E Diel, 1 Nëntor 2026

"Unë triumfoj me lot"

Aty nga ora 23 e 25 minuta në mbrëmjen e së dielës, 15-vjeçarja nga Kavaja, Simona Karafili, është shkrehur në lot, por ndryshimi mes asaj dhe të tjerë njerëzve që do kenë qarë atë moment në Shqipëri është se Simonës i është përcjellë live faqe botës përlotja e saj në çastin kur i thanë se ajo ishte e eliminuara e radhës nga dhjetëshja finaliste e "Etheve", duke pasuar të larguarën e parë, vajzën nga Prizreni, Evin Thana. Të nesërmen, në portretin e saj nuk kishte asnjë gjurmë trishtimi e aq më pak lot, duke treguar se më shumë se talent në të kënduar, ka dinjitet për ta pranuar humbjen si fakt, në raport me emotivitetin e një 15-vjeçareje, që zakonisht jeton me sindromin se ç`fluturon hahet. E ulur në një nga ambientet e "Top Albania Radios" për ballafaqimin e parë mediatik në kuadër të "Etheve", hap celularin për të parë një mesazh që i vjen në moment. E lexon: Artistja ime, motra ime, ylli ime. Të du shumë shumë.

Sot do dalim bashkë për kafe dhe ethet ethet xhaxhi aha. Të dua pafundësisht. Dorina Xerxa. Pra, sms-ja i vjen nga një prej konkurrenteve, mikes së saj, që ka fatin të vazhdojë garën më tej. Ky mesazh dhe përgjithësisht miqësia dhe raportet e ngrohta me etheistët e tjerë, janë ndër gjërat më ngazëlluese për Simona Karafilin. Por si tip më afër saj, në ndjesi, gjendje emocionale e dashuri për muzikën, vlerëson shkodranen Rezarta Smaja. "Them dashuri për muzikën, sepse të gjithë mund ta duan muzikën, por të rrallë janë ata që e dashurojnë atë", thotë Simona, duke shtuar se ajo e Smaja u përkasin atyre që e dashurojnë. Sipas saj, çdokush që do e fitojë çmimin e parë, patjetër që do e meritojë, por Rezarta Smaja është fituesja morale e këtyre "Etheve".

Simona Karafili, nxënëse e vitit të dytë në liceun "Jordan Misja", ku studion për kanto, ka kënduar që e vogël, si të gjithë njerëzit kur janë të vegjël, por ja që ka kënduar aq bukur, sa e ëma ka thënë: Vajza ka vesh për muzikë. Dhe parashikimi ka dalë i saktë. Për herë të parë, zyrtarisht në një skenë dhe para një mase spektatorësh, ajo ka kënduar në një festë për vitin e ri, kur ishte 6 vjeçe. Ka kënduar "Xhinxhilenë" e famshme, sepse në atë kohë (dhuratë me pahir nga Ardit Gjebrea), kjo këngë u shndërrua në kolonë zanore të jetës në Shqipëri. Dhe që nga ai moment, Simona kthehet gati-gati në një interpretuese profesioniste, duke qenë e pranishme në të gjitha evenimentet e institucioneve kulturore të Kavajës, përfshirë dhe ato ndërkombëtare. Në "Ethe" erdhi pas premtimit që i kish bërë vetes duke parë edicionin e parë: Kur të bëhem 15 vjeçe, do shkoj në "Ethe". Dhe pasi u bë 15 vjeçe, vërtet erdhi, duke u futur fillimisht në audicionin e Tiranës…

Cilën këngë kënduat para jurisë?

Këndova "Valsin e lumturisë". Nuk u thanë shumë fjalë nga juria. Kishte më tepër tundje koke, pasi më dëgjuan dhe ishte profesor Zhani Ciko që tha: Ok, në rregull. Mendojmë që t‘i mund të japësh më shumë. Ti je në Tiranë, por vjen në Tiranë për të kaluar fazën.

Ishit e bindur që në fillim që do ecnit përpara, apo dyshonit?

Ah, unë kam një defekt, që nganjëherë e vlerësoj dhe si gjë pozitive. Unë nuk kam fort siguri në vetvete dhe nuk më pëlqen që të jem e sigurt për çdo gjë. Pra, që në fillim, isha pak skeptike. Por një bindje që do fitoja fazën e parë, ose fazat e para, e kisha, pasi unë zotëroja përvojë skenike në interpretim. Pra, e kisha provuar veten në skenë.

Më pas erdha duke e rritur besimin në vetvete, ose më mirë të them përgjegjësinë, duke i thënë vetes se duheshin bërë zgjedhje të mira, duhet shumë punë dhe mbi të gjitha duhej një aftësi për të shprehur ç`ka je. Në çdo audicion kurrë nuk kam menduar se si do dal, por mendimi i parë dhe ndoshta i vetmi ishte: inshallah këndoj mirë.

Ju shkonte mendja se do eliminoheshit?

