E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjalëkryq opozitar

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 kanë filluar të japin ndikimet e para brenda së majtës. Dy ditë më parë kryetarët e partive opozitare u mblodhën me synim përcaktimin e një strategjie të përbashkët për reformën zgjedhore. Në përfundim të tryezës Rama, Meta e as Gjinushi nuk pranuan të flisnin para gazetarëve, duke e lënë kreun e Partisë Aleanca Demokratike të bënte diçka të tillë. Ndryshe nga sa u artikulua publikisht kuptohet qartazi se pesë kryetarët nuk ndajnë qëndrime të përbashkëta ndonëse premtuan një draft unik. Në realitet reforma zgjedhore mund të konceptohet ndryshe si forma me të cilën të majtët po kërkojnë të zgjidhin edhe fjalëkryqet brenda vetes. Natyrshëm, roli më i rëndësishëm i takon kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në pozitat e një beteje thuajse të fituar me ish-kryetarin Fatos Nano duket se ai ka filluar të bëjë kalkulime në perspektivë. Manovra e parë në prag të zgjedhjeve është dalja në skenë e ish-drejtuesit të lëvizjes qytetare "Mjaft!" Erion Veliaj. Konkurrimi në zgjedhje i të cilit, gjithnjë me pikësynimin majtas siç vet e ka deklaruar, do të minimizojë efektin "Nano" që mund të shkaktohet përmes një partie të re ose më tutje kandidimit me të pavarur. Por një lëvizje e tillë duket se nuk po pritet mirë edhe prej Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ndihet e rrezikuar nëse një tjetër parti arrin të bëhet forcë me fuqi elektorale të krahasueshme me të dhe aq më shumë të rivalizojë për vendin e dytë. Fakt që nëse ndodh do të sfumonte ambicien e Ilir Metës për të rimarrë postin e Kryeministrit të vendit në 2009-ën, duke e bërë rrugën e Ramës më të lehtë në këtë destinacion. Duke i shërbyer kësaj linje, pak ditë më parë ish-sekretari i Përgjithshëm socialist, Gramoz Ruçi, deklaroi publikisht se i vetmi Kryeministër i së majtës do jetë Edi Rama. Pohim ky i barazvlefshëm me një mesazh indirekt të kreut aktual të PS-së për aleatin e tij kryesor në opozitë. Përgjigja e Metës ishte diplomatike, por shumë luftarake teksa pranoi se "çdo parti dhe individ ka objektivat e tij që i respektojmë" dhe se "LSI ka objektivat e saj që do i bëjë publike në momentin e duhur". Kohë që i referohet rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme për të cilat, investimi politik i LSI-së ka gjasa të jetë edhe më i fortë se në vitin 2005, ku Meta me intuitën politike duhet ta kishte parashikuar kalimin në opozitë. Në korridoret politike të selisë rozë mendohet se në rast të ruajtjes së një sistemi mazhoritar, Veliaj mund të bëjë koalicion parazgjedhor me opozitën, ose do futet i vetëm në rast të një sistemi proporcional. Gjithnjë për të kapur sa më shumë vota majtas dhe në qendër, arsenal politik të cilin do ta shfrytëzojë në një koalicion paszgjedhor me PS-në. Sakaq, në LSI, aty ku pakkush e mendon të majtën në pushtet dhe Metën larg karriges së Kryeministrit, janë bërë llogaritje të tjera. Suksesi i ambicies kryeministrore është lënë tërësisht në dorë të forcës elektorale dhe rezultatit të zgjedhjeve. Aq sa nuk tingëllon çudi që kjo parti të arrijë t‘u kërkojë socialistëve deri në 30 zona të lira në zgjedhje. Nëse rezultati i procesit do të jetë imponues, Meta ka gjasa që të vendosë kushte përballë Ramës. Ai do duhet të zgjidhte mes kërcënimit për largim nga koalicioni ose bashkëqeverisjes nëse posti i Kryeministrit i lihet LSI-së. Fjalëkryqi tjetër që mund të zgjidhin të majtët ka të bëjë me ekzistencën e pesë partive. Të shumtë janë ata që mendojnë se një rritje e pragut kushtetues të hyrjes në Kuvend në shifra kërcënuese për Milon, Cekën e Gjinushin ndoshta do ringjallë idenë e federatës së majtë. Partive mund t‘u jepen dy alternativa; të bashkohen rreth PS-së ose që socialdemokratët të hyjnë në federatë me selinë rozë dhe Partia Demokracia Sociale të bashkohet më Lëvizjen Socialiste për Integrim. Problemi mund të ishte më i qartë për Cekën, i cili do duhej të zgjidhte mes të majtës dhe të djathtës. Pragzgjedhjet dhe më tutje procesi i parlamentareve të vitit 2009 do mund t‘i japin një përgjigje fjalëkryqit të së majtës, çelësi i të cilit është emri i Kryeministrit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›