Lëvizjet e mundshme në Prokurorinë e Përgjithshme
Pas largimit të sekretarit të Përgjithshëm, Stavri Koçollari, në Prokurorinë e Përgjithshme priten të tjera largime dhe dorëheqje. Disa drejtori, si ajo Ekonomike, e personelit dhe e Marrëdhënieve me Jashtë duket se do të ndryshojnë nga organizimi. Gjithçka pritet të zyrtarizohet në momentin që kryeprokurorja Ina Rama të vendosë edhe për sekretarin e ri të Përgjithshëm. Në fillim të muajit shkurt, akuza qendrore do të "shtohet" me dy punonjës të ri, ku krahas plotësimit të vendit bosh të lënë nga Koçollari, pritet që Rama të "punësojë" edhe këshilltarin dhe zëdhënësin për shtyp. Duket se përzgjedhja e kryeprokurores për pasardhësin e Agim Nezës është kryer, por emri nuk bëhet i ditur. Nga ana tjetër, "ethet" e reformës po diskutohen edhe në prokuroritë e rretheve, të cilat kanë plotësuar formularët e servirura nga akuza qendrore. Pyetjes se, nëse akuza ka nevojë për ndryshim në prokuroritë e rretheve apo në Prokurorinë e Përgjithshme, ata i janë përgjigjur me bindje se: Ka nevojë për ndryshime emrash të titullarëve në akuzën qendrore.