Nga qëndrimi që pati juria në vlerësimin e interpretimeve të mia, e prisja, e nuhata. Ndaj, deri sa dolëm në skenë për momentin deçiziv, ndihesha pak si e shushatur e pak si e veçuar nga të tjerët. Por unë nuk e prisja që do ikja nga ndonjë gabim. Për shembull, herën e kaluar kam kënduar më keq. Por e kisha një parandjenjë që do eliminohesha, ama jo nga mënyra se si këndova, por nga qëndrimi i jurisë.

Keni pasur frikë nga juria? Ju përmendët një emër mbrëmë, atë të maestro Kaçinarit…

Unë nuk kam pasur frikë nga juria në kuptimin që do më prishte punë në votimin e publikut. Më tepër ka qenë një frikë indirekte në raport me përgjegjshmërinë, se nuk doja që në juri të thoshin: Simona s`duhet ta bënte këtë e duhet të ish më e vëmendshme. Ndaj dhe e përmenda maestro Kaçinarin, sepse nuk doja që ai të humbte besimin tek unë. E shihja si njeri të afërt, sepse ai më kuptonte. Publiku e mendon atë si të ashpër, por ai është thjesht i drejtë, i prerë e shumë profesional. Gjykimet e maestros ndaj meje kanë gjithnjë të drejta dhe unë kam gjetur veten tek ato.

E vlerësoj shumë, jashtëzakonisht shumë.

Ju lotuat shumë mbrëmë, askush nuk ka derdhur aq lot sa ju deri më tani në "Ethe"…

Po ju rrëfej dhe njëherë ato momentet para se të jepej verdikti. Në çastet që filluan të kalonin tre a katër konkurrentë, i rashë me krah Marjetës duke i thënë: Ika unë. Pra, e prisja. Ishte thjesht një ndjesi e një parandjenjë që unë meqë gabova këtu e atje, do iki. Sa për lotët, veç ato nuk mund t‘i mbaj në këtë botë. Unë me lot triumfoj. Ato më ndihmojnë të shpreh atë që ndjej dhe më ndihmojnë që të shfryhem.

E çfarë mendonit në ato momente, po themi në të njëqindtat e sekondës?

Ato momente thjesht mendova këtë: besoja që kishte ndodhur, por thellë në vete nuk e pranoja. Se me thënë të drejtën, nuk është e lehtë të humbësh. Por mendoj se këto humbje të hapin sytë; më rritin, më pjekin dhe më bëjnë t‘i mbaj lotët dhe t‘i derdh aty ku duhet. Ne të gjithë etheistët jemi ushqyer me fjalën e Krastës, që "kush di të fitojë, di edhe të humbasë". Krasta të përgatit nga ana psikologjike dhe e vlerësoj shumë për këtë.

Pasi "ra perdja", ç`ndodhi?

U takova me anëtarët e jurisë, u takova dhe me konkurrentët e tjerë dhe më pas me klasën time, që kishte ardhur për të më ndjekur e për të bërë tifo. Nuk doja që ata të përjetonin mërzinë time. Thjesht doja t‘i takoja dhe t`ua dedikoja atyre atë moment, pa u transmetuar trishtimin tim. Edhe mamit i thosha që nuk jam mërzitur, por që thjesht më vinte inat që ika, pasi nuk e mendoja se ishte radha ime për t`u eliminuar. Kur shkova në shtëpi, u mbylla në dhomën time, së bashku me motrën, me të cilën jam shumë e afërt e bisedoj çdo gjë.

Në gjumë, mos patë ndonjë ëndërr me "Ethet"?

Nuk pashë asnjë, për arsyen e thjeshtë se nuk fjeta fare. Por mendjen tek "Ethet" e kam pasur, duke menduar qëndrimin e jurisë dhe trilloja me vete gjithçka: ku gabova? Nuk duhet të ikja... Dhe më shkonte mendja tek ajo që kam thënë që në fazën e tretë: Jam krenare për veten time. Duke kujtuar këtë frazë, mendoja se ndoshta që në atë çast është krijuar një lloj mendjemadhësie tek unë. Por shiko, njerëzit kanë menduar se unë kisha prirjen të dukesha. Ndërsa e vërteta është se unë nuk e kam pasur mendjen asgjëkund, veç faktit që të këndoj mirë, siç e thashë dhe më sipër. Gjithmonë i kam thënë vetes: Edhe nëse do iki, të paktën të këndoj mirë. Dhe urrej çastin që pasi dal nga skena, duhet të kem idenë se po të futem dhe njëherë, do ta ribëja më mirë. Këtë përpiqem ta shmang, sepse çasti është vetëm një. Të jepet mundësia? Jepe.

"Ethet" vërtet janë fantastike për këtë gjë. Dhe pavarësisht eliminimit, unë nuk e shikoj veten asgjëkund tjetër veç skenës, e kantos. Rruga është e gjatë…

Konkurrentët

Vijojnë garën:

Marjela Billa - Tiranë

Xhensila Myrtezai - Tiranë

Kejsi Tola - Tiranë

Himena Ymeri - Tiranë

Fatlum Zeka - Prishtinë

Dorina Xërxa - Gjakovë

Dorina Garuci - Shkodër

Rezarta Smaja - Shkodër

Janë eliminuar:

Evin Thana - Prizren

Simona Karafili - Kavajë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›