradhtuar qëllimin me të cilin u krijua gati 14 vjet më parë.

Por ndërsa ky diskutim do të vijë në ditët në vijim, le të shohim se ç‘mendon një prej anëtarëve të jurisë, Christine Frisinghell.

Si një njohëse e mirë e gjuhës së artit (pas kaq vitesh në këtë punë, ajo mund të quhet një grua që e ndjen nga larg erën e artit), zonja Frisinghell thotë se 48 orët e saj në Tiranë i ka shfrytëzuar për të njohur më mirë atë çfarë ndodh në artet pamore në këtë vend. Dhe mendimi i saj nuk ndryshon shumë nga ajo çfarë kemi dëgjuar nga të tjerë të huaj që mbërrijnë në vendin tonë. Ndryshe nga fushat e tjera të artit, në artet pamore ne jemi konsekuentë me atë çfarë ndodh në fushën e artit bashkëkohor sot në botë.

Ashtu si në Perëndim, edhe këtu, në këtë cep të Ballkanit, Frisinghell vë re se arti është pasqyrë e të përditshmes. "Është interesante të shohësh se si artistët e rinj janë kaq të ndjeshëm ndaj asaj çfarë ndodh me vendin e tyre. Në këto punë unë kam parë reflektime mbi historinë dhe politikën e vendit tuaj", thotë ajo.

Kjo është gjuha me të cilën arti komunikon në çdo vend të botës. Duke dashur të flasë më shumë për atë çfarë është përtej, Christine Frisinghell-i thotë se është ndalur gjatë për të gjetur kuptimin e secilës punë.

Pavarësisht kohërave, arti për Christine Frisinghell mbetet një fushë që kërkon të operojë me të njëjtat forma. "Të shohësh historinë e artit bashkëkohor do të thotë se e gjithë kjo histori është një ftesë për të menduar gjatë, se çfarë këto punë duan të thonë. Ti ndodhesh përballë një pune që reflekton heshtje dhe duhet të shohësh se çfarë përcillet nëpërmjet saj", thotë Christine.

Por ajo që kjo grua e njeh mirë dhe mënyrën se si funksionon tregu i artit, që nuk e gjen ende në këtë vend, është funksionimi i një sistemi arti. Në kushtet ku ndodhet Shqipëria, ende nuk mund të flasim për një treg të tillë. Christine mund të gjejë lehtë falë lidhjeve që ka se cilët janë emrat në artin bashkëkohor në këtë vend, por mundësitë që u jepen këtyre të fundit në Shqipëri janë kaq të pakta. Kjo është arsyeja përse është ende herët për të folur për një treg arti, ku e vetmja mënyrë ballafaqimi është një aktivitet si "Onufri". Le të besojmë se zonja Frisinghell e ka shfrytëzuar kohën e saj në Tiranë jo vetëm për të gjykuar punët e "Onufrit", por dhe për të bërë ndonjë ftesë që ndonjërit prej këtyre artistëve që takoi këtu t‘i japë një shans për të ekspozuar në muzeun që ajo drejton. Kjo, pasi ashtu si Frisinghell përsërit, këta artistë kanë nevojë për shanse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